Kryesore
“Qytetarët po e marrin bukën 40% nën peshë”- Berisha akuza qeverisë për rritjen e çmimeve: Fasha 700 kw, plan për të goditur biznesin e vogël
Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti një konferencë për media, ku atakoi qeverinë në lidhje përgjegjësinë e rritjes së çmimeve.
Berisha u shpreh se bordet e administrimit të çmimeve, të ngritura nga qeveria, janë klienteliste dhe kanë si qëllim vjedhjen e qytetarit.
Rritjen e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë më shumë se 700 kw në muaj, Berisha e cilësoi si një plan për goditjen e biznesit të vogël.
“Qeveria aktuale po përdor rritjen e çmimeve për spekulim të mëtejshëm, për të favorizuar klientët e saj.
Sot qytetarët po marrin bukën rreth 40% nën peshë, rreth 40% më shumë se çmimi që është shpallur. Sot produktet ushqimore kanë arritur shifra të papërballueshme.
Qeveria ka zgjedhur një ilaç toksik që janë bordet. Ajo vetë po jep shembull në këtë krizë me rritjen e çmimeve, tre ditë më parë deklaruan në mënyrën më absurd se për ata që shpenzojnë më shumë se 700 kë do të rrisni çmimin e energjisë.
Kë godasin në këtë mënyrë? Godasin bizneset e vogla.
Ndërsa Bitcoine-t e kontrolluar nga qeveria gllabërojnë nga jugu në veri energjinë.
Gjërësisht flitet se kontrollin e Bitcoin e kanë marrë klanet më të larta qeveritare.
Jam këtu për t’u thënë qytetarëve se është jetik zëri i tyre kundër spekulimit dhe rritjes së çmimeve, si dhe për t’i thënë stop kësaj vjedhjeje të madhe që bëhet mbi portofolin e tyre, nëse nuk do t’i themi stop kësaj vjedhjeje çmimet e sotme do të harrohen me çmimet e larta që do të vijnë më vonë.
Është koha që çdo shqiptar të mendojë për buxhetin personal që po i grabitet nga kjo qeveri”, tha Berisha.