Radar
A ËSHTË BUTRINTI RASTI I FUNDIT KUR “VËRTET NUK KEMI PARË ASGJË AKOMA”?
Nga gogo.al
Valmora Gogo
Disa ditë më parë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla u shpreh se sa shumë ishte tronditur nga të dhënat që sipas saj “ka nxjerrë Autoriteti i Dosjeve për politikanin I.M të përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit”. Megjithatë pa kaluar pak orë, në një intervistë eksluzive për Hashtag.al, Filip Talo mohoi që ish-presidenti Ilir Meta të ishte i përfshirë.
Lindita Nikolla nuk është shfaqur publikisht si natyrë që tronditet në raste të tjera flagrante. Për shembull kur përfshihet në lojë e ardhmja e pasurisë sonë të përbashkët të trashëgimnisë arkeologjike.
Socialistja Nikolla nuk u trondit aspak publikisht kur në një video-leksion, i ashtuquajturi profesor, z.Richard Hodges e cilësonte Shqipërinë shtet të krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar.
Natyrisht, socialistja Nikolla e ka votuar z.Hodges për të menaxhuar tani e tutje Butrintin. Ai do të prezantojë, sipas logjikës së tij, historinë e Butrintit për 10 vite.
Faktet përplasen keq me njëri-tjetrin. Nga njëra anë shohim që zonja Nikolla e gëzon dellin e indinjatës por jo kur vjen fjala te projekti që ka propozuar shefi i saj, z.Edi Rama. Jo për Butrintin.
*****
Butrinti – Nuk paskemi parë asgjë akoma
Ishte e pakonceptueshme për shumë aktivistë e intelektualë të Shqipërisë që një ditë të bukur Rama-Veliaj do t’i vinin vërtet rruspat e fadromat në mënyrë përfundimtare Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Shembja e teatrit vulosi përfundimisht shprehjen bazë që del nga buzët e kryeministrit shqiptar, “Nuk keni parë asgjë akoma”.
Menaxhimi i Butrintit nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan AADF, me në krye një nga profesorët që shtrembëron e interpreton sipas oreksit historinë ka indinjuar rreth 15 mijë shqiptarë, të cilët kanë firmosur peticionin për të ndalur “kioskëzimin dhe tjetërsimin e historisë”.
Një interpretim për “leksionin” e z.Hodges ka bërë edhe Blendi Fevziu.
“Në këtë rast, PPP-ja merr formën groteske të një kioske brenda parkut Kombëtar të Butrintit. Mesa duket, edhe muret antike duhet të “zhvillohen” duke u bërë restorante, për t’iu përshtatur vizionit të qeverisë.”, shkruajnë të alarmuar qytetarët.
“Dhënia për manaxhim një fondacioni të huaj nuk ka sens sepse ose do të shpallim që ky model është I falimentuar dhe do t’ia japim dikujt ose ka diçka e cila kërcet”, komentonte rreth një vit më parë mbi menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ish-drejtori i tij Auron Tare.
Edhe pse prirja e qeverisë shqiptare për ta dhënë me koncesion për 10 vjet Parkun Kombëtar të Butrintit është krituar thuajse 1 vit më parë nga Tare, kohët e fundit kjo çështje u kthye në debatin publik për shkak të nevojës që marrëveshja qeveri-fondacion manaxhimi kishte për t’u miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Ka qenë deputetja e opozitës Ina Zhupa që sinjalizoi se po tentohej të mbahej e fshehtë një marrëveshje e qeverisë Rama dhe shpikjes së saj,“Fondacionit të Ri”, duke u mbajtur kështu sekret detajet financiare që do shoqërojnë gjithë operacionin. Më tej kryeministri Edi Rama mohoi ekzistencën e një marrëveshje sekrete për Butrintin.
Pas debateve për mbajtjen sekret të marrëveshjes për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit u dha drita jeshile për publikimin e saj në websitin e Kuvendit të Shqipërisë, bashkë me relacionin shpjegues.
Më 22 korrik 2020, nën ethet e pandemisë Covid19, qeveria shqiptare miratoi përfundimisht planin e ri të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Plani i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) me konsulencë nga kompania britanike “Prince & Pearce” kishte rezultuar me sukses.
“Dhënia e trashëgimisë kulturore të huajve bëhet në zona të rrezikuara, në zona lufte si Siria etj. Apo në vende shumë problematike të Afrikës. Nuk mendoj që ne jemi në këto kushte që të kemi luksin dhe mundësinë t’ua japim Butrintin të huajve kur Shqipëria ka rreth 100 vjet që ka një eksperiencë në arkeologji, në trashëgimi, në menaxhim.”, argumentonte Tare muaj më parë, duke mos mohuar nevojën e një vizioni të ri të menaxhimit të trashëgimisë, megjithëse sipas tij nuk është kjo mënyra e duhur.
Sipas Tares krijimi i një strukture private jashtë kontekstit publik që administron qendrën tonë më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore është rast i paprecedent në Europë. “Shteti është ai që përgjigjet për patrimoninë kulturore. Pse? Sepse ti mund të japësh një port, një rrugë me koncesion por për trashëgiminë kulturore është shumë sensitive.”, theksonte Tare.
Asokohe Tare tregonte që i gjithë procesi ishte në konflikt interesi, sepse procedura kishte nisur që me ligjin. “Kemi një ligj që është financuar nga AADF-ja për të krijuar premisat që vetë AADF-ja të financojë një plan menaxhimi, që ky plan menaxhimi të thotë që t’i jepet Butrinti një fondacioni, pra AADF-së”, nënvizonte Tare.
Por bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit Martin Mata e mohonte marrjen me koncesion të Butrintit. “Fondacioni shqiptaro- amerikan nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë në qëllimin e vet as privatizimin, as marrjen me koncesion dhe as administrimin e Parkut të Butrintit. Nuk është interes i veçantë te parku i Butrintit, portofoli i fondacionit janë rreth 40 milionë dollarë që në 10 vitet e fundit ka hedhur në përmirësim, ruajtje dhe zhvillim të vlerave të trashëgimive.”, thoshte ai për ABC News.
Sipas tij do të krijohet “një njësi administrimi, mund ta quajmë fondacion u takon ligjvënësve ta quajnë si të duan”. “Nuk ka tjetërsim, parku është i shtetit shqiptar. Në dy plane, ne do të japim para, miliona dollarë, për 5 vitet e ardhshme. Plani i menaxhimit thotë dicka, ka brenda edhe një plan biznesi. Butrinti ka nevojë për 7 milionë dollarë. Në dijeninë time tani gjeneron 500 mijë dollarë. Të ardhurat nga biletat nuk mjaftojnë për mirëmbajtjen. Detyra jonë është që ne duam dhe mund të ndihmojmë me fonde dhe këto do të monitorohen dhe do të ekzekutohen në atë që është rënë dakord. Ne do të kemi prezencën tonë për t’u siguruar se këto para harxhohen për këtë dhe jo për gjë tjetër”. Punonjësit që do të jenë pjesë e fondit të menaxhimit do të varen nga kjo njësi që do të krijohet.”, shpjegonte Mata.
Punët e AADF-së me Bashkinë Tiranë
Po pse është ngritur kjo vorbull shqetësimi kur në fakt u dashka një vizion i ri menaxhimi dhe AADF-ja siguron se nuk paska vend për koncesion? Ku fle lepuri?!
Deri më tani dy janë shqetësimet kryesore:
- Shqetësimi i përdorimit të pasurisë sonë kombëtare për interesa klienteliste.
- Shqetësimi i përdorimit të pasurisë sonë kombëtare për betonizime mbi zona të caktuara rreth e qark.
Le t’i marrim me radhë:
Për AADF-në javë më parë kur diskutohej votimi në kuvend nisi një seri shkrimesh promovuese në medie, ku theksohej edhe fakti se fondacioni financohet nga qeveria amerikane. Po t’i hysh me detaje leximit të planit të menaxhimit të Butrintit vihet re se lihet e hapur mundësia e pranimit të financimit nga truste, fondacione, individë, shoqëri të tjera private etj., madje lihet i hapur edhe partneriteti me palë të treta të jashtme.
AADF-ja është e njohur për punët e saj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Bashkëdrejtuesit Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata janë parë shpesh në inaugurime me z.Veliaj lidhur me Pazarin e Ri dhe projektin që është duke u zhvilluar, Piramidën në Tiranë.
Mirëpo bashkëpunimi Sarapuli-Veliaj-Mata është zyrtarizuar edhe në biznes. “Crimson Finance Fund Albania” është kompania që i lidh. AADF-ja ka 32.02% aksione dhe Bashkia e Tiranës 25.68%. “Crimson Finance Fund Albania” jep të gjitha format e kredidhënies përfshirë kredi, qira financiare etj.
“Pika e vogël” e Gjiknurit
Ndryshimet e hartës së mbrojtur në Butrint kanë ndodhur më herët por së fundmi është bërë e prekshme për publikun një rast debati në Kuvend, mbi “pikën e vogël të Gjiknurit”.
Në interperlancën e deputetit Agron Shehaj me ministren e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro u denoncua “pika e vogël” në Butrint e përfituar nga të afërm të Damian Gjiknurit që do shndërrohet në një resort 28 milionë euro.
Ministrja Mirela Kumbaro në justifikimin që i bëri ndryshimit të hartës së zonës së mbrojtur të Butrintit tha se hapësira e dhënë për ndërtimin e resortit, nga konsorciumi “Alb Star dhe Andi Sh.p.k” me këtë të fundit pronar Andi Gjiknuri i afërm i ish-ministrit të Infrastrukturës, është vetëm një “pikë e vogël” në hartë.
Pika e vogël në hartë sipas fotos së zbuluar në Kuvend nga deputeti demokrat Shehaj ishte një gji në det ku do ndërtohet projekti “Manastir Resort” teksa deputeti iu drejtua Kumbaros:
“Alb Star” 100 milionë euro tendera në infrastrukturë. A ishit në dijeni ju ministre se pas resortit fshiheshin të afërm të sekretarit të Përgjithshëm, të PS, Gjiknuri. A keni pasur komunikim për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Kjo leje ndërtimi fakton qartë se kush qëndron në të vërtetë pas resortit në Butrint. Është kompania AlbStar dhe kompania Andi shpk.K jo e dyta zotërohet nga Andi Gjiknuri, i afërm i ish-Ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri!”
Në lojë dhe Driloni e Tushemishti
Në fund të qershorit u fut zyrtarisht në lojë edhe Driloni me Tushemishtin. AADF-ja do të marrë në menaxhim pas Butrintit një tjetër zonë, Drilonin dhe Tushemishtin që ashtu si Butrinti janë më të rëndësishmet në vend. Që prej 2018-ës qeveria Rama nisi punën kur ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtonte Damian Gjiknuri, për ta finalizuar planin e detajtuar muaj më pas, plan që u hartua nga studio PROAP.Nisma-Drilon-TushemishtDownloadPROJEKTIPROAPDownload
Aktivistët kanë ngritur zërin e tyre kundër këtij projekti. “I bëj thirrje Fondit Amerikan të mos bëhet pis flamuri amerikan me maskarallëqe dhe korrupsionin e tyre që e kanë bërë në shumë e shumë projekte në Shqipëri. Dhe i kujtoj Majkëll Granof, pronarit të Fondit Amerikan. Reputacioni i tij sot do fillojë të bëhet pis, edhe në Shqipëri edhe në Amerikë.”, reagoi ditë më parë Altin Goxhaj.
Ambasadorja amerikane në Tiranë zonja Yuri Kim u sigurua t’i dilte në mbrojtje AADF-së, duke thënë se që prej krijimit në 2009 nuk ka synuar asnjëherë shfrytëzim për fitim.
“Nuk ka qenë kurrë për fitim apo shfrytëzim. AADF u krijua në vitin 2009 me mbështetjen e USAID-it për të zhvilluar sektorin privat dhe demokracinë e qëndrueshme në Shqipëri. Që atëherë, AADF ka angazhuar 100 milionë dollarë në 70 projekte në Shqipëri, duke krijuar mbi 6000 vende pune dhe duke tërhequr 300 milion dollarë nga investitorë të tjerë”, reagonte Kim.
Dilema të mëdha ka shtruar para shqiptarëve kjo formë e re e menaxhimit të pasurive të tyre kombëtare. A i ka hedhur AADF-ja tjetërkund “kthetrat”, përveç Butrintit, Drilonit dhe Tushemishtit duke kërkuar bekimin e të vetëshpallurit “kryenegociator” të menaxhimit të pasurive kombëtare, z.Edi Rama?!