Mix
Si ndikon alkoli në trupin tuaj gjatë vapës
Si ndikon alkooli në trupin tuaj gjatë vapës
Për të mposhtur vapën shumë prej nesh na ndodh shpesh që të shkojmë në dyqanin apo lokalin më të afërt për të marrë një birrë apo një pije të ftohtë.
Ndërkohë që kjo ide duket perfekte për të shuar etjen për momentin, ka shumë mundësi që të pendoheni shumë shpejt, pasi vapa dhe alkooli janë një koktej i rrezikshëm.
A keni menduar ndonjëherë se çfarë ndodh me trupin tuaj kur pini alkool në vapë dhe pse është i rrezikshëm? Le të shohim rreziqet që merrni kur konsumoni alkool në vapë:
Dehidratim- Pirja e tepërt e birrës apo pijeve me alkool mund të çojnë në dehidratim. Dhe dehidrimi mund të çojë në konfuzion, letargji dhe probleme me frymëmarrjen, por dhe rrahje të shpeshta të zemrës.
Goditje nga nxehtësia dhe lodhja- Zakonisht djersa që prodhojmë kur nxehemi na mban të freskët. Megjithatë, në ditët jashtëzakonisht të nxehta ose kur sforcohemi shumë, ky sistem mund të dështojë dhe temperatura e trupit mund të fillojë të rritet në nivele të rrezikshme. Pirja në vapë mund të rrisë temperaturën tuaj bazë, gjë që mund të çojë në goditje nga nxehtësia ose lodhje.
Organet e brendshme- Birrat që pini në plazh këtë fundjavë do të ndikojnë në trurin, mëlçinë, stomakun, zorrën e trashë dhe zemrën. Prandaj do të bënit mirë që të përmbaheni nga alkooli nëse vlerësoni organet tuaja të brendshme.
Koha më e keqe dhe më e mirë për të pirë një pije
Pirja kur nxehtësia është më pak e fortë është një veprim i mençur, kështu që mbushni gotën kur dielli të fillojë të perëndojë. Në çdo rast shmangni pirjen e alkoolit ndërmjet orës 12.00 dhe 15.00 pasdite, pasi ajo është koha më e nxehta e ditës.
Për të shmangur këputjen pas një gote alkool, këshillohet që të pihen dy gota ujë. Nga ana tjetër sigurohuni që të qëndroni në hije dhe në freski.
Edhe të nesërmen duhet të pini sa më shumë ujë dhe lëngje të freskëta, për ta pasur trupin tuaj në gjendjen më optimale të mundshme. Hani një banane ose kivi për kalium për të zëvendësuar mineralet e humbura.