Ka pak ditë që stadiumi Qemal Stafa nuk ekziston më, ose më mirë ajo që ka mbetur prej tij është vetëm tribuna ballore në pritje të teknikëve italianë për ta zbërthyer e për të shpëtuar fasadën e jashtme.
Por ajo që nuk pritej është se ekskavatorët e firmës AlbaStar, edhe pse kanë përfunduar shkatërrimin e tribunës, vazhdojnë të bëjnë akoma pluhur dhe zhurmë në një aktivitet krejt të paparashikuar.
Ashtu si e shikojmë edhe nga fotot, kantieri është kthyer në një poligon prodhimi mbeturinash në qendër të qytetit. Kompania ka instaluar mullirin bluajtës me qëllim që të copëtojë gërmadhat e betonit të shembur, për t’i ndarë nga hekuri që përmbajnë, për të ricikluar gërmadhat në formë mbeturinash dhe për të shitur hekurin si hekurishte.
Një aktivitet i tillë, që me siguri do të justifikohet ekonomikisht nga kompania, përbën një veprimtari specifike riciklimi mbeturinash dhe prodhimi inertesh, që lëshon pluhura dhe krijon zhurma shumë herë më të larta se standardet e lejuara. Një aktivitet i tillë është vështirë të ndërtohet në qendër të qytetit e për më tepër, pa autorizimet e veçanta të lëshuara nga autoritetet e mjedisore.
Mungesa e një tabele në kantier, edhe pse e parashikuar nga ligji, na ndalon të verifikojmë se kush është saktësisht përgjegjësi i gjithë kësaj. Ndërkohër që gjithë autoritetet mjedisore që për ditë gjurmojnë tymin e një qebaptore për të vënë gjoba, duket se tani nuk gjenden gjëkundi tani.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu