Kryesore
Zidane, gjithçka që Benitez nuk ishte ndoshta si Guardiola
Pozitiv, optimist, sharmant dhe karizmatik. Zinedine Zidane është gjithçka që paraardhësi i tij nuk ishte.
Në Madrid “ka dalë” dielli dhe trajneri francez shfaqet besimplotë në daljet para debutimit me Deportive la Coruna.
Ndryshimi është i dukshëm. Benitez shfaqej gjithmonë “si në gjemba” në konferencat e shtypit para çdo ndeshjeje, ku nuk munguan as qortimet dhe thumbimet ndaj yjeve të skuadrës. Pikërisht këto deklarata kanë zemëruar shumë prej futbollistëve, përfshirë këtu Ronaldon, Jese apo James Rodriguez.
Zidane duket se e di këtë dhe të premten foli për rëndësinë e lojtarëve dhe të lojës në grup.
“Detyra ime është që të flas me ta dhe gjëja me e rëndësishme është që të punojmë në grup. Këtë kam mësuar kur ishte vetë lojtarë”, deklaroi francezi.
E në frymën e kësaj deklarate, Zidane duket se ka mësuar shumë nga gabimet e paraardhësit të tij. Ndërsa Benitez deklaronte se “Ronaldo nuk ishte domosdoshmërisht lojtari më i mirë që ka trajnuar”, apo “futbollisti thuajse më i miri në botë”, Zidane tregohet më diplomat.
“Ronaldo është shpirti i skuadrës dhe i madridizmi” , tha ai duke cilësuar më tej si qesharake zërat e një largimi të mundshëm të portugezit drejt PSG-së. “Përsa kohë unë do të jem këtu në këtë pozicion, ai nuk do të shkojë asgjëkundi”.
Tek kjo e fundit mund të mos qendrojë tërësisht e vërteta, por janë pikërisht këto deklarata për të cilat ka nevojë Reali për momentin për të rikthyer frymën e grupit. A do t’ja dalë Zidane? Për këtë duhen pritur rezultatet e para të tij, duke nisur që nga sfida me Deportivon.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu