Radar
Rama tallet me Veliajn: I ke të vogla
Shteti lëshohet për fushatë në Kamëz/ Rama tall Veliajn: I ke të vogla
Një kryebashkiak socialist në bastionin demokrat të Kamzës, u mundësua nga bojkoti që opozita i bëri zgjedhjeve vendore të vitit 2019, kur Rakip Suli ishte e vetmja kandidaturë.
Marrja e një mandati të dytë në Kamëz duket një nga sfidat e vështira të Edi Ramës për vendoret e 14 majit, ndaj fushata nisi herët me një batalion nga bashkitë fqinje dhe drejtuesit më të lartë të shtetit.
Pas gati dy vitesh, në terren doli edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla. Krahas saj, reklamimin e punëve të Bashkisë se Kamzës kishte vajtur ta bënte edhe Erion Veliaj, që mori fjalën para të zotit të shtëpisë.
Veliaj: Do i japim edhe ne ndonjë kontribut me pemë se kemi stok të madh.
Rama: Ti i ke po i ke të vogla shumë.
Veliaj: Unë i kam për marshalla për atë punë.
Rama: Kurse ky i ka pemë tamam. Ti i ke nga ato që mbillen tre here.
Veliaj- Sulit: Lerë mos u provoko nga ky.
Suli: Pemët m’i ka sjellë të mëdhaja lali Eri.
Organizimi i kuruar deri në detaje, ishte kujdesur të poziciononte disa të rinj që pikturonin peizazhin e liqenit të Paskuqanit. Por jashtë kornizës doli pyetja e njërit prej tyre, për emigrimin e bashkëmoshatarëve.
“Zogjtë shtegtojnë pasi kushtet atmosferike nuk janë të përshtatshme për jetesën e tyre. Kur do të vijë koha që të piqen kushtet që të rinjtë shqiptar të mos largohen nga vendi i tyre?”, pyeti një i ri nga Kamza.
“Të rinjtë të mos paguajnë 10 mijë paund për të kaluar kanalin e Lemas, por t’i investojnë në agroturizëm”, tha Rama.
Rakip Sulit iu desh të prishte gjithë ditën që të merrte mikrofonin në dorë. Por edhe kur i erdhi radha, iu desh të ndalej për të respektuar dikë më të fuqishëm se sa Edi Rama.
Ndërsa kryeministri zgjodhi që fokusohej më shumë tek politika e madhe e Tiranës. “Nuk ka mundësi që non grata të mos jetë i lidhur me rublat ruse ashtu edhe partia e lekut”. Duke folur për pasojat e luftës në Ukrainë, Rama u shpreh se shteti do të vijojë të mbrojë konsumatorët nga inflacioni i energjisë.
/A2CNN