Kryesore
Berisha: Patronazhistët janë shndërruar në një specie shkatërrimtare për administratën
Patronazhistët janë shndërruar në një specie shkatërrimtare për administratën. Kështu u shpreh kreu i PD-së Sali Berisha gjatë një takimi me ekspertë dhe gazetarë të sigurisë. Sipas kreut të selisë blu patronazhistët nuk bëjnë asnjë punë, vetëm krijojnë mekanizma për të vjedhur qytetarët.
“Policia do të jetë e profesionistëve dhe jo e patronazhistëve. Patronazhistët janë shndërruar në një specie shkatërrimtare për administratën. Dje më shkruante një punonjës i OSHEE-së; doktor, të gjithë drejtuesit e një sipërmarrje shumë të rëndësishme për vendin, janë zëvendësuar me patronazhistët, të cilët nuk bëjnë asnjë punë, vetëm krijojnë mekanizma për të vjedhur qytetarët. Kështu është në polici, kudo. Patronazhistët tani janë ndihmësa të gjykatësve në Gjykatën e Lartë. Po. Pra, administrata, institucionet do të çlirohen prej tyre. Ky është një kusht për funksionuar shteti ligjor”, u shpreh Berisha ndërsa u zotua se kur të vijë në pushtet do t’ia nisë nga zbatimi i ligjit.
“Më pyetën një ditë; nga do e nisni. Sa herë që të më pyesë nga do e nisim, unë kam vetëm një përgjigje: Zbatimi i ligjit. Do nisim nga zbatimi i ligjit. Të gjithë nën ligjin. Dhe këtu pastaj makineria jonë funksion gjithnjë e më mirë. Artani dha disa të dhëna shumë interesante, në kuptimin se ekziston ideja se këto lumenjtë narko-eurosh sjellin prosperitet, në fakt jo. Në fakt pa këto narko-euro të ardhurat kanë qenë më të mëdha, rrogat janë rritur dyfish dhe pikërisht se u luftua krimi, Shqipëria u bë vend i preferuar për investimet dhe investitorët e huaj. Sot Shqipëria është vendi i TAP, i kaskadës së Devollit, Rrugës së Kombit, pra i projekteve të cilat kanë dhe do kenë një ndikim të fuqishëm në këtë vend. Por këto nuk bëheshin pa rend dhe ligj. Ndaj dhe ju garantoj edhe njëherë se ky mbetet objektivi ynë më madhor. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit ka qenë dhe do të mbetet moto e qeverisjes së Partisë Demokratike”.
Sipas Berishës rrogat sot janë qartësisht 20-30 % më të ulëta se në vitin 2013.
“Rrogat sot duhet të ishin, me borxhin e marrë, mund të ishin rritur të paktën 3 herë. Rrogat sot faktikisht nëse i modelojmë me inflacionin janë qartësisht 20-30 % më të ulëta se në vitin 2013. Çfarë ndodh, janë oficerë madhorë në ushtri e polici. Shkojnë e bëjnë roje sigurie nëpër lokale pasdite. Bëjnë kamerier, se pa to nuk mbajnë dot familjen. Ai që i ka të gjitha dhe merr e vendos 4 mln euro në oborrin e kryeministrisë për të kënaqur syrin dhe xhepin e tij, ai nuk pse të ua dijë atyre tjerëve. Ata janë mirë thotë, se unë jam mirë, paçka se ata nuk e mbyllin dot muajin me rrogat që marrin. Rritja e rrogave do të jetë një objektiv madhor dhe imediat i qeverisjes së ardhshme”.