Kryesore
Prindërit e Blinken donatorë ‘të veçantë’ në fondacionin e Soros, roli në shpalljen ‘non-grata’ të Berishës
Shpallja “non-grata” nga SHBA-të, e ish-kryeministrit Sali Berisha, u kundërshtua nga shumë zëra pro ish-liderit demokrat. Për futjen në “listën e zezë” amerikane, edhe vetë Berisha ka akuzuar në mënyrë direkte multimiliarderin George Soros.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken, një nga njerëzit që e ka “bërtitur” shpalljen e Berishës “non-grata” është etiketuar shpesh si një person i afërt me Soros.
Një artikull në mediet e huaja shkruan se lidhja e Blinken me Soros rrjedh që nga prindërit e Sekretarit të Shtetit. Rezulton se prindërit e Blinken janë mbështetës të Shoqërisë së Hapur të George Soros.
Ka qenë ish-këshilltari i lartë i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, Richard Grenell, i cili në një artikull të vitit 2021, shkruan se pretendimet e ish-kryeministrit për lidhjen Soros-Blinken, nuk duhen hedhur poshtë.
Grenell citon në artikullin e tij se dy prindërit e Blinken, Vera dhe Donald Blinken, kanë dhuruar në mënyrë të vazhdueshme për fondacionin “Shoqëria e Hapur”.
“Berisha i ka kritikuar veprimet e Departamentit të Shtetit si vepër të miliarderit radikal të majtë George Soros dhe Shoqërisë së tij të Hapur, një organizatë që pretendon se promovon transparencën dhe të drejtat e njeriut në Ballkan. ACLJ dhe dega jonë ndërkombëtare, Qendra Evropiane për Ligjin dhe Drejtësinë (ECLJ), kanë ekspozuar ndikimin e madh, radikal – dhe atë që disa mund ta quajnë të korruptuar – të Soros në skenën botërore.
Pretendimet e Berishës për Sekretarin Blinken dhe Soros nuk duhen hedhur poshtë kaq shpejt. Prindërit e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Vera dhe Donald Blinken, kanë dhuruar në mënyrë të përsëritur për Shoqërinë e Hapur, madje duke krijuar një fond të përhershëm në një arkiv të dhënash me bazë në Evropë që mban emrin e tyre – Arkivat e Shoqërisë së Hapur të Vera dhe Donald Blinken.
Aktualisht, e vetmja provë për të cilën dimë është kundërshtimi i vendosur i Berishës ndaj ndërhyrjes politike të Soros, të cilën zoti Berisha e ka dënuar si anashkalim të shtetit ligjor dhe ndikimit informal në të gjithë rajonin e Ballkanit. Vetë zoti Berisha në vitin 2017 u bëri thirrje qeverive të mëdha të hetonin rolin e Soros në politikën rajonale dhe shkoi aq larg sa të inkurajonte të tjerët që ta shpallnin Sorosin “non-grata””, shkruante Grenell.
Sipas Grenell, gjykata e Parisit ka njoftuar se do të dëgjojë Berishën dhe pretendimin e tij se Blinken ka shpifur duke e shpallur atë persona non-grata.
Ai thekson në artikull se sanksionimi i Berishës, është një lëvizje e Blinken.