Radar
Disa fakte interesante mbi kryeministrin e ri të Britanisë Rishi Sunak
Ish-Sekretari britanik i Thesarit, Rishi Sunak, do të bëhet kryeministër i ri i Britanisë.
Ja çfarë duhet të dini për të:
Ai ka fituar në garën e dytë këtë vit
Sunak ka humbur garën e shtatorit kundër kryeministres Liz Truss, e cila ka dhënë dorëheqjen vetëm gjashtë javë pas fitores. Në garën e dytë këtë vit, Sunak ka siguruar shpejt mbështetjen e deputetëve. Ai ka mbledhur 100 nënshkrime të deputetëve shumë para skadimit të afatit, duke përfshirë mbështetjen e deputetëve që më parë kanë mbështetur Trussin dhe ish-kryeministrin Boris Johnson.
Ai ka parashikuar problemet financiare nën udhëheqësinë e Liz Truss
Ai është përplasur disa herë me Truss-in në garën kundër saj, duke pretenduar se plani i kryeministres për të marrë para hua gjatë krizës me inflacionin, tingëllon si përrallë që do të shtynte ekonominë drejt kaosit.
Ai është fëmijë imigrantësh
Prindërit e Sunak janë vendosur në Mbretërinë e Bashkuar nga lindja e Afrikës dhe të dy kanë origjinë indiane. Vetë Sunak ka lindur në Sauthhempton më 1980, ku babai i tij ka qenë mjek i përgjithshëm. Ai tani do të jetë kryeministri i parë britaniko-aziatik.
Ai është deputet prej shtatë vjetësh
Sunak është zgjedhur fillimisht deputet më 2015 për rajonin e Riçmondit dhe Jorkshërit, mirëpo është ngjitur shpejt në karrierë dhe është bërë ministër i Financave në shkurt të vitit 2020, kur kryeministër i Britanisë ka qenë Boris Johnson.
Ai ka qenë në krye të reagimit financiar ndaj pandemisë
Si kancelar nën udhëheqjen e Johnson, Sunak ka qenë pas politikave për ofrim të ndihmave në kohën e izolimit të nxitur nga pandemia e koronavirusit, duke përfshirë ato për restorantet.
Ai besohet se është një prej deputetëve më të pasur
Gruaja e tij është Akshata Murthy, vajza e miliarderit indian, Narayana Murthy. Vetë Sunak ka punuar në bankën për investime, Goldman Sachs, si dhe në dy fonde tjera. Revista Sunday Times ka thënë se pasuria e Sunak kap vlerën e 730 milionë paundë.
Ai është përballur me zhurmë për taksat e gruas së tij
Përgjatë verës ka nisur të flitet se Akshata Murthy nuk i ka paguar taksat në Britani për fitimet e mëdha që ka pasur jashtë shtetit, ndnëse diçka legale. Sunak e ka mbrojtur gruan duke thënë “të njollosësh gruan time për të më sulmuar mua është diçka e tmerrshme”.
Ai ka bërë fushatë për BREXIT
“Portet e lira” është një prej ideve të tij të preferuara: zona rreth porteve apo aeroporteve ku mallrat mund të importohen apo eksportohen pa paguar taksa për të inkurajuar tregtinë.
Ai ka ëndërruar të jetë … një Jedi
Më 2016 ai u pati thënë disa nxënësve përgjatë një vizite se, kur ka qenë i vogël ka dëshiruar të jetë si Jedi Knight kur të rritet. Filmi i tij i preferuar në seritë Star Ëars është The Empire Strikes Back.