Radar
Deputeti i PD Luçiano Boçi: Me 140 € s’je i varfër, po i vrarë! Koha e Zeusve ka perënduar
Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka ironizuar dy ministret e qeverisë Rama, ministren e Financave Delina Ibrahimaj dhe ministren e Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali.
Ibrahimaj deklaroi në studion e “Opinion” disa ditë më parë se një shqiptar me 130-140 euro në muaj nuk mund të konsiderohet i varfër. Boçi shkruan në Facebook, se më një pagë të tillë nuk quhesh i varfër, por ‘i vrarë’.
Boçi thekson se me aq para maksimumi që një shqiptar mund të blerë, është varfëria dhe mjerimi.
“Është një lloj kufiri monetar midis jetës dhe vdekjes të vendosur nga Zeusi i ministreshës së sipërmarrjes. Një gjendje ku je i vrarë, po ende je në udhëtimin drejt kalljes, pa u konsideruar zyrtarisht nga shteti si i vdekur. Me aq para mund të blesh e shumta e shumta varfërinë e mjerimin. Sepse në shtetin tonë ku në zyrat qeveritare sundon luksi, mjerimi kushton. As ai nuk është falas”, shkruan Boçi.
Ndërsa ministrja Bilali deklaroi se “Zoti Rama vërtetë nuk është Zeusi, por unë do e perifrazoja nuk është akoma Zeusi por është në rrugën e duhur”.
“As kur merr 139, as më pak sepse ke frikë se i humbet dhe ato pika të mëshirës Zeusiane, që ushqejnë disa gojë dhe njëherazi nuk ke as mundësi të ecësh përpara e të luftosh për më shumë. Zeusi përsërit sundimin. Me 140 € votuesi i thjeshtë përsërit vrasjen, vetëvrasjen, ardhmëvrasjen. Prandaj ju që jeni në Olimp e ushqeheni me nektar dhe visheni me ar, kursejani së paku cinizmin atyre që marrin 140 € në muaj. Koha e idhujtarisë ka vdekur. Koha e Zeusëve ka perënduar!”, përfundon Boçi.