Letersi
Më mirë fjala akses, qasje apo përqasje …
Adrian Beshaj
Kohët e fundit kam vënë re jo pa njëfarë kënaqësie se disa fjalë të huaja, të hyra kryesisht nga anglishtja në shqipe, kanë filluar të zëvendësohen natyrshëm nga gazetarët, sidomos ata televizivë, dhe folës të ndryshëm në ligjërimin e përditshëm.
Është folur dhe stërfolur, dhe s’është fjala të bëhemi patjetër puristë fanatikë, por le t’i përdorim fjalët e shqipes sonë të pasur atëherë kur nuk është domosdoshmërisht e nevojshme të përdorim fjalët e gjuhëve të huaja, qoftë edhe në ligjërime të ngritura stilistikisht.
Një nga këto fjalë të huaja që po fillon të zëvendësohet gjithnjë e më shpesh, në mënyrë të rrjedhshme dhe pa kurrfarë “stërmundimi” nga gazetarë, politikanë apo shqiptarë të zakonshëm është fjala akses, apo edhe sinonimi i saj që tingullon edhe më e shëmtuar në shqipe, aproç.
Vendin që kjo fjalë e kishte zënë padrejtësisht në ligjërimin formal dhe joformal, po e zë fjala shqipe qasje.
Sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme (Tiranë, 2000) folja qas në shqip do të thotë “sjell më pranë, afroj, pranoj, fus, si edhe largoj apo mënjanoj në një të folme krahinore” dhe në mënyrën e duhur sot po përdoret psh: qasje e drejtë (apo e gabuar) ndaj një çështjeje, një problemi etj. Atëherë pse duhet të përdorim një fjalë të huaj kur kemi tonën që nuk çalon askund në fushën semantike dhe i shpreh të gjitha kuptimet e fjalës së huaj? Është edhe më e papranueshme kur fjala e huaj përdoret vend e pa vend nga shqiptarë të lindur, të rritur dhe banues në Shqipëri.
Mirëpo në këtë kontekst dëgjohet aty-këtu e përdorur gabimisht, duke u pandehur si sinonim i emrit ‘qasje’, edhe fjala shqipe përqasje. Pikërisht edhe kjo qe një nga arsyet e shkrimit të këtyre radhëve.
Po sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme (Tiranë, 2000), folja përqas në shqip do të thotë “krahasoj, ballafaqoj”. Pra, vë përballë njëri-tjetrit dy apo më shumë sende ose frymorë për t’u gjetur atyre ngjashmëritë dhe ndryshimet.
Kështu që përqasje, sipas veprimit të foljes përqas, do të thotë krahasim, ballafaqim, dhe nuk e shpreh kurrsesi veprimin e afrimit, avitjes, futjes. Të paktën gazetarëve s’u kushton asgjë ta shfletojnë herë pas here Fjalorin e Shqipes me qëllim që të mos bien në kurthet e ngjashmërive fonetike të fjalëve me kuptime të ndryshme, si edhe për ta pasuruar më tej fjalorin e tyre vetjak.
Bëjmë shumë mirë, sipas meje, që përdorim fjalën shqipe ‘qasje’ në vend të fjalës së huaj “akses’ apo ‘aproç’, por gabojmë kur përdorim po me këtë kuptim fjalën ‘përqasje’ që do të thotë ‘krahasim, ballafaqim’.
Ne mund t’i qasemi një problemi, por për ta përqasur atë duhet edhe një problem tjetër përballë të parit.
Dikush thotë se janë të bekuar ata që kujdesen për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës së tyre amtare.
Le të jemi të gjithë ne shqiptarët të bekuarit e këtij planeti ku gjallojmë!