Mix
Optimizmi dhe pesimizmi / Origjina dhe ndikimi në mirëqenie…
Jo të gjithë e shohin të ardhmen dhe jetën në të njëjtën mënyrë. Ekzistojnë, për shembull, njerëz që priren ta shohin jetën me shqetësim dhe ankth, duke e fokusuar vëmendjen më shumë mbi vështirësitë me të cilat hasen në përditshmëri, sesa mbi gëzimet që duhen shijuar dhe sukseset e arritura. Nga ana tjetër, ka të tjerë që e jetojnë jetën me qetësi dhe entuziazëm dhe dinë të përballen me vështirësitë me shpirt luftarak, duke i parë si mundësi për t’u rritur, më shumë sesa pengesa të pakapërcyeshme.
Këta të fundit, veçanërisht, dinë të jenë të qëndrueshëm në ndjekjen e qëllimeve, përtej pengesave dhe gabimeve dhe janë të aftë të shpresojnë suksesin më shumë sesa të tremben nga zhgënjimi. Në përgjithësi të parët i klasifikojmë si pesimistë dhe të dytët si optimistë.
Në fushën e psikologjisë shumë kërkues janë përpjekur të kuptojnë nëse këto dy mënyra të ndryshme të të parit të jetës mund të shkaktojnë luhatje me shëndetin, suksesin në mjedisin e punës apo përgjithësisht në jetë dhe në mirëqenien psikofizike të njeriut. Rezultatet kanë qenë shpesh befasuese. Studime të ndryshme kanë nxjerrë në dritë se pesimistët dorëzohen më lehtësisht përballë vështirësive, kanë më pak sukses në punë, bien më shpesh në depresion dhe sëmuren më shumë.
Ndërsa optimistët ia dalin më mirë në studime, në punë dhe në sport. Përveç kësaj, duket se optimistët janë më të aftë në teste dhe priren të zgjidhen më shpesh se pesimistët kur konkurrojnë në politikë ose në një pozicion drejtues në punë. Sipas studiuesve, optimistët gëzojnë shëndet të mirë: në fakt sistemi i tyre imunitar është më i fortë dhe sëmuren më pak, plaken më ngadalë, duke qenë se vuajnë më pak nga sëmundjet e zakonshme fizike të moshës së mesme, ndaj jetojnë më gjatë.
Si na ndihmon optimizmi?
Është një burim që kryen funksione të rëndësishme përshtatjeje dhe që ndikon në mënyrë të ndjeshme mirëqenien fizike dhe mendore, një art i mirëfilltë i të jetuarit. Në përgjithësi, optimizmi përfaqëson një mjet të fuqishëm me efekte të mëdha në nivel biologjik, psikologjik, kulturor dhe social: përfshin, në fakt, ekzistencën dhe është në gjendje të gjenerojë një përmirësim thelbësor në mirëqenien e njerëzve.
Optimizmi përmirëson njëkohësisht edhe cilësinë e jetës. Nuk është e lehtë të jesh optimist nëse nuk je i tillë, dhe megjithatë është shumë e rëndësishme të jetojmë me çlirësi dhe ironi, të shohim të ardhmen me shpresa të shkëlqyera dhe të kemi aftësinë që të mos thyhemi kurrë (ose pothuajse kurrë).
Sipas Seligman optimist ose pesimist nuk lind, por bëhesh: optimizmi mund të mësohet. Por si mund të bëhemi optimistë?
Përqendrohuni te ndryshimi
Është e nevojshme të përqendrohemi te ndryshimi, duke i dhënë hapësirë fuqisë, në vend që të përqendrohemi te vështirësitë. Fuqia ofron energji dhe ide për të larguar vështirësitë. Njerëzit pesimistë bllokohen që pa filluar mirë, duke u stepur nga problemet, pa tentuar fare që të realizojnë ëndrrat e tyre.
Çlirohuni nga fjalët negative
Përdorimi i fjalëve negative ndikon mendjen dhe shpirtin. Gota është gjysmë plot: kjo nuk do të thotë të injoroni aspektet e vështira të realitetit, por të dini të vlerësoni se sa shumë pozitivistet ju rrethon.
Harrojini përvojat negative
Mos harroni se do të ishte një mëkat të jetoni me kujtimin e përvojave negative dhe të zhgënjimeve të pësuara, ose me frikën se mos bëni gjithmonë të njëjtat gabime. Nuk është kështu! Mbajeni gjithmonë në mendje këtë koncept!
Gëzojuni jetës
Mundohuni të jeni të lumtur për atë që keni dhe mos mendoni gjithmonë për atë që ju mungon. Tolstoj thoshte: “lumturia nuk është të keni atë që dashuroni, por të dashuroni atë që keni”.
Buzëqeshni
Përkushtohuni të kuroni edhe aspektin e jashtëm, duke filluar që nga një buzëqeshje e bukur në fytyrë. Nuk janë të paktë, në fakt, studiuesit që pohojnë se të jesh i lumtur është një ndihmë e madhe për t’u bërë më shumë optimist.
Pesimizmi është një sjellje shkatërruese: nuk na lejon të shkojmë drejt suksesit, shkatërron momentet më të bukura duke hedhur një hije mbi të ardhmen dhe na bën më të mërzitshëm për njerëzit e tjerë. Megjithatë nuk bëhet fjalë për një kushtëzim të “shkruar në ADN”: të mos mendoni gjithmonë negativisht është e mundur, madje është një detyrë.