Kryesore
Lajthitje e diplomacisë turke
Nga Prof. Dr. Lisen Bashkurti
Nga mediat ndërkombëtare mësuam sot se Ambasada e Turqisë në Kosovë i ka dërgua notë Qeverisë së Kosovës për dënimin e gazetarit Berat Buzhala. Nuk u besova portaleve, por pasi e verifikova pashë që ishte e vërtetë.
“Arsyeja” e kësaj note lidhej me një koment humori të Berat Buzhalës në rrjete sociale për të ashtuquajturin “puç ushtarak” në Turqi, i cili duket se po pasohet me një revansh të vërtetë antidemokratik të ndërmarrë nga Presidenti Erdogan kundër gjithë kundërshtarëve të tij politik.
Ky veprim diplomatik është përpjekje për shtrirjen e dorës së Erdogani si neosulltan kundër mendimit të lirë edhe në Kosovë. Berat Buzhala është ndër analistët më të mirë dhe më korrekt të mediave mbarë shqiptare. Veprimtaria e tij publike në përgjithsi reflekton një intelektual me profesionalitet dhe integritet të lartë.
Mesazhi i Buzhalës në rrjetet sociale është me humor dhe në rrjedhën e miliona mesazheve që bëhen çdo ditë në mbarë botën për lajthitjet e Presidentit Erdogan, Ky i fundit dëshiron të shtrijë fushatën e tij kundër medias së lirë që ka ndërmarrë në paprecedent në punët e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran sic është Republika e Kosovës.
Bazuar në të drejtën ndërkombëtarë të sanksionuar në Kartën e San Franciskos (1945), kapitulli për të drejtat dhe detyrat e shteteve sovrane, një veprim i tillë i ndërmarrë nga diplomacia turke në Kosovë përbën shkelje flagrante të Kartës së OKB.
Veprimi i diplomacisë turke kundër një gazetari me një shtet mik të Turqisë siç është Kosova është edhe një provokim i rëndë në mardhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy popujve dhe dy vendeve.
Me këtë vendim praprecedent të njëanshëm diplomacia turke nuk i shërben aspak ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me respekt të ndërsjelltë dhe interes reciprok midis Kosovës dhe Turqisë.
Me keqardhje e themi, por ky veprim na kujton sjelljen e osmanëve shekuj më parë mbi intelektualët shqiptarë. Por atëherë Kosova dhe mbarë Ballkani ishin pjesë e territoreve të Perandorisë Osmane. Asokohe intelektualet e ndritur shqiptarë dënoheshin në ferman të sulltanit.
Ajo kohë ka ikur për të mbetur histori e për të mos u kthyer më kurrë. Ata liderë në Ankara që duan ta kthejnë prapa historinë, duke u sjellur si osmanli me Kosovën e qytetarët e saj bëhen Don Kishot të kohës tonë.
Ky opinion është shkruar për portalin Sovrani.info.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu