Kioske
Si lahen pushtetarët tanë?
Edmond Tupja
Para se të hyj në temë, diçka më e fortë, më e papërmbajtshme se vetja më shtyn të hedh sërish sadopak dritë mbi prejardhjen e fjalës “pushtetar”. Gojët e këqija kanë guximin të mëtojnë se kjo fjalë na ardhka nga fjala “pusht”, e cila, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), na paska dy kuptime: 1. ai që shkon pas femrave, gruar, kurvar; 2. maskara. Këtë përkufizim e përforcon edhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” i Kolec Topallit (Tiranë, 2017), ku saktësohet gjithashtu se kjo fjalë ka hyrë në gjuhën tonë nga persishtja, por përmes turqishtes. Nga ana tjetër, për pasojë të pashmangshme, të njëjtat gojë fjalën “pushtet” e analizojnë duke e ndarë në dy rrokje ‘pusht’, në kuptimin e mësipërm, dhe ‘et’ në kuptimin “etje”, siç e dëshmon edhe gegërishtja. Ndërkohë, shqipja e folur ka një proverb fort të vjetër, por që nuk figuron në asnjë fjalor, ndonëse përdoret ende sot e kësaj dite, e kam fjalën për proverbin tejet tronditës, por aq të vërtetë, “Politika është kurvë”, çka lë haptas të kuptohet se ata që merren me politikë duke bredhur pas asaj janë dhe nuk mund të jenë veçse kurvarë që duan patjetër e me çdo kusht të bëhen pushtetarë!
Ja, pra, ku na doli sërish fjala “pusht” si fjala kyç, d.m.th., themelore, e trinomit “pusht-pushtet-pushtetar”, ku dy kufizat e fundit përmbajnë fjalën “shtet”; rrjedhimisht gojët e këqija kurrë nuk kanë ngurruar të pohojnë se vjen një moment që çdo pushtetari, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, i duhet të vrapojë si pusht prapa kurvës politikë për t’u pasuruar, aq përvëluese e ka etjen për para, pa të cilat ai do të ndihej i humbur. Në këtë kuptim, duhet t’u kujtoj lexueseve dhe lexuesve të sotëm përkufizimin që, qysh në shekullin XVIII, i ka bërë politikës francezi D’Alembert: “Politika, ky art i të mashtruarit të njerëzve”, pra, logjikisht i bie që politikanët të kthehen në maskarenj kur bëhen pushtetarë. Ja tek dolëm kësisoj tek kuptimi i dytë i fjalës “pusht”.
Mirëpo, pushtetarëve u duhet të lahen e të pastrohen për të fituar qoftë edhe në dukje besimin e turmave elektorale, pra – dhe po hyj në temë – lind pyetja: Si lahen pushtetarët tanë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po përfitoj nga një shkrim i zonjës Johanna Amselem, në “Yahoo France”, e cila përmend sajtin “BrightSide”, që shpjegon se kur bëjmë dush, rendi sipas të cilit kryejmë veprimet e nevojshme për t’u larë hedh shumë dritë lidhur me personalitetin tonë. Kështu, ata që e nisin larjen në dush me fytyrën, i kushtojnë rëndësi të veçantë mënyrës si do t’i shohin të tjerët, prandaj kërkojnë që fytyra e tyre të jetë e përkryer nga të gjitha pikëpamjet! Vëreni fytyrat e politikanëve tanë dhe do të bindeni. Megjithatë, shpesh, ata e lajnë, pudrosin, parfumosin apo kremosin fytyrën e tyre sa për sy e faqe, siç shprehet populli ynë.
Kurse ata që nisin të lajnë fillimisht gjoksin tregojnë se, me gjasë, kanë një personalitet besimplotë, se ndihen mirë me vetveten, se janë të pavarur, pra, të pandikueshëm, çka i bën ata objekt admirimi nga të tjerët. Në këtë rast, sidomos po të kemi parasysh aktualitetin politik në vendin tonë, kryeqeveritari ynë nuk do t’i fuste në kabinetin e tij, sepse ai admirimin e quan një luks të cilin e meriton ai dhe vetëm ai! Ndërkohë, ata që fillimisht lajnë krahët dhe këmbët janë ose persona modestë (rrjedhimisht të padenjë për kabinetin e kryeqeveritarit tonë), ose persona që kanë forcë karakteri, që kanë aq siguri sa të shprehin qartas zgjedhjet dhe parapëlqimet e tyre (rrjedhimisht po aq të padenjë për kabinetin e kryeqeveritarit tonë). Sidoqoftë, një mendje më thotë se kryeqeveritari ynë do t’i përfshinte në kabinetin e tij ato dhe ata që, me t’u futur nën dush, fillojnë të lajnë organet e tyre gjinore, sepse – gjithnjë sipas sajtit “BrightSide” – ky veprim sugjeron se mund të bëhet fjalë për individë të ndrojtur dhe që pak e vlerësojnë veten e tyre. Ndërkaq, kur dikush fillimisht lan kurrizin, kjo dëshmon se ai ka një personalitet mosbesues, çka me gjasë duhet të jetë e vërtetë për ish-pushtetarët tanë ose për ata pushtetarë që e ndiejnë se do të bien së shpejti nga fiku i pushtetit, prandaj kryeqeveritari ynë nuk do të ngurronte t’u kthente kurrizin.
Së fundi, shkrimin e zonjës Johanna Amselem do t’ua rekomandoja kryepushtetarëve, pra, kryeministrave tonë të ardhshëm, që ta lexojnë sa herë do t’u duhet të formojnë kabinetet e tyre qeveritare. Madje, idealja do të ishte që gjithë kandidatet e kandidatët e mundshëm për postet ministrore e zëvendësministrore të bënin dush pa e ditur që kreu i qeverisës së ardhshme po i vëzhgon fshehurazi për të parë se cilat e cilët prej tyre nisin të lajnë ato pjesë të trupit që nxjerrin në pah cilësitë e nevojshme të personalitetit për të kryer sa më mirë angazhimet e domosdoshme që implikon posti i tyre i ardhshëm. Ndoshta dikush nga ju mund ta quajë këtë “vuajërizëm”, por këtu nuk ka asgjë për t’u skandalizuar, përderisa bëhet fjalë për qeverisjen e vendit dhe për mirëqenien e popullit pjesërisht votëshitës!/Panorama