Kryesore
Kur ikën macja, shtohen minjtë.
Ka qenë një këngë në fund të çdo puntate të sezonit të parë të “Apartamenti 2xl”. Besoj e mbani mend kur djemtë këndonin “o Fatos Nano ne po të presim…”. Ja që është momenti për të hequr pluhurin e asaj kënge. Unë jam shumë i vjetër. Kam parë shumë. Jam i vjetër në krahasim me konsumatorin e ri të televizionit dhe showbiz në përgjithësi. Dhe më besoni, nëse ka pasur një personazh që mund të dilte dhe të lexonte numratorin telefonik e sërish të mos bëhej i bajatshëm, ky ishte Adi Krasta. Që nga largimi prej ekranit të Top Channel, Adi nuk është dukur gjëkundi. Dhe kur ikën macja, e dimë se çfarë ndodh me minjtë. Mungesa e Adi Krastës nga ekranet është në fakt në vazhdën e shumë largimeve të spikatura që konsumatori i televizionit nuk do i kuptojë kurrë. Për shkak se televizioni bëhet kryesisht dhe nga ata që nuk njihen kurrë. Dhe nga televizionet shqiptare largime të tilla këto 3-4 vitet e fundit ka pasur me tonelata.
Tani kemi analistë peçikllasi, prezantues plastmasi dhe personazhe bythe, ose dhe cice, në varësi të shijes. Mirëpo klikimet e shumta në rrjetet sociale janë keqlexuar nga drejtuesit e televizioneve. Janë keqinterpetuar trendet dhe tani në ekran kemi një spektakël diarreje. Sa kohë kemi pa një spektakël të mirëfilltë. Jo domosdoshmërisht të përjavshëm. Sa kohë kemi pa një këngë që të përfaqësojë kohën që po jetojmë? Një këngë, që të jetë për ne sot siç ishte “Jon” e Ardit Gjebresë në 1991?
Ja pra ku mungon Adi Krasta. Nuk kemi tashmë as edhe një fytyrë e një fjalë që të na moderojë një emision a intervistë të hajrit. Dhe sigurisht Ledion Liço është ende larg në vite nga uzurpimi i atij pozicioni. Apo Eno Popi, apo kushdo tjetër. Apo më keq rradha e prezantueseve të reja që as mos t’i futemi se si përzgjidhen se do përfundonim duke shpjeguar mekanizmin bordellues të ekranit shqipfolës. Sa të ketë drejtora televizionesh që kujtojnë se prezantuesja është automatikisht edhe dashnorja.
Ja pra ku mungon Adi Krasta dhe mister Krasta, seriozisht, boll u talle, eja se ne po të presim!/revistawho/Flavio Qarri
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu