Mix
Mungesa e orgazmës te gratë, shkaqet dhe trajtimi
Përgatiti në shqip për “Shëndet+”: Arlinda Gjypi
Anorgazma është termi mjekësor që i referohet vështirësisë për të arritur orgazmës pas stimulit të vazhdueshëm seksual, duke shkaktuar stres personal. Anorgazma ndodh shpesh dhe prek një numër te konsiderueshem të femrave
Orgazmat variojnë në intensitet dhe femrat variojnë në frekuencën e orgazmave të tyre dhe në sasinë e stimulimit të nevojshëm për të nxitur orgazmën. Në fakt, shumica e femrave nuk kanë gjithmonë orgazma vetëm me penetrim vaginal. Për më tepër, orgazmat shpesh ndryshojnë me moshën, çështjet shëndetësore ose mjekimet që marrin.
Nëse jeni të kënaqur me aktivitetin tuaj seksual, nuk keni pse të shqetësoheni. Sidoqoftë, nëse ju bezdis mungesa e orgazmës ose intensiteti i orgazmave tuaja, flisni me mjekun tuaj lidhur me anorgazmën. Ndryshimet e stilit të jetës dhe terapia seksuale mund t’ju ndihmojnë.
Simptomat
Orgazma është ndjesia e një kënaqësie fizike intense dhe çlirimi tensioni, shoqëruar me kontraktime ritmike të pavullnetshme të muskujve të legenit. Gjithsesi orgazma nuk duket apo ndihet – gjithnjë si në televizor. Mënyra se si ndihet një orgazmë ndryshon nga gruaja në grua dhe në secilën grua mund të ndryshojë nga orgazma në orgazëm.
Si përkufizim, shumica e simptomave të anorgazmës janë paaftësia për të përjetuar orgazmën ose vonesë shumë e madhe për të arritur orgazmën. Por ka lloje të ndryshme të anorgazmës.
Anorgazëm afatgjatë: Kjo nënkupton që nuk keni përjetuar kurrë orgazëm.
Anorgazëm e fituar: nënkupton që dikur përjetonit orgazma, por tashmë keni vështirësi
Anorgazmë situacionale: Nënkupton që jeni të aftë të përjetoni orgazëm vetëm në rrethana të caktuara, si për shembull gjatë seksit oral ose me një partner të caktuar. Shumica e grave nuk arrijnë orgazëm vetëm me penetrim vaginal
Anorgazmë e përgjithshme: Nënkupton që nuk jeni e aftë të përjetoni orgazmën në asnjë situatë dhe me asnjë partner.
Kur të konsultoheni me mjekun
Flisni me mjekun nëse keni pyetje rreth orgazmës ose shqetësime për aftësinë tuaj për të arritur orgazmën. Mund të zbuloni se përvojat tuaja seksuale janë normale. Ose doktori mund t’ju rekomandojë mënyra për të ulur ankthin dhe për të rritur kënaqësinë.
Shkaqet
Pavarësisht se çfarë shihni në media, orgazma nuk është një gjë e thjeshtë dhe e sigurtë. Kulmi i kënaqësisë është zakonisht një reaksion kompleks përkundrejt shumë faktorëve psikologjikë, emocionalë dhe fizikë. Nëse po përjetoni shqetësime në ndonjë nga këto fusha, mund të ndikohet edhe aftësia juaj për orgazmë.
Shkaqet fizike
Një gamë e gjerë sëmundjesh, ndryshimesh fizike dhe mjekimesh mund të ndërhyjnë në orgazëm.
Sëmundjet mjekësore: Çdo sëmundje mund të ndikojë këtë pjesë të ciklit seksual njerëzor, përfshirë diabetin apo sëmundjet neurologjike, si skleroza e shumëfishtë.
Çështjet gjinekologjike: Orgazma mund të ndikohet nga ndërhyrjet kirurgjikale, si histerektomia apo kirurgjia për kancerin. Si rrjedhojë, mungesa e orgazmës shpesh shkon dora-dorës me shqetësime të tjera seksuale, si penetrimi i dhimbshëm ose i parehatshëm.
Mjekimet: Shumë mjekime mund të ndërhyjnë me orgazmën, përfshirë këtu mjekkimet për tensionin e gjakut, antihistaminikët dhe antidepresantë.
Alkooli dhe duhani: Shumë alkool mund të ulë aftësinë tuaj për orgazëm; e njëjta gjë është e vërtetë për duhanin, që kufizon rrjedhjen e gjakut.
Procesi i plakjes: Ndërsa moshoheni, ndryshimet normale në anatominë tuaj, hormonet, sistemin neurologjik dhe të qarkullimit të gjakut, mund të ndikojnë seksualitetin tuaj. Rënia e niveleve të estrogjenit gjatë tranzicionit të menopauzës mund të ulë rrjedhjen e gjakut në vaginë dhe klitor, e cila mund të shtyjë ose të ndalojë plotësisht orgazmën.
Shkaqet psikologjike
Shumë faktorë psikologjikë luajnë një rol në aftësinë tuaj për orgazmë duke përfshirë:
- Problemet shëndetësore psikologjike, si ankthi dhe depresioni
- Vetëperceptimi negativ për trupin
- Stresi dhe presioni financiar
- Besimet kulturore dhe fetare
- Frika për shtatzëni apo infeksione seksualisht të transmetueshme
- Sikleti
- Ndjenja e fajit për përjetimin e kënaqësisë seksuale
- Abuzime të mëparshme seksuale apo emocionale
Çështjet në çift
Shumë çifte që kanë probleme jashtë dhomës së gjumit përjetojnë probleme edhe në krevat. Çështjet e përgjithshme mund të përfshijnë:
- Mungesë lidhjeje me partnerin
- Zënkë apo konflikt i pazgjidhur
- Komunikim i dobët mbi nevojat dhe preferencat seksuale
- Tradhti ose thyerje e besimit
- Dhunë seksuale bashkëshortore
Përgatituni për takimin me mjekun
Nëse gjatë aktivitetit seksual nuk përjetoni kurrë orgazmë ose e përjetoni shumë rrallë dhe kjo ju shkakton stres, atëherë lini takim me mjekun tuaj. Ai mund t’ju ndihmojë të trajtoni problemin që keni ose do t’ju referojë te mjeku përkatës.
Ndoshta mund të ndiheni në siklet të flisni me mjekun për çështjet seksuale, por gjithsesi kjo është më se normale. Mjeku e di shumë mirë që kënaqësia në jetën seksuale është shumë e rëndësishme për mirëqenien e gruas në çdo moshë dhe stad të jetës. Ja disa pyetje që mund t’i bëni doktorit tuaj.
Çfarë po e shkakton vështirësinë time për të përjetuar orgazmën? A kam nevojë për të kryer teste mjekësore? Cilin mjekim rekomandoni? Nëse do të marr ilaçe, a do të kenë efekte anësore? Sa përmirësim mund të pres prej trajtimit? A duhet të bëj ndonjë ndryshim në stilin tim të jetës? A duhet të përfshihet partneri/bashkëshorti im në trajtim? A ka broshura apo materiale që mund t’i lexoj për të marrë informacion lidhur me problemin që kam?
Ndërsa prisni takimin me mjekun, flisni hapur me partnerin për situatën. Vazhdoni aktivitetin seksual dhe eksploroni mënyra të tjera për të qenë intim. Kalojeni vëmendjen nga orgazma në kënaqësitë e marrëdhënies është një strategji e mirë për trajtimin e anorgazmës.
Testet dhe diagnoza
Një vlerësim i mirë i anorgazmës zakonisht konsiston në:
Një histori e detajuar mjekësore: Doktori mund t’ju pyesë për gjithë jetën tuaj seksuale, çështjet kirurgjikale dhe marrëdhënien aktuale. Mos u vini në siklet për të dhënë përgjigjet e sakta. Këto pyetje japin mundësi për të gjetur shkakun e problemit tuaj.
Një ekzaminim fizik: Doktori juaj ndodhsta do të duhet të kryejë një vizitë të përgjithshme për të gjetur shkaqet fizike të anorgazmës, siç mund të jetë një gjendje mjekësore e caktuar. Doktori juaj mund të ekzaminojë edhe zonën gjenitale për të parë ndonjë shkak fizik apo anatomik për mungesën e orgazmës.
Trajtimi mjekësor
Anorgazmia mund të jetë vërtet e vështirë për t’u trajtuar. Plani juaj i trajtimit do të varet nga shkaqet e fshehura, por doktori mund t’ju rekomandojë kombimin më ilaçeve, terapisë si dhe ndryshimeve në stilin e jetës.
Ndryshimet në stilin e jetës dhe terapitë
Kupto trupin tënd: Të kuptosh anatominë e trupit tënd dhe si të pëlqen të të prekin mund të çojë në kënaqësi seksuale. Nëse keni nevojë për një rifreskim të njohurive për anatominë gjenitale, mund të konsultoheni me mjekun tuaj ose të përdorni një pasqyrë për të parë veten.
Rrisni stimulimin seksual: Gratë të cilat nuk kanë përjetuar kurrë orgazmë ndoshta nuk kanë pasur stimulimin e duhur seksual. Shumë gra kanë nevojë për stimulim direkt ose indirekt të klitorisit për ta arritur atë, por shumë nuk e dinë.Ndërrimi i pozicionit seksual mund të çojë në stimulim më të madh të klitorit gjatë penetrimit vaginal; disa pozicione gjithashtu ju lejojnë ju apo partnerit që të prekni butë klitorin gjatë marrëdhënies seksuale.
Këshillim në çift: Konfliktet dhe problemet në marrëdhënie mund të ndikojnë në aftësinë për orgazëm. Një këshillues martesor mund t’ju ndihmojë që të punoni për të ulur problemet dhe tensionet në çift hde për ta kthyer në vijë jetën tuaj seksuale.
Terapia e sjelljes: Kjo terapi tenton të ndryshojë mendimet negative që mund të keni për seksin.
Terapitë e seksit: Terapistët e seksit janë terapistë të specializuar në trajtimin e shqetësimeve seksuale. Ju mund të ndiheni nervozë për t’u konsultuar me një terapist seksi, por këta mjekë janë një ndihmë e madhe për trajtimin e anorgazmisë. Terapitë shpesh përfshijnë edukatën seksuale, ndihmë me aftësitë e komunikimit dhe ushtrime sjelljeje, të cilat ju dhe partneri i provoni në shtëpi.
Trajtimi mjekësor
Terapitë hormonale nuk janë një garanci për trajtimin e anorgazmisë. Por ato mund të ndihmojnë.
Trajtimi i shkaqeve: Nëse një gjendje mjekësore po pengon aftësinë tuaj për të përjetuar orgazmën, trajtimi i shkakut të fshehur mund të zgjidhë problemin tuaj. Ndryshimi apo modifikimi i mjekimeve që dihet se pengojnë orgazmën gjithashtu mund të eliminojë simptomat tuaja.
Terapi me estrogjen për gratë pas menopauzës. Terapia sistemike me estrogjen mund të ketë një efekt në funksionimin e trurit dhe në faktorët e humorit që ndikojnë përgjigjen seksuale. Terapitë lokale me estrogjen mund të rrisin qarkullimin e gjakut në vaginë dhe të ndihmojnë në nxitjen seksuale. Në disa raste, mjeku mund të përshkruajë një kombinim të estrogjenit me progesteronin.
Terapia me testosteron: Testosteroni luan një rol të rëndësishëm në funksionimin seksual femëror, megjithëse në sasi më të vogël. Si rezultat, testosteroni mund të ndihmojë në rritjen e nxitjes seksuale. Gjithsesi, zëvendësimi i testosteronit te gratë nuk është i aprovuar nga FDA për disfunksionin seksual te gratë. Gjithashtu ai mund të shkaktojë efekte anësore negative, duke përfshirë aknet, shtim të qimeve në trup dhe rënie të flokëve. Testosteroni duket më i efektshëm me gratë që kanë nivele të ulët testosteroni si rezultat i ndërhyrjeve kirurgjikale për heqjen e vezoreve. Nëse zgjidhni të përdorni këtë terapi, mjeku duhet të monitorojë shpesh simptomat për t’u siguruar që ju nuk po përjetoni efekte anësore negative.