Aktualitet
Shqipëria në “Rio 2016”, 6 sportistë dhe 13 “turistë”
Olsi Avdiaj-Shekulli
Një dështim i paralajmëruar dhe një skuadër e tërë zyrtarësh pa vlerë në Rio 2016. Ky është fundi i ditëve braziliane të “kombëtares olimpike” shqiptare. Një kombëtare e mbushur plot me zyrtarë dhe shumë pak sportistë. Duke lënë pas një dështim të paralajmëruar, që në Tiranë, sepse si gjithmonë gjërat në Shqipëri bëhen në momentin e fundit, përfaqësuesja shqiptare ka qenë në Rio me një delegacion prej 19 vetësh. Zyrtarisht 6 sportistë, 5 trajnerë, dy mjekë dhe gjashtë zyrtarë. Një skuadër olimpike që nuk ka sjellë asgjë, veç një vendi të gjashtë në peshëngritje dhe zhgënjim pa fund për ngjyrat tona kuqezi. Mund të jenë pak apo shumë trajnerët dhe zyrtarët. Fakt është se janë shumë para që paguhen për këtë event dhe delegacioni nuk ka qenë i paktë në Rio. Vetëm biletat e avionit shkojnë rreth 50 mijë euro, duke pasur parasysh largësinë e Brazilit. Për të mos folur për shpenzimet e tjera. Shumë para të hedhura në “fund të detit” për një ushtri që dështoi pafundësisht në garat e saj. Dy mjekë që s’ditën të rikuperonin sportisten tonë më të mirë, por edhe gjashtë zyrtarë që si gjithmonë shkojnë vetëm për të treguar dhe shtuar CV-në që ishin në një tjetër Olimpiadë. Nuk kishte si të mos mungonte as ministrja e sporteve, por edhe drejtuesit më të lartë të KOKSH-it, madje ndonjëri prej 15 vitesh në karrigen e drejtuesit. Lista zyrtare është me 19 vetë, por mund të ketë edhe “ndonjë tjetër” që ka udhëtuar për “qejf” dhe që i është fshehur medias. Shkurt një turmë, njerëzish për asgjë. Por dështimi kishte nisur që në fillim. Vetëm 6 sportistë në Rio dhe gjysma e tyre me ftesë, një në sekondën e fundit është dështimi i madh i kësaj Olimpiade në sportin tonë. Më pas paraqitja dhe aftësia e trajnerëve dhe zyrtarëve që të marrin më të mirën nga sportistët.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu