Mix
A është normale që nuk dua të kem fëmijë? Qartësohet njëherë e mirë kjo temë
Ndoshta sepse nuk je gati për të pasur fëmijë, sepse nuk e shikon veten në rolin e nënës. Ose mbase thjesht dëshiron të kesh ende lirinë tënde. Gjithsecila ka motivet e veta personale. Megjithatë, një grua që ka zgjedhur të mos bëjë fëmijë, ende paragjykohet.
Mjafton vetëm të kujtojmë presionet që i bëhet grave si Cameron Diaz dhe Jennifer Aniston, të cilat shpeshherë akuzohen si më pak gra, meqë kanë zgjedhur karrierën përpara të bërit nënë.
Në gjithë këtë histori, një gjë është e sigurt: asnjëherë nuk gjykohen e as nuk lodhen duke u justifikuar burrat që zgjedhin të mos bëhen baba.
Për këtë temë delikate, ka dhënë mendimin e saj Maria Claudia Biscione, psikoterapiste dhe seksologe.
Përse nuk duhet të ndiheni fajtore kur nuk doni të bëni fëmijë?
Se është e gjithë e drejta jote ta jetosh jetën si të duash, si t`i investosh energjitë e tua, e ç`ambicie do kesh. E nëse në dëshirat e tua nuk është amësia, atëherë nuk ke përse e vret mendjen se ç`thonë të tjerët, qofshin këta edhe familjarët e tu.
Si t`i ndalosh pritshmëritë e të tjerëve?
Më e mira është të qartësosh së pari veten. Ta bindësh veten se realisht nuk dëshiron të kesh fëmijë dhe kështu nuk do lësh hapësira që të tjerët të komentojnë.
Si t`i përballosh gjithë kritikat?
Gratë që nuk duan fëmijë, automatikisht konsiderohen egoiste. Ideja është që e gjithë shoqëria duhet të pranojë se të pasurit një fëmijë nuk përcakton as identitetin dhe as respektin për një njeri. Të pasurit domosdoshmërisht fëmijë nuk mund të jetë i vetmi qëllim i jetës. Ka nëna të stresuara, ashtu siç ka dhe gra pa fëmijë po aq të stresuara. Sepse lumturia nuk varet vetëm nga një aspekt i jetës. Nëse ndihesh mirë me veten dhe e trajton veten mirë, edhe të tjerët do mësojnë prej teje dhe do të të trajtojnë po njësoj, me apo pa fëmijë.