Radar
21 mijë aplikime, më pak kërkesa për shkollat e larta. 10 mijë maturantë ikin jashtë
Mbi 21 mijë maturantë kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri. Pas mbylljes së procesit të përzgjedhjes së degëve në formularin A2, ekspertë në Ministrinë e Arsimit tregojnë se cilat janë programet më të preferuara nga të rinjtë. Mjekësia, farmacia, stomatologjia dhe degët e tjera të Universiteteve të Mjekësisë zënë vendin e parë në preferencat e maturantëve të këtij viti. Në vend të dytë janë programet e fakulteteve të ekonomisë me një diferencë të ngushtë nga degët e teknologjisë së informacionit. Këtë vit bie kërkesa më e ulët për drejtësinë, e cila është në vend të katërt në preferencat e të rinjve.
Tashmë universitetet publike dhe private, kanë nisur përllogaritjen e pikëve për çdo kandidat, referuar rezultateve të gjimnazit, notave të Maturës Shtetërore dhe kritereve të vendosura nga shkollat e larta për çdo program studimi.
Më 30 gusht, universitetet shpallin listën e fituesve përmes portalit-u Albania, për të nisur më pas procesin e regjistrimit në shkollat e larta, sipas raundeve të ndryshme që mundësojnë lëvizjen e listës.
Ajo që bie në sy, këtë vit, është numri i ulët i kandidatëve për universitet shqiptare, rreth 21 mijë aplikues nga 31 mijë që është numri i maturantëve të këtij brezi. Ndërkohë që në shifrën e aplikuesve janë përfshirë edhe maturantët nga Kosova, të cilët sivjet hyjnë në garë të barabartë me të rinjtë nga Shqipëria. Ndërkohë burime nga ministria e Arsimit tregojnë për A2 se mbi 10 mijë maturantë nga Shqipëria këtë vit kanë aplikuar për të studiuar në universitete jashtë vendit.