Kritike
S’shoh asnjë arritje thelbësore në Qeverinë Kurti, ka vetëm trende populiste
S’shoh asnjë arritje thelbësore në Qeverinë Kurti, ka vetëm trende populiste
Analisti i njohur Shkëlzen Maliqi është shprehur i zhgënjyer me qeverisjen një-vjeçare të kryeministrit Albin Kurti. Ai ka bërë me dije se pas një viti nuk sheh asnjë arritje thelbësore. Maliqi ka vlerësuar se gjatë kësaj qeverisjeje është vërejtur vetëm vazhdim i trendeve të pamatura populliste dhe vetizoluese.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se euforia e “qeverisë së shpresës” s’ka mundur të konvertohet në qeverisje efikase. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur sepse Kurti bëri një qeveri me ministra pa përvojë.
Nacionale:
Z. Maliqi, po bëhen një vit që kryeministri Albin Kurti ka qeverisur vendin. Cili është vlerësimi juaj për këtë qeverisje?
Maliqi:
Më duhet ta bëj një hyrje sqaruese për këtë pyetje për ta karakterizuar pushtetin e Albin Kurtit dhe të LVV-së, siç e shoh unë. Prej se ka hyrë në skenën politike, ambiciet e Kurtit kanë qenë të mëdha, premtonte ndryshime radikale në Kosovë, sikur synonte edhe revolucion, por me kohë ndryshoi, për shumë gjëra u bë realist dhe pragmatist deri në masën që nuk dihet a e ka ndërmend t‘i bëjë fare edhe ndryshimet që dikur i premtonte. Njëfarë dore ky ndryshim është i vetëkuptueshëm pasi që LVV-ja tashti deklarohet se është parti socialdemokrate dhe jo revolucionare, prandaj edhe zotimet për progres i ka të zbehta, çka gjithë të kaluarën e LVV-së e bën thjesht një maskeradë populliste.
Pasi Qeveria Kurti 1 dështoi duke qëndruar vetëm 50 ditë në pushtet, këtë vitin e parë të Qeverisë Kurti 2 e shoh në këtë dritë, si zbehje pothuajse absolute e të gjitha zotimeve për të cilat dikur angazhohej me agresivitet maksimal. Andaj nuk duket e rastësishme pse janë fshirë brenda natës krejt arkivat e LVV-së nga interneti. Megjithatë, njerëzit kanë kujtesë dhe lehtë mund të dëshmohet se çdo fjalë dhe zotim i dikurshëm i Kurtit sot efektivisht mohohet. Madje ai e bën të kundërtën e zotimeve burimore, pa ndonjë transparencë dhe kërkimin të ndjesës ose alibisë për zotimet e rreme se p.sh. ato kanë qenë pjesë e delireve të tija rinore.
Agresivitetin e vetëm, dhe këtë në rrafshin retorik, LVV-ja e mban vetëm te akuzat ndaj qeverive të mëhershme, duke ua faturuar atyre të gjitha problemet që Kosova i ka aktualisht. Kjo shpesh ekzagjërohet deri te floskula e “politikave të gabuara 20 vjeçare” ku në një thes të fajtorëve futet jo vetëm qeverisja e Hashim Thaçit, i cili për Kurtin mbetet referencë e arki-armikut politik, por përfshihen edhe qeveritë tjera, pastaj edhe, logjikisht, politikat ndërkombëtare që e kanë asistuar Kosovën në proceset që mundësuan pavarësimin dhe shtetndërtimin.
Nisur nga këto që thashë, vlerësimi im për Qeverinë Kurti 2 është ky: Pas një viti nuk shoh asnjë arritje thelbësore, por vetëm vazhdim të trendeve të pamatura populliste dhe vetizoluese që filluan më qeveritë e mëparshme, sidomos me Ramush Haredinajn, i cili edhe si opozitë edhe si pozitë promovonte axhamillëkun e moskoordinimit me SHBA-të dhe BE-në, në çështjet kyçe për të cilat Kosova nuk mund të udhëheqë politikat e veta “sovrane”, përderisa nuk e ka sovrenitetin e plotë dhe domosdo duhet të koordinohet me vendet perëndimore aleate, para së gjithash me SHBA-të, por edhe BE-në. Sot kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Nacionale:
A ishin reale pritjet që “Qeveria e shpresës”, e cila i fitoi zgjedhjet me 50.2 % të votave të elektoratit, të bëjë shumë më shumë se që është arritur për një vit?
Maliqi:
Verdiktin më të saktë për qeverisjen e Kurtit e kanë dhënë votuesit në zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2021, kur pas 6 muajve në pushtet, binomi Kurti – Osmani humbi një të tretën e votave që i kishte në shkurt. Kjo është gjithsesi votë e zhgënjimit nga premtimet e mëdha, që Qeveria nuk ka mundur t’i përmbushë. Mandati i dytë i Kurtit vërtet u fitua me 50.2% të votave, por kjo ndodhi si pasojë e çarjes së LDK-së. Ishte “peshqesh” i kalkulimeve me presidenten Osmani që e “shkeli” gardën e vjetër të LDK-së. Mirëpo, euforia e “qeverisë së shpresës” s’ka mundur të konvertohet në qeverisje efikase, sepse Kurti e bëri një qeveri me ministra pa përvojë, ose edhe të ngathët. Pastaj edhe vetë Kurti ndryshoi shumë stilin e veprimeve dhe të komunikimit, u bë më shumë i rezervuar, edhe lëvizjet i ka tani të pasigurta, thuajse robotike, edhe adresat me publikun i bën me video xhirime, paraqitet si një person tjetër e jo ai i aktivistit të mëhershëm agjil dhe elokuent. Spontanitetin e zëvendëson me prirje të poetizimit të diskursit.
Nacionale:
Cilat mendoni se kanë qenë përparësitë dhe mangësitë e kësaj qeverisjeje?
Maliqi:
Kushtimisht, qeveria e Kurtit i ka notat pozitive në dy çështje: në luftimin e korrupsionit dhe në demonstrimin e vendosmërisë që të mos lejohen më praktikat e tolerimit të sjelljeve “separatiste” në veri të Kosovës. E thashë se janë kushtimisht pozitive sepse në disa raste demonstrimi i të drejtave sovrane në tërë territorin e Kosovës është përputhur me fushatat elektorale, dhe janë dukur si veprime populliste me rrezik të konsiderueshëm sepse dyshohej se janë bërë pa bashkëpunimin paraprak me faktorët ndërkombëtar. Ka qenë vendim i qëlluar, p.sh., që Qeveria nuk i dha leje mbajtjes së referendumit të Serbisë, dhe që tani, përkundër presioneve, fton Serbinë që paraprakisht të kërkojë në mënyrë zyrtare organizimin ne zgjedhjeve në territorin e Kosovës, me kushtet që do të përcaktohen me marrëveshje, jo të jenë të “vetorganizuara” nga strukturat paralele të Serbisë. Kushti tjetër është se votimi i lejohet serbëve që e kanë edhe shtetësinë e Serbisë.
Notën më negative Qeveria Kurti e ka në raportet me shtetet aleate të Kosovës kur ndaj tyre edhe hapur shfaq qëndrime “sovraniste”. Kështu, për vazhdimin e dialogut me Serbinë Kurti nuk nguronte që BE-së, si facilitatore e procesit, pa konsulta paraprake, t’i japë mësime mbi “ndryshimin e formatit të dialogut” dhe se çfarë duhet të jetë roli i BE-së në dialog. Kjo mendjemadhësi e tij i ka lënë gojëhapur përfaqësuesit e Brukselit, por edhe ata të Beogradit. Këta të dytit fërkonin duart që vetë Kurti po e hap hendekun në raportet e Kosovës me Perëndimin. Mua më duket se Kurti e ka brenda një brengë dhe frikë të madhe se mos në dialogun me Serbinë do të detyrohet t’i bëjë koncesione të mëdha që ai dikur ua mveshte Thaçit dhe Mustafës kur pohonte se dialogu në formatin e gabuar i çon në rrugën e “tradhtisë”. Dhe tash mendon për vetën se mund të bie në atë kurth.
Nacionale:
Në planin e brendshëm, qeveria është ballafaquar me disa kriza si ajo energjetike, kriza e rritjes se çmimeve, të cilat kanë nxitur kundërshtime të qytetarëve. Ka mundur të reagojë më mirë ndaj këtyre krizave?
Maliqi:
Kryeministrin Kurti fansat e tij të shumtë e konsiderojnë si njeri të lexuar dhe të mençur, por unë mendoj se ai është formuar intelektualisht dhe si aktivist politik në një frymë ideologjike eksluziviste, që nuk e lejon të mendojë dhe të veprojë jashtë suazave të dogmave revolucionare dhe progresiste, që ai i ka kombinuar edhe me idenë e çlirimit dhe të bashkimit të kombit shqiptar. Ky është një amalgam ideologjik frustrues që në kushtet e sotme nuk mund të të bëjë të mençur, por të jep diçka që ndikon në psikosomatikën dhe prodhon bllokada. Kuptohet, këto janë supozime të mia subjektive. Te Kurti në vitet e fundit, siç e thashë edhe më herët, vërehen edhe ndryshimet dhe përshtatjet rrethanave dhe sfidave të reja, dhe ai tashmë i ka përbi, edhe pse publikisht nuk e pranon, shumë premtime dhe fjalë të mëdha që i kanë dalë huq.
Por, të kthehem te pyetja. Që Kurti aspak nuk ka qenë vigjilent dhe i përgatitur për proceset e reja gjeostrategjike, si kriza e energjisë, nevoja për ringjalljen ekonomike dhe rritjen e punësimit, për planifikime të tërheqjes së investimeve të huaja etj., këto shihen qartë. Në të vërtetë për çdo projekt që është paraqitur si shans që, në këto aspekte, të bëhen hapat parandalues ose hapat përpara, ai është treguar bllokues. Shembulli më i mirë është refuzimi i 200 milionë dollarëve amerikane për sigurimin e gazit si burim alternativë të energjisë që sot ashiqare shihet si gabim i pafalshëm.
Shembulli i dytë është vazhdimi i injorimit nga ana e Kurtit e Marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë nga koha e Presidentit Trump, që përmban paketën e stimulimit të fuqishëm të ekonomisë kosovare, e aprovuar edhe nga administrata e re e Presidentit Baiden. Ky rast tregon se Kurti më shumë motivohet nga inati ndaj atyre që e kanë arritur marrëveshjen, në këtë rast ish-kryeministri Avdullah Hoti, se sa i analizon pa emocione përfitimet reale nga marrëveshjet e nënshkruara, që përndryshe edhe hynë në korpusin e obligimeve ndërkombëtare të shtetit.
I obsesionuar me teoritë konspiracioniste për qëllimet e errëta të imperializmit amerikan, Kurti e refuzon edhe projektin Open Balkan, që po kështu hyn në planet për stimulimin e ekonomisë së rajonit dhe e ka përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së.
Nacionale:
Në planin e jashtëm nuk kemi pasur ndonjë njohje apo ndonjë anëtarësime të rëndësishëm. Çfarë vlerësimi keni për politikën e jashtme të Qeverisë Kurti?
Maliqi:
Çështja e njohjeve te ne është mistifikuar dhe bërë poligon për akuza të brendshme të ndërsjella, ndërkaq që situata është e thjeshtë: Kosova në vitet e para të pavarësisë i ka arritur pothuajse shumicën dërmuese të njohjeve të mundshme, kurse bota e ka edhe një bllok tjetër relativisht të madh të shteteve që për arsye të brendshme, ose për shkak se ia mbajnë anën Rusisë dhe janë antiamerikane, nuk binden assesi që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Nuk vlen pothuajse asgjë angazhimi i Ministrisë së Jashtme për t’i bindur të pabindurit. Janë ndoshta vetëm maksimum 10 shtete, ndër to janë edhe 5 anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ku vlen që të lobohet për njohje.
Përndryshe, Ministria e Jashtme e Kosovës ka dalë ndoshta më e kompromituara gjatë këtij viti sepse me mënyrën e largimit nga puna të ambasadorëve kryesisht me kritere “hakmarrëse” ndaj partive që i kanë emëruar qeveritë e mëhershme, dhe këto pa analiza të punës dhe përgatitjes së vetë ambasadorëve, ka qenë improvizim që në disa raste dukej si diletantizëm diplomatik.
Nacionale:
E përmendët më herët se gjatë kësaj kohe, Qeveria i ka thënë disa herë jo kërkesave të SHBA-ve dhe BE-së. Refuzimi i këtyre kërkesave sa mund të ndikojë në raportet e Kosovës me partnerët?
Maliqi:
Nëse kjo arrogancë “sovraniste” përsëritet, mund të komplikohen shumë raportet me vendet partnere. Ndoshta të gjithë nuk do të tërhiqen dhe do të tregojnë maturi deri sa pushtetarët tanë nuk mbushen mend, dhe ndoshta kriza rreth agresionit ndaj Ukrainës i ka mbushë pak mend, pasi që SHBA-të dhe BE-ja i kanë dërguar këto ditë delegacionet e nivelit të lartë për të rifuqizuar raportet e trazuara të partneritetit. Ta mendojmë mirë se pse në janar të këtij viti Kurti dhe Osmani nuk ishin të ftuar në konferencën e sigurisë në Munih. Momentalisht i gjithë Perëndimi është mobilizuar kundër agresionit të Rusisë, edhe Ballkani perëndimor po trajtohet si zonë e rrezikuar nga ndikimi dhe agresioni i mundshëm i Rusisë ose si luftë lokale e stimuluar nga Rusia. Nëse Qeveria jonë vazhdon me mosdëgjueshmëri ndaj partnerëve, dhe Perëndimi nuk mbetet union siç është sot, mjafton që një vend i madh të irritohet me derset sovraniste të Vetëvendosjes, për t’ia kthyer shpinën Kosovës, dhe kjo sigurisht se i komplikon proceset. Në të vërtetë, tani duhet të shfrytëzohet momentumi gjeostrategjik që të fuqizohet bashkëpunimi dhe të avancohet pozita ndërkombëtare e Kosovës. Mos mendojnë Kurti, Osmani dhe Gërvalla mund të bëjnë lobime pa Uashingtonin dhe Brukselin.
Nacionale:
Në raport me këtë qeveri opozita është parë e pafuqishme. Si e keni parë rolin e opozitës gjatë këtij viti?
Maliqi:
Opozita pas tronditjes së madhe që përjetoi para një viti, i ka mbledhur forcat, bëri përtëritje serioze të posteve udhëheqëse, u forcua me kuadro të reja dhe punoi mjaft në riorganizimin e brendshëm. Suksesi në zgjedhjet lokale ka qenë një satisfakcion premtues, por kanë ende punë për t’u stabilizuar. Në disa raste, gjatë pandemisë dhe për projektet e ndihmave për qytetarët dhe bizneset, kanë treguar se mund të ngriten mbi interesat partiake në favor të interesave të përgjithshme dhe të shtetit.
Nacionale:
Nuk është parë ndonjë bashkëpunim i mirëfilltë në mes të partive opozitare. Mendoni se është i nevojshëm krijimi i një fronti opozitar?
Maliqi:
Ky vit dhe kriza aktuale pas agresionit të Rusisë në Ukrainë besoj se ua hap mundësinë partive opozitare që të paraqiten me ide kreative për bashkërenditje të platformave vepruese sepse sot edhe kriza e rendit botëror kërkon hartimin e një platforme koncesuale politike karshi situatës gjeostrategjike. Kjo duhet të bëhet edhe me Qeverinë, por nëse ajo nuk pranon bashkëpunimin, atëherë mund ta bëhet edhe si një formë e bashkëpunimit opozitar që do të fuqizonte edhe presionin ndaj qeverisë për të qenë më e përgjegjshme, dhe do të ndihmonte opozitën të ketë ndikim më të madh në opinion./ nacionale.com