Kryesore
Verifikimi (vetingu) i gjykatësve dhe prokurorëve: varianti përfundimtar
Reforma në drejtësi parashikon një sërë masash për rivlerësimin dhe verifikimin e figurës të punonjësve të sistemit të drejtësisë. Ky proces është bërë i njohur si procesi i vetingut.
1. Pse do bëhet rivlerësimi?
Qëllimi i rivlerësimit është të garantojë që në sistemin e drejtësisë do të punojnë vetëm ata që janë të kualifikuar profesionalisht dhe kanë integritetin për të garantuar drejtësi të pavarur dhe të ndershme.
Procesi synon të largojë nga sistemi të gjithë ata që do të vërtetohen se kanë vënë pasuri në mënyrë të korruptuar, kanë lidhje me krimin apo janë të paaftë profesionalisht.
2. Kush do t’i nënshtrohet rivlerësimit?
Do të vlerësohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve; ndihmësit e tyre ligjorë; si dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
3. Kur do të bëhet rivlerësimi?
Rivlerësimi do të fillojë menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe paketës ligjore në zbatim të tyre.
Rivlerësimi i të gjithë subjekteve duhet të kryhet brenda një periudhe pesë vjeçare.
Fillimisht do të vlerësohen, me një procedurë të posaçme, ata të cilët do të bëjnë vlerësimin e të tjerëve, pra anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Kolegjit të Apelimit (shih më poshtë), pastaj do të fillojë vlerësimi i të tjerëve.
4. Kush do ta kryejë rivlerësimin?
Rivlerësimi do kryhet nga dy institucione të posaçme që do të krijohen për herë të parë: a) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili do të bëjë vlerësimin; dhe b) Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, i cili do të shërbejë si organ për shqyrtimin e ankesave të vendimeve të Komisionit (shih më poshtë për shpjegimin e këtyre dy institucioneve) si dhe dy Komisionerë Publikë të cilat do të mbrojnë interesat e publikut gjatë procesit të rivlerësimit.
5. Çfarë do të përfshijë rivlerësimi?
Rivlerësimi do të përfshijë tre drejtime: vlerësimin e pasurisë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimin profesional.
a) Vlerësimi i pasurisë
Çdo subjekt do t’i nënshtrohet vetëdeklarimit dhe pastaj kontrollit të të gjitha pasurive të tij dhe të personave të lidhur me të (familjarëve direkt).
Subjekti duhet të justifikojë pasuritë e tij mbi bazën e burimeve të ligjshme. Burime të ligjshme do të konsiderohen vetëm të ardhurat e deklaruara, për të cilat janë paguar taksat.
Nëse pasuria e deklaruar apo zbuluar është më e madhe se dyfishi i të ardhurave të ligjshme, individi paramendohet fajtor dhe përjashtohet nga sistemi, nëse nuk arrin të vërtetojë të kundërtën.
b) Kontrolli i figurës
Çdo subjekt do të bëjë, fillimisht, vetëdeklarim për figurën e tij dhe pastaj do t’i nënshtrohet verifikimit të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Nëse verifikohen kontakte të tilla, individi paramendohet fajtor dhe shkarkohet menjëherë, nëse nuk arrin të vërtetojë të kundërtën.
c) Vlerësimi i aftësive profesionale
Çdo subjekt do t’i nënshtrohet vlerësimit të aftësive për të gjykuar (për të hetuar e ngritur akuzë në rastin e prokurorëve), aftësive organizative, etikës dhe cilësive personale, bazuar në standarde të parashikuara në ligj.
Subjekti që do të vlerësohet se ka mangësi, të cilat nuk mund të korrigjohen përmes edukimit, do të shkarkohet menjëherë.
Subjekti që vlerësohet se ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të cekëta, por që mund të përmirësohen, do të pezullohet dhe do t’i nënshtrohet një programi të detyruar një vjeçar edukimi.
6. Si do të bëhet rivlerësimi?
Hapi i parë është vetëdeklarimi i pasurisë, figurës dhe të dhënave profesionale nga vetë subjekti që do të rivlerësohet.
Pastaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të verifikojë vetëdeklarimet, si dhe do të kryejë verifikime shtesë.
Komisioni do të ketë akses në të gjithë informacionin që mbajnë institucionet publike pa asnjë kufizim (përjashto, informacionet e klasifikuara sekret shtetëror)—përfshi të dhënat tatimore, të dhënat e pasurive të patundshme, të dhënat e bizneseve, hyrje-daljet nga vendi, etj—si dhe të dhëna të tjera private, si të dhëna bankare, të dhëna private të biznesit, etj.
Komisioni do të ketë të drejtë të intervistojë të gjithë personat që përfshihen në vetëdeklarimet e subjektit, si dhe persona të tjerë që sheh të arsyeshme.
Komisioni ka të drejtë, gjithashtu, të urdhërojë individë dhe kompani t’i venë në dispozicion prova dhe informacione që ato kanë.
Në procesin e vlerësimit barra e provës i takon subjektit që rivlerësohet—pra ai paramendohet fajtor për çdo dyshim dhe duhet të provojë vetë të kundërtën—në ndryshim, nga parimi i paramendimit të fajësisë që zbatohet për çdo qytetar.
7. Institucionet që do të bëjnë vlerësimin
Procesi i rivlerësimit do të realizohet nga tre institucione të posaçme: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerët Publikë, dhe Kolegji i Apelimit. Ata do të ndihmohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, sikurse u shpjegua më sipër.
a) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të funksionojë si organ vlerësues-gjykues dhe do jetë i përbërë nga katër trupa të përhershme gjykuese me tre anëtarë secili.
Anëtarët e Komisionit gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
b) Komisionerët Publikë
Pranë Komisionit do të veprojnë dy Komisionerë Publikë, të cilët do të përfaqësojnë interesin publik në procesin e verifikimit dhe do të kenë të drejtën të ankimojnë vendimet e Komisionit. Pra, në rast se komisioni vlerëson pozitivisht një gjyqtar a prokuror dhe Komisioneri Publik mendon se vendimi është i gabuar, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Kolegjin e Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.
Komisionerët gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
c) Kolegji i Apelimit
Kolegji i Apelimit do të jetë organi i vetëm dhe përfundimtar që do të shqyrtojë ankimet kundër vendimeve të Komisionit. Ai do të përbëhet nga shtatë gjyqtarë por do të vendosë në trupa gjykuese me vetëm pesë anëtarë.
Anëtarët e Kolegjit gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
8. Roli i të huajve në procesin e rivlerësimit
Procesi i rivlerësimit të punonjësve të sistemit të drejtësisë do të ndihmohet nga një mision i posaçëm ndërkombëtar, i quajtur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).
Qëllimi i ONM-së është kryesisht mbikqyrja e procesit të rivlerësimit, por edhe ndihma konkrete për Komisionin dhe Kolegjin përmes ofrimit të të dhënave, informacioneve dhe këshillimit.
ONM-ja do të përbëhet nga vëzhgues nga vendet partnere të Shqipërisë—anëtare të NATO-s ose të BE-së— dhe do të drejtohet nga Komisioni Evropian.
Vëzhguesit duhet të kenë përvojë të paktën 15 vjeçare si gjykatës ose prokurorë në vendet e tyre.
Vëzhguesit e ONM-së do të monitorojnë gjithë procesin e rivlerësimit dhe do të kenë në dispozicion të gjithë informacionin dhe dokumentet që kanë Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.
Tre detyrat kryesore të ONM-së do të jenë:
- T’i japë Kuvendit rekomandime lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Kualifikimit, për gjyqtarë të Kolegjit të Apelimit dhe për Komisionerë Publikë;
- T’i ofrojë Komisionit dhe Kolegjit gjetje dhe mendime për çështjet që shqyrtohen prej tyre. Vecanërisht t’u ofrojë atrye të dhëna, gjetje, prova, fakte dhe mendime në procesin e verifikimit të lidhjeve apo kontakteve të subjekteve teë verifikimit me njerëz të përfshirë në krimin e organizuar—pra, praktikisht do të gjurmojnë lidhjet e subjekteve me krimin jashtë vendit dhe të dhëna të tjera të subjektit të cilat ekzistojnë në vende të tjera.
- T’u japë Komisionerëve Publike rekomandime me shkrim për tē paraqitur ankimet e tyre.
9. Si do të zgjidhen anëtarët e Komisionit, Kolegjit dhe Komisionerët Publikë?
Procesi disi i ndërlikaur i zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe dy Komisionereve Publikë do të bëhet sipas hapave të mëposhtëm:
- Presidenti organizon procesin e hapur dhe transparent të aplikimit për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik. Të gjtihë të interesuarit paraqesin aplikimin e tyre së bashku me deklaratat ëprkatëse mbi pasuirnë, figurën dhe kualifikimet e tyre.
- Presidenti bën verifikimin e dokumenteve dhe përmbushjene kritereve të aplikimit. Mbi këtë bazë ai harton dy lista: një listë me kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret formale dhe një me ata që nuk i plotësojnë. I gjithë procesi monitorohet nga Operacioni Ndërkombetar i Monitorimit (ONM).
- Një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të ONM-së bën pastaj vlerësimin e aplikantëve për secilin pozicion dhe i dërgon Presidentit rekomandimet e tij.
- Listat e kandidatëve që i plotësojnë dhe që nuk i plotësojnë kriteret, si dhe rekomandimet e ONM-së i dërgohen Kuvendit nga Presidenti.
- Kuvendi krijon një komision ad hoc me gjashtë anëtarë, tre nga shumica dhe tre nga pakica parlamentare. Komisioni, me të paktën pesë vota, mund kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit tek lista e kandidatëve për votim. Lista e kandidateve për votim i përcillet pastaj komisioneve përzgjedhëse ad hoc.
- Kuvendi krijon dy komisione ad hoc përzgjedhëse, një me 12 dhe një me 6 anëtarë, secili i me numër të njejtë anëtarësh mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Komisioni ad hoc i madh do të zgjedhë anëtarët e Komisionit të kualifikimit dhe dy Komisionerët Publikë, kurse ai i vogël do të zgjedhë gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit.
- Çdo anëtar i komisionit ad hoc të madh përzgjedh vetëm një kandidat për anëtar të Komisonit të Kualifikimit nga lista e kandidateve për votim, pa debat, me votim të fshehtë elektronik, me kufizimin që çdo kandidat mund të marrë vetëm një votë. Ky proces nxjerr 12 fitues, aq sa është numri i anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit.
- Komisioni ad hoc i madh, gjithashtu, zgjedh dy Komisionerë Publikë përmes votimit, ku fitojnë dy kandidatët që fitojnë më shumë vota. Në rast barazie fituesi zgjidhet me short mes atyre që kanë marrë të njejtin numër votash.
- Komisioni ad hoc i vogël zgjedh me të njejtën procedurën si dy pika më sipër 6 anëtarët e Kolegjit të Apelimit, ndërsa anëtari i shtatë zgjidhet me shumicë të thjeshtë të votave anëtarëve të këtij komisioni ad hoc.
- Secila nga listat përkatëse të anëtarëve—të Komisionit të Kualifikimit, gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionervë Publikë—të votuar nga komisionet ad hoc i paraqitet Kuvendit.
- Kuvendi duhet ta konfirmojë secilën listë anëtarësh në bllok me tre të pestat e votave të tij, përmes një votimi të vetëm për listën në total. Nëse Kuvendi nuk e konfirmon listën, komisioni përkatës ad hoc voton një listë të re, të cilën Kuvendi është i detyruar ta pranojë ose mund ta rrëzojë vetëm me dy të tretat e anëtarëve të tij.
10. Si do të bëhet kontrolli i vetë anëtarëve të institucioneve të kontrollit?
Anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, Komisionerët Publikë, si dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve do të jenë subjekt i kontrollit të vazhdueshëm.
Kusht që ata të përzgjidhen është autorizimi me shkrim nga ana e tyre i kontrollit vjetor të pasurisë, kontrollit të vazhdueshëm të llogarive të tyre bankare, si dhe monitorimin e komunikimeve të tyre, përfshi telefonatat, emailet, mesazhet, etj.
Deklaratat e pasurisë së tyre do të jenë publike./Exit
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu