Kryesore
Projekt-rezolutat për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë/ Felaj: Sjellje hipokrite nga opozita! Janë instrumente për t’i rënë ndesh “Ballkanit të Hapur”
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj i ka cilësuar projektrezolutat e propozuara nga opozita për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, si një instrument për t’i rënë ndesh Ballkanit të Hapur.
E ftuar në emisionin “Open” në News24, Felaj tha se kërkesat e opozitës në vetvete janë hipokrite, pasi në fund nuk synojnë atë që përshkruhet në dokumente.
“Unë ju referova rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe detyrën e kryetares për të vendosur për këto projektrezoluta. Meqënëse më kërkohet të mbaj një qëndrim, të them mendimin tim personal. Është bërë si modë që të kërkohen mocione me debat dhe të votohen projektrezoluta të caktuara. Kjo është hipokrite, kjo sjellja është hipokrite. Në fund nuk synon atë që përshkruhet në dokumente.
Ajo synon t’i vijë ndesh një politike që mban mazhoranca, që shkon në drejtim të identifikimit të rrugëve diplomatike që ofrojnë konsensus për të zgjidhur konfliktin më të fundit nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Është konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, për faktin e historisë që është zhvilluar mes këtyre dy vendeve, Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.
Ajo që mund t’ju them që ajo çfarë bën mazhoranca në raport me Kosovën, që prej vitit 2014, jemi duke intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe marrëdhëniet instituicionale, gjë që nuk ka ndodhur përpara 2009-ës. Unë jo më larg se paraditja e sotme, isha në një takim me deputetë, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë në Kosovë, që është një nga komisionet kryesore.
Ajo që na kërkohet ne sot, është të advokojmë për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës, të advokojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është një instrument për t’i rënë ndesh ‘Open Balkan’ sepse dihet botërisht që opozita, dhe këtu janë të gjithë bashkë, janë kundër Open Balkan” – tha Felaj.