Sport
Pesë ndeshjet më të mira të Katar 2022 që nuk duhet t’i humbisni
Të dielën, më 20 nëntor, fillon turneu sportiv më i shikuar dhe më fitimprurës në planet. Përgjatë një muaji, Kupa e Botës 2022 do ta magjepsë audiencën dhe do t’i dominojë ekranet televizive e diskutimet e përditshme kudo në glob.
Gjithsej 64 ndeshje do të zhvillohen, përfshirë këtu 48 ndeshje të fazës së grupeve. Radio Evropa e Lirë i ka zgjedhur pesë ndeshjet që nuk duhet t’i lini pa i shikuar.
20 nëntor: Katari – Ekuadori
Kjo do të jetë ndeshja hapëse e atij që mund të quhet turneu më kundërthënës i Kupës së Botës në histori dhe presioni do të jetë i madh mbi vendin nikoqir që do të luajë për herë të parë në Kupën e Botës.
Katari do të tentojë t’i reklamojë tetë stadiumet e reja shndritëse dhe infrastrukturën moderne që lidh stadiumet mes vete në shtetin e vogël të Gjirit. Por, do të ketë ende pyetje të mbetura për kostot njerëzore gjatë ndërtimit të kësaj infrastrukture. Më herët këtë vit, The Guardian raportoi se 6.500 punëtorë emigrantë, kryesisht nga Azia jugore, kanë vdekur gjatë 11 vjetëve që kur Katari u zgjodh nikoqir i turneut. Shumë kanë thënë se këto vdekje janë të lidhura me punën në kushte të këqija dhe në nxehtësi ekstreme.
Kombeve të Bashkuara (OKB) ka thënë se vendi nuk i hetoi dhe raportoi në mënyrë adekuate vdekjet e punëtorëve, pasi që autopsitë e tyre nuk u bënë në mënyrë rutinore. Megjithatë, Katari është kundërpërgjigjur, duke cituar vendimin për pagë minimale mujore prej 275 dollarësh dhe shfuqizimin e një programi sponsorizimi, të quajtur “Kafala”, për të cilin pretendohej se përfshin punë të detyruar.
27 nëntor: Spanja – Gjermania
Përballja e “peshave të rënda” në fazën e grupeve do t’i vë përballë njëra-tjetrës dy gjigantë të futbollit, që së bashku numërojnë pesë kupa të këtij turneu.
Por, kjo do të jetë gjithashtu një përballje mes dy vendeve që po tentojnë ta rigjejnë versionin e pandalshëm të vetes pas disa viteve më të dobëta. Përveç kampionit aktual të botës, Francës, shumë pak vende e kanë dominuar këtë shekull sa “La Furia Roja” dhe “Die Mannschaft”.
Spanja fitoi pothuajse gjithçka që i doli përpara mes viteve 2008 dhe 2012, duke e fituar Kampionatin Evropian dy herë radhazi dhe Kupën e Botës në vitin 2010 me stilin e tyre të bazuar në pasime dhe posedim të topit, tiki-taka.
Ndërsa, Gjermania i dha fund dominimit spanjoll, pas shumë tentimeve të dështuara, në vitin 2014 kur e fitoi Kupën e Botës me skuadrën e saj të fuqishme dhe dinamike.
2 dhjetor: Serbia – Zvicra
Në pamje të parë, kjo duket si ndeshje pak a shumë e zakonshme që përfshin dy skuadra evropiane të mira, por jo të mahnitshme. Mirëpo, këtë ndeshje e bën interesante pjesëmarrja e dy yjve të ekipit të Zvicrës, kapitenit Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirit, me prejardhja nga Kosova.
Kjo ndeshje do të jetë edhe më interesante pasi që do të jetë ndeshja e fundit e fazës së grupeve dhe kjo zakonisht do të thotë që skuadrat do të jenë në luftë për të kaluar në fazën e radhës. Dhe, natyrisht, është edhe ajo që kishte ndodhur herën e fundit kur këto dy skuadra u përballën në vitin 2018, në Kupën e Botës në Rusi, në atë që duhet të ketë qenë ndeshja më e ngarkuar politikisht në atë turne.
Këpucët e Shaqirit kishin flamurin e Kosovës të qëndisur dhe u raportua edhe për thirrje kundër shqiptarëve dhe se, në mesin e tifozëve serbë, kishte njerëz që mbanin bluza me fytyrën e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.
Xhaka dhe Shaqiri luajtën rol kyç në atë ndeshje, duke shënuar të dy në fitoren dramatike me rezultat 2:1. Në njërën nga fotografitë më të përmendura të atij turneu, Xhaka dhe Shaqiri festuan duke e bërë shqiponjën me duar si simbol shqiptar, të cilin Serbia e cilëson “ofendues”.\FIFA i ndëshkoi të dy lojtarët me nga 10 mijë franga për “sjellje josportive”.
2 dhjetor: Gana – Uruguaji
Disa orë para ndeshjes mes Serbisë dhe Zvicrës, do të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje me shumë inate. Por, inatet në këtë ndeshje kanë të bëjnë vetëm me futboll.
Dhe, për ta kuptuar kontekstin, duhet të kthehemi në Kupën e Botës që u zhvillua në Afrikën e Jugut në vitin 2010 – kur Kupa e Botës u mbajt për herë të parë në kontinentin afrikan. Shumica e tifozëve neutralë donin që një skuadër afrikane, cilado prej tyre, të kishte suskes. Dhe, pasi vendi nikoqir dhe vendet e tjera afrikane u eliminuan qysh në fillim, në fazën e grupeve, e vetmja skuadër nga kontinenti afrikan që kaloi në fazën e radhës ishte Gana. Pasi e mposhti SHBA-në në kohë shtesë, Gana u përball me Uruguain në çerekfinale.
Edhe pse nga to kanë dalë disa nga lojtarët më të mirë individualë në futboll, shpeshherë me rol kyç në skuadra të mëdha evropiane, asnjëherë nuk kishte ndodhur që një ekip afrikan të arrinte përtej çerekfinaleve në Kupën e Botës – Kameruni në vitin 1990 dhe Senegali në vitin 2002 i kishin shkuar më së afërti realizimit të kësaj ëndrre.
Por, tani, në Afrikë, kishte ardhur koha për ndryshim. Ndeshja përfundoi me rezultat baras 1:1 pas 90 minutave, ndërsa në momentet e fundit të 30 minutave të kohës shtesë, Gana mendoi se kishte shënuar golin e fitores. Në një sekuencë kaotike, një lojtar i skuadrës afrikane e kishte goditur topin me kokë drejt rrjetës uruguaiane që dukej e pambrojtur, por një urugaian ia kishte mohuar golin duke e pritur topin me dorë.
Lojtari në fjalë ishte Luis Suarez. Ai u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Ganës iu dha penallti. 12 vjet pas asaj ndeshjeje legjendare, dy skuadrat do të përballen sërish.
29 nëntor: Irani – SHBA
Dy vende, të cilat kanë pasur mospajtime me njëra-tjetrën që kur revolucioni i vitit 1979 e rrëzoi Shah Mohammad Reza Pahlavin pro-perëndimor nga pushteti, do të përballen ndërmjet vete në Kupën e Botës që po mbahet për herë të parë në Botën Arabe.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në një periudhë kur përpjekjet diplomatike për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, po lëkunden, perëndimi po vendos sanksione për mbështetjen ushtarake të Iranit për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe pjesa më e madhe e botës po tronditet nga shtypja ndaj grave dhe vajzave protestuese nga regjimi i Teheranit.
Disa thonë se raporti dhe politika nuk duhet të përzihen, por është e vështirë të imagjinohet se si do të bëhej një gjë e tillë për këtë ndeshje. Edhe për këtë ndeshje ka precedentë: në Kupën e Botës të vitit 1998 u zhvillua përballja mes tyre që njihet si “nëna e të gjitha ndeshjeve”.
Atëherë, gjithçka ishte koordinuar me kujdes: lojtarët iranianë raportohet se ishin ndaluar nga vetë Ayatollahu të shkonin drejt amerikanëve për t’ua dhënë dorën, kështu që amerikanët ishin nisur drejt tyre përderisa iranianët u jepnin trëndafila të bardhë. Të 22 lojtarët pastaj kishte pozuar për një foto si zakonisht. Ndeshja kishte kaluar pa asnjë incident dhe Irani e kishte mbyllur me fitore me rezultat 2:1 – fitorja e parë në histori për Iranin në Kupën e Botës.
Një muaj më vonë, ata luajtën një ndeshje miqësore në SHBA, kur shumë thanë se futbollistët kishin arritur më shumë për 90 minuta sesa diplomatët për dekada të tëra.
Këtë herë, tensione do të ketë sërish, por fokusi do të jetë në përgjigjen e skuadrës së Iranit ndaj të gjitha trazirave. Disa, përfshirë aktivistë për të drejtat e njeriut, kanë bërë thirrje që Irani të përjashtohet nga turneu për shkak të ngjarjeve në Teheran dhe Federata e Futbollit e Ukrainës e ka bërë të njëjtën kërkesë shkaku i mbështetjes që Teherani zyrtar po i jep Kremlinit.
/ REL