Radar
Deklarata e Bora Muzhaqit, Ibrahimaj: Ministrat nuk e kanë detyrim të lëvizin me makinë
Ministrja e Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, në një deklaratë të saj pohoi se ajo si ministre është e detyruar të vijë me makinë, ndërsa qytetarët të lëvizin me këmbë.
E ftuar në studion e “Opinion”, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj mohoi që ministrat ta kenë detyrim të lëvizin me makinë. Ajo shtoi se shpenzimet e funksionarëve publikë janë reduktuar me 50%, që do të thotë se gjysmën çdo ministër ose funksionar i administratës do ta paguajë nga xhepi .
“Ministrat nuk e kanë me detyrim që të lëvizin me makinë dhe kemi shkurtuar me 50%, shpenzimet e karburanteve për ministrat. Ne rishikuam buxhetin dhe shpenzimet kapitale i rishikuam me 7 miliardë lekë, me rishikimin e parë që bëmë. Rishikuam dhe shpenzimet operative, pra kemi ulur konsumin e karburanteve. Për atë pjesë të administratës që e përdor makinën, por që është në zyrë e kemi përgjysmuar, ndërsa për atë pjesë të administratës që e përdor për qëllim të punës në terren, e kemi reduktuar me 10%”, tha Ibrahimaj.
Deklarata e ministres Muzhaqi erdhi fill pasi në çdo qytet të vendit kishin nisur protestat për uljen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës. Ishte fillimisht ministrja Belinda Balluku që deklaroi se qytetarët duhet të kursejnë dhe të lëvizin me këmbë.