Letersi
Poemë satirike nga Uran Kostreci: EPOPEJA E KARKALECEVE
Sheep control
nga Uran Kostreci
U mbush dynjaja
Me karkalecë
Ka mall njeriu
Përdhe të ecë
Kërcejnë përpjetë
Të çajn’ turijtë
Lëvrijnë sheshit
Më keq se minjtë!
Ca barkjeshile
Kok’ kuqalashe
Me bri’ në ballë
Me kemb’ si mashë…
Roiten sheshit
Plot zhurmë e bujë
Duke përhapur
Panik, rrëmujë.
Kur karkaleci
Manovrat nisi
Xhungëlsafia
I degëdisi
Për te kojshiu
Një dy bajlozë
Druzhe Mipocin
Dhe Martallozë
Si “delegacia”
Atje në mal
Por me detyrë
Mision- special!
I pret bajlozët
Enbaxhuzeja
Me uniformë
E çizme t’reja
Në gjoks i frynë
E vithie trash’
As femër, as mashkull
Për bylykbash
Bajlozët miq,
Sa prezantuan
Të gjithë shtabi
E kritikuan:
“Qysh bët’ ju mbledhje
Për bashkëpunim
Tok ne shqiponjat!
Ç’qe ky gabim!
Nga druzhe Tata
Urgjent kërkohet
Që mbledhje mufka
Të anullohet!”
Marshallah lufta
Filloi së mbari
Enbazhuzeja
Ish komandanti
Ky pasi frenat
Mbërtheu në dorë,
Shqiponjat shpalli
Si tradhëtorë!
Sepse për neve
Është’ e beteri
Armik shqiponja
E jo sqifteri!
Sqifterat pakëz…
Do t’i nangasim
Që shkak të kemi
E goj, të flasim,
Se për ta gjoja
I ndezëm zjarret
Ama shqiponja…
Do qitur faret!
“Zere me popla”
Goxha gazetë
Përhapte lajmin
Poshtë e përpjetë:
“Pa shih shqiponja
Si na krekoset
Për luftë gjoja
Po armatoset.
Na e mban veten
Për zog fisnik
Por për beteja
Na paska frikë!
“Në djall shqiponja
E tarikati
Për karkalecin
Ka ardh’… sahati!
“E kot nuk flasim
Të gjithë ta dinë
Se neve kemi
Goxha doktrinë:
“Bash kërmanizmin
Një teori,
Që vjen nga… kërmë
Dhe nga mani!
‘Që nuk njeh skamje
Fukarallëk
Por vetëm festë
Qejf’ e Bollëk!
“Vet’ Morrkesula
Për të ka shkruar
Alamet veprash
Që jan’ botuar
“Ndër’to m’e madhja
Është “KAPISTALLI”
Që se mbaroi
Dot për se gjalli.
Por shpiku mendim
Sokakllafizëm
Një shkall’ – pa vajtur
Në Kermanizëm”.
Jep- merr shqiponja
Me përgjërim:
“Vëllezër, mosni
Jeni gabim.
“Sot karkaleci,
Ju flet në erë
Por nesër sytë
Ka për t’u nxjerrë
“Sokakllafizmi
Ësht’ llaf sokaku
Dhe karmanizmi
… Sistem bataku!
“Pa Azhuzeja
Po t’dëshëroje
Vërtet pushtuesin
Që ta luftoje
“Bujrum ti biem
Ai dhe në
Jo përë… këtu!
E përë… atje!”
Po Axhuzeja
Me grusht kanoset,
Nxjerr jargë e shkumë
E bardalloset:
“Ne do të bëjmë
Ç’ka nuk është bërë
Se do të habitet
Një botë e tërë…
“Regjimi ynë
Do jet’ m’i miri
Do han’ të gjithë
Me lug’ floriri!
“Zengjin s’do ketë
As varfanjak,
As ti më shumë
As un’ më pak!
“Do sjellim qumësht
Me rubinetë…
Saherë të pihet
Shko e pi vetë
Sa her’ të hahet
Një gjell’ e mirë:
Byrek e qofte
A ëmbëlsirë.
“Mos luaj vendit
Aty ku je:
Fët… shtyp një sustë,
Hazer e ke!
“Krejt me koment
More jahu’
“Xherr… bjeri ziles:
Të vjen këtu!”
Premtime dite
Premtime nate…
Miletit mendja
Ju bë sallatë!
Ca plaka tremben,
I ha marazi
Se mos po vdesin
Më par’ nga gazi!
Thon’: -Kur do vemi!?
Po qysh do hamë?
është’ larg akoma?
-Ja… ja.. ku vamë!”
U mbush dynjaja
Me karkaleca
Ka mall … njeriu
Përdhe të ecë!
Kërcejnë përpjetë
Të çajn’ turinjtë,
Lëvrijnë sheshit
Më keq se minjtë.
Ca si majmunë,
Ca si gomerë,
Si derr me feçkë
Disa të tjerë…
Po e vërteta,
Ama do thënë
Se pat dhe njerëz
Mjaft për të qenë
Të rinj të zjarrtë
E të shkolluar
Nga heroizma
Të frymëzuar
Që lanë librat
E muar malin
Veç për të drejtën
Për idealin.
Por kur të shohin
Ata qyqarë
Në çfar’ bataku
Jan’ duke shkare:
Ca vrasin veten;
Ca degëdisen
Ca vet’ prej shokëve
Do dyfeqisen.
Dhe ca damkosur
Si tradhëtarë
Do kalben burgjesh
Do hiqen zvarrë!…
Po edhe ata
Që në mal’ zvanë,
Për Azhuzenë
E derdh’ paranë.
Insekti i hurit
E i litarit
U hodh të gjithëve
Trutë e gomarit!
Veç Azhuzenë
Nga pas e ndjekin
Dhe për mbi ballë
Një… grusht përpjekin
Ky me sa duket
Është ishareti
Se shpejt do bëhet
Në bot’… qameti.
Enbazhureja
Trim komandar
Nga vrima dolli
Si… flamurtar!
Dhe kapardiset
Me brir’ helmete
Kalon revistë
Gjall’… Marsi vete!
Plas brohoria
E fishekzjarre
Flet Azhuzeja
Pa letër fare;
“E ardhme e lumtur
O shokë’ ju pret
Çdo gjë që shihni
Ju u përket!”
Shpejt karkalecët
“Reforma” nisin
Ku gjejnë depo
I boshatisin
Kallaballëku
Nga kjo fushatë
U bartëtisën
Mben’ me të thatë!
Nëpër pallatet
E mbetur bosh
Ku njerëzia
U qitën… osh!
Tash karkaleca
Aty bëjn’ pallë…
Me nipër, mbesa
Me teze e hallë!
Kësmet i tyre
Flen mbi karjolle
Dyshek me pupla
Çarçafe të hollë
Në bulevarde
E nëpër pjaca
Sheh karkalecë
Zenë “allabraca”
Me rroba vishen
I blejnë pa lekë
Me borsalina,
Bastun, qostekë…
Dhe karkalecat
Na mbajn’ myhyre,
Bëjn’ tualete,
Ven’ manikyre
Pra karkalecat
Civilizohen
Tamam si njerëz
Po prezantohen…
Ja karkalecja
Maj penxheresë
Në bulevard
Përposh së resë,
I lëshon zë;
“Lulush, më qafsh
Më bli ndë… mapo
Çorap mëndafsh”!
Nusja me çantë
Me përmanent
Që flet dhe fjalën
“Eveniment”…
Që porsi stapka
I ka kërcinjtë
Dhe qenka boshë
E varen gjinjtë…
Si karkaleckë
Na drithërohet!
Shpejt me ullatkë
Paksa freskohet
Pastaj e nxjerr, gjuhën një kut
Dhe i thotë vjehrrës:
Të ble një m…
“Zere me Popla”
Organ serioz
Shan “Druzhe Tata
Ësht’ lapanjoz
Na bëri naftën
Na lanë shëndenë
Po shyqyr kemi
Exnbazhuzenë
“Dhe mik për kokë
Bash sëkëlldinë
Që ka në krye
Car Staplajthinë!”
Por s’vonoi shumë
Pllakosi zia
U dha mandata:
Vdiq Staplajthia!
Ç’është kjo mynxyrë!
Ç’është kjo hata!
Qan karkaleci
Mbet pa baba!…
Merhumit vendin
Ja zu menjëherë
Can Hasharija
Larash i ndjerë
Shulak nga shtati
me goxha mullë
Dhe pak si qose
Dhe kokë tullë
Për gojë embël
E i sajdisur
Që flet… qyfyre
Për tu kandisur
Car hasharia
Qeros dinak
Fshiu brenda plehrat
Pak e nga pak
Sheh Axhuzeja
Çarkun e ngritur
Fillon shan qerosen
Ai i habitur
E quan klloun
Deviator,
Dhe renegat
Dhe tradhëtar.
Ky “aleatin”
Që… i dul dore
E shau “Judë”
Dhe… “nevojtore”!
Afroi behari
Po shkrin bora
Fillojnë e dalin
Kafshët e gjora.
Kullotin rrotull
Cik nga një çikë
Se ndjejnë zhurmë
Fshihen me frikë
Qysh nga “në format”
Tmerruar janë
S’din ku të futen
Mos gjejn’ belanë…
Ahere doli
Enbaxhereja
Me borsalinë
E rrobat e reja
Me ton të butë
Javash me qokë
Qafosi embël:
Të dashur shokë!
Pse mos punojmë
Gjith bashkarisht
Dhe ham e pimë
Vëllazërisht?
S’ka rrezik fare
Për abuzime
Racion me peshë
I’ ndarë me qime
Do jenë depot
Plot e përplot
Haj sa të duash
Veç e dot
Nga këto llafe
Mjalt e sheqer
Miletin tekun
Ha dhe njëherë
Ca fillimisht
Sikur nguruan
Po deshën s’deshën
U dorëzuan.
U bënë urime
U ngrit dollia
U shpik së fundi
Dhe… bashkësia
E ja ku del
Në punë një ditë
Kallaballëku
Vargan si dhitë
E kur argatët
Nga puna kthenin
Ç’ka patën mbledhur
Depos ja lenim
Vetë bark jeshilet
Pastaj u ndanin
“Sa një sy mize
Racion që hanin”
Ca prej urie
Po bënin naze
Nga puna e rëndë
Duallën avaze
Mirëpo sakaqë
Do karkalecë
I detyruan
Ata mistrecë
Të ulnin kokën
Të bënin punë
Në mos po ndryshe
Ta vinin drunë
Sa bark jeshilët
Janë shumë të mirë
Po duan bindje
Dhe urtësirë
Sa po llafosnin
Pësh, pësh dy veta
Shpejt karkalecët
Me dy tri çeta
Si re e shiut
Aty pllakosnin
Të nxirrnin sytë
Të handakosnin
E si të t’zinin
Dyqind shejtanë
Osht të zvarrisnin
Për në Hapsanë?
Dhe kur Hafije
Gjekundi s’kishte
Të bënin sytë
Se aty ishte
U hoq besimi
U hap paniku
As miku njihej
Më, as armiku!
Sot karkaleci
Që lart në kodër
Dha sihariqin
Me dajre lodër:
Ne filluam
Me miqtë të ndritur
Me kalë qyqen
Shalë shkalafitur
Bëmë aleanca
Të fortë, andaj
Erth’ prijësi i tyre
Sot, Kaf Kuf Çaj
Enhaxhyseja
Rreth atij miku
Këndon e hidhet
Si top llastiku
Rroftë Kaf Kuf Çaj
Mik e baba
Që tri pash emrin
Të gjatë e ka
Jo hashari
Por Kaf Kuf Çaj
Të mbushet goja
O mir vëllai
Nga gazi miku
Bëhen reforma
Punë vullnetare
Dhe ngrihen norma
Në vend të lekut
Merr medalione
Flamurka, yllka
Emulacione
Turma mbledh grushtet
Dhëmbët kërcet
Punon gjithë ditën
Ofshan e s’flet
E fill mbas pune
Mbas gjithë sikletit
I bën dhe festë
Axhusë mbretit
Mileti i gjorë
Të erdhën mendë
Tash po çi do
Si han as qentë
Haj fshikuj i shpinës
E thaj kënetë
Bjeri dhe lodrës
Me barkun petë
Po thupra s’ndihet
Se bie dajreja
Dajak dhe festë
Rroftë Azhuzeja
Gojë më gojë
Përhapet llafi
Do hiqet çallma
E kamillafi
Trim karkaleci
Që mban fjalimin
Nuk pret nga turma
Ta marrë vendimin
Por pyet: Në ka
Ndonjë që thotë
Se feja duhet
Të jetë në botë,
‘Pse s’del ky gjarpër
Lubi, lugat?
Pse s’del t’ja shohim
Atë surrat?
Se me të dorën
Nuk do e ndyjë
Asnjë, por masa
Le ta pështyjë
Masa mbledh grushtat
Dhembët kërcet
Ul kokën, struket
Ofshan e s’flet
Rrëzohen tyrbet
E minaretë
Xhami e kisha
Me këmb’ përpjetë
Mom’ Zerzeleja
Duke u dridhur
Nga qielli ndjesë
Lyp duarlidhur:
Zot nxirrmi sytë
Zot më shurdho
As të ndjej dua
E as të shoh
Pastaj përlotur
Me turmën shan:
Ti hiqet feja
Se feja s’ban
Ja prap lodrës
I bie kasneci
Dhe lajmëron
Se karkaleci
Do të thjeshtojë
Program me shkollë
Ti biet shkurtas
Të pritet hollë
S’na duhen neve
Filozofira
Literaturë
Dhe historira
Përshembull foshnjës
I do mësuar
Qysh Haxhuzeja
Dje ka luftuar
Pastaj shkollari
Me pun’ të rritet
Të hap’ qilizmë
Që të stërvitet
Në është i vogël
Paçka mësohet
Se fundja buka
Pa mund s’fitohet
I duhet shkulur
Paragjykimi
Për të shijuar
Një çast gëzimi
Bajram e pashkë
E plot ngatërresa
Gosti e saze
Nëpër martesa
Pse nuk po ngulet
Koncepti i ri
Se angaria
Është nder lavdi
Urdhër: Gra, plaka
Qorre sakate
Memece shurdhe
Hem’ ditë hem’ natë
Kanal të çelin
Të bëjnë dritë
Të venë në punë
Në punë të gjithë
Enaxhuzeja
Gjith tru e mend
Për të bërë ligje
Thërret kuvend
Ky zhgan juristësh
Kuvend sovran
Kur flet dervishi
Veç iso mban
Fill mbas çdo neni
Amin thërret
Asnjë klauzolë
Gabim s’e qet
Enaxhuzeja
Megjithë suitë
Kudo fjalime
Mban ditë për ditë
E në çdo rast
Punë e pa punë
Mburret me mikun
Në filifistunë
Është’ miku im
Ai Kaf Kuf Çaj
Le të më ngasë
Kush pop t’ja mbaj
Si kal qyqja
Nuk gjen gjëkundi
S’ka perëndi
Atë ta mundi
Po a ra m’sysh
A ngradisi
Me Kalëqyqen
Miqësia… krisi
Enhaxhuzeja
Farmak si shlliga
Shpertheu inatin
Me fjal’të liga
“Na përmor Tata
Na dhjeu Qerosi
Tash Kaf Kuf Çaj
Na menderosi…
Ku vamë u mpleksëm
Djalli ta hajë…
Në Filifistun
Me Kaf Kuf Çaj.
“Qe pa sheqer
Pi çaj në vap
Dhe llapë orizin
E ha me stap?
“Hy… Def u bëftë
N’Filifistun
Shafran milet
Surrat majmun!
Për ters u kthye
E fatit rrota
Se karkalecët
Filloi, gjithë bota
Në loj’ ti verë
T’i telendisë
Me turli fjalësh
T’i gomarisë
Enazhuzeja
Më shum’ se kurrë
Në ato çaste
Qëndroi si burrë!
Pastaj ja nisi
Bre smë të sharë
Soj sorollop
Gjith botën mbarë
Nga themelia
Gjer maj’ çatis
Ç’i mbante brenda
Pragu i shtëpisë
Dhe në duel
Botën e ftoi
Por kjo si duket
U tremb s’pranoi
Sot ra daullja
U ça zurnaja,
Shungulloi ajri
U shkul dynjaja
“Ky karkaleci
Prap’ do jet’ pleksur
Me miq” – than njerzit
E.. pa u feksue,
Sikush për mikun:”]
Urim t’i japë
Nxiton sa prishur
Me të s’është prapë
Kallaballëku
Në rrugë shtohet..
Pyesin shoshoqin
Nuk i durohet
“Ky është i vjetër
Mik a i vonë?
Ku djall e gjeti?
Emrin ç’ju thonë?
“Tash prap do lehur,
Do shfaqur gazi
Firoma s’kemi
Na dhemb gurmazi
“Le po na duhet
Frym’ për të sharë
Mikun që patëm
Një javë më parë
Por zhurma shuhet
Se maj’ ballkoni
Kërceu e hipi
Te mikrofoni
Një karkalec
Trup shapullitur]
Jeshil e buzësh
I jargavitur
Turma e priti
Me brohori
“… rroftë Haxhuzeja
Dhe miku i ri!”
Por karkaleci
Me zë të mprehtë
S’na duhen miqtë,
Tha, – jemi vetë.
“Nuk na zë malli
Për rockodane
Nevojë s’kemi
Ne, ata kanë
“Ne kemi prijës
Enazhuzanë
Një filozof
Që ndriti dhenë”
Jehona e fjalës
Nuk qe fashitur
Kur turma klithi
Si e bubitur
O lum o lum
Të lumit ne
Por filozofin
Enaxhuze!
Trim barkjeshili
Lart në ballkon
Sa merr fund zhurma
Me ovacion
Me tjerë libra,
Thotë, mos rropati
Se dija e botës
Këtu është gati
Dhe fësht… e nxjerr
Që ndënë sqetull
Alamet libri
Si koqe pezull
Me ngjyrë të kuqe
Veshur kapaku
Për qejf i lidhur
Ta zë… meraku
Njerëzit e hapin
Siç i ka hije
Por sa lexojnë…
Zalija u bie
Më dysh palosen
Qeshin, gajasen
E me shoshoqin
Si qorr përplasen
Ky paska rjedhur
Pa shi se ç’thotë
Si ne nuk paska
Më mir në botë
Qyqja kërthiza
Gajas një grua
Vertetë e thotë
A qesh me mua?
Ndër ne veç paska
Thotë barazi
Lexon e shkrihet
Një djalë i ri
Ca aq gajasen
Sa shpirt ment japin
Si peshk pa ujë
Veç gojën hapin
Me uj’ kur ngjallen
Nja dy të mekur
Sa panë librin
Top… ranë të vdekur!
Një qesh sa barkun
E mban me dorë
Jep… jep e bullkat
Heq… a përmor!
Lart oratori
Jeshil vranuz
Vazhdon fjalimin
E gjatë tërkuzë
Ky libër i madh
Ka si qëllim
Revolucionin
Në bot’ zbatim
“-Hi! – Hi! qesh turma
Ho! Ho! Ha! Ha
Dashka dhe botën
Ta bëj si na
Dhe libri i madh
Që dheu se nxë
Shkon fletë fletë
Drejt në WC
Epilog
Midis pranverës
Tetëdhjetë e pesë
Ju nda firoma
Enhazhuzesë.
O çfarë mënxyre!
Vdiq dervish Mbreti…
O kuje zezë
Ku-ku ç’na gjeti
Qysh u vithis
U shemb e ra
Gjith ai div
Si katana
Symbyllë i verdhë
Meit shafran
Me kostum veshur
E me kaftan
E sipër lule
Që qejf i kishte’
Kur ja dhuronin]
I ngjall sa ishte!
Tash kujt t’ja hedhim
Çupat e shkreta
Lart në tribunë
Ato buqeta?
Kush paskëtaj
Do ti qafojë
T’i jargavitë
Pllaq-plluq në gojë
U bje zilja
I kap siniri
Për Azxhuzane
Bandill m’i miri
Për cilin turma
Tash do punojë
Do hedh valle
Parakalojë?
Kush ndër ballkone
Podjume pjaca
A mes, fshatrave
Lart në tarraca
Do ta trajtojë
Problemin thellë
Që është patatja
Hem bukë hem gjellë?
Kush do të thotë
Se bima dheu’
Ka dobi shumë
Nga glasa e plehu
Kush në aksione
Tani rininë
Ka për ta nisur
Si bagëtinë?
Të çel’ taraca
Të thaj batak
Me shami hundësh
Në qafë si lak
Sa i desh njerëzit
Dervishi i gjorë
I piqej buza
Për punëtor
I mblidheshin lotët
Lëmsh, psherëtinte
Kur për puntorin
Dollinë e ngrinte
Me fund e kthente
I dhimbsej masa
Sa i kish hije
Kur thoshte “kllasa”
Qajn karkalecët
’të zestë ne
Qysh do jetojmë
Pa Axhuze?!
O kujë e zezë
Ka-Ku ç’na gjeti
Pas berihait
Qan… dhe mileti
Qan dhe mileti
Veshur me thes
Që luste Zotin
Kur po na vdes.