Kryesore
‘Pasaporta e artë thirrje për trafikantët’, Berisha: Rama kërkon të bllokojë procesin e integrimit në BE
PD deklaron se pas nismës për legalizimin e kanabisit, nismën e amnistisë fiskale, pasaporta e artë është mekanizimi i tretë dhe i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën e drogës, krimeve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi konferencën e përjavshme me gazetarët.
Në fjalën e tij, Berisha iu referua “pasaportës së artë” ose vendimit të qeverisë për të dhënë me koncesion një pjesë të programeve për dhënien e shtetësisë. Berisha u shpreh se me vënien në përdorim të “pasaportave të arta”, Rama kërkon ta shndërrojë Shqipërinë në parajsën e drogës dhe krimit.
Kryedemokrati shtoi se ‘pasaporta e artë’ do të shërbejë për kanalizimin e parave të bosëve të drogës dhe të krimit. Sipas tij, Rama me këtë akt kërkon të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“PD deklaron se pas nismës për legalizimin e kanabisit, nismën e amnistisë fiskale, pasaporta e artë është mekanizimi i tretë dhe i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën e drogës, krimeve.
Pasaporta e artë në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur për të thirrur investime të huaja.
Kurse pasaporta e artë në narkoshtetin e parë siç është Shqipëria, është një kanal i zi për paranë toksike për bosët e drogës dhe të krimit.
Edi Rama dhe regjimi i tij janë tashmë të njohur për shkatërrimin klimës së biznesit.
Gjatë 9 viteve të regjimit të tij kanë falimentuar nga arbitrariteti, babëzia dhe korrupsioni, pasiguria dhe krimi, tenderat sekrete, koncesionet pa garë mbi 110 mijë biznese.
Me pasaportën e artë Edi Rama e shndërron Shqipërinë në një vend të rrezikshëm në radhë të parë për qytetarët shqiptarë, në një vend të rrezikshëm për shkak të trafikantëve dhe kriminelëve që mund të mblidhen në këtë vend, për rajonin e Evropës dhe botës.
Përshëndes qëndrimin e Komisionit Evropian i cili është shprehur kundër këtyre praktikave.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe pasaportën e artë të Edi Ramës si një thirrje për trafikantë dhe kriminel nga mbarë bota, paguani që të mblidheni në Shqipëri.
Paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika mesa duket kanë qëllim të dytë politik. Bllokimin e procesit të negociatave me BE-në”, deklaroi Berisha.