Mix
Çfarë duhet të thoni kur nuk dini si t’i përgjigjeni një pyetjeje në një intervistë pune
Ju mund të përgatiteni sa të dëshironi për një intervistë pune, por gjithsesi ekziston mundësia që t’ju bëhet një pyetje të cilën nuk e keni parashikuar dhe rrjedhimisht nuk dini si t’i përgjigjeni.
A duhet të thoni “nuk e di” kur realisht nuk e dini diҫka?
Risqet janë të larta. Mënyra se si vendosni të përgjigjeni kur një punëdhënës po ju vëzhgon, tregon shumë për aftësitë tuaja për të trajtuar pyetjet nën presion.
Ekspertët thonë se transparenca është ajo që do të vlerësohet më shumë. Ja se si të fitoni pikë me një intervistues kur nuk jeni të sigurt se si t’i përgjigjeni një pyetjeje, si dhe hapat e gabuar që mund t’i bëjnë ata t’ju vlerësojnë si jo të përshtatshëm për një vend pune.
Daniel Space, një konsulent i burimeve njerëzore me partnerë biznesi në rekrutimet strategjike, tha se nëse ndodh që të mos keni ndonjë përvojë personale për t’iu përgjigjur një pyetjeje, është mirë të bëni një krahasim të ngjashëm dhe të thoni diçka të tillë si: “Unë nuk kam qenë ndonjëherë deri më tani në një situatë të tillë, por ja si mendoj që do të veproja”.
Gabimi më i madh që Space ka vënë re, është kur kandidatët përpiqen të gënjejnë, në vend që të pranojnë ato gjëra që nuk dinë.
Space tha se e ka vënë re këtë kur një kandidate për punë po intervistohej për t’u bërë menaxhere e BNJ dhe iu kërkua që të shpjegonte se si do ta trajtonte një situatë specifike në lidhje me marrëdhëniet me punonjësit.
Kandidatja tregoi një histori që supozohej se bazohej në përvojën e saj, por “detajet ndryshonin vazhdimisht”, tha Space. “Sa më shumë pyetje që bënte menaxheri, aq më shumë rrëzohej e gjithë historia, derisa u bë shumë e qartë që ajo e kishte sajuar këtë histori.”
“Kjo pati një ndikim shumë më negativ te kandidatja nga sa mund të mendonte ajo”.
Gabimi më i madh që mund të bëjë një kandidat është që “t’i bie rrotull përgjigjes” kur nuk e di atë, sipas Mary Abbajay, presidente e agjencisë së konsulencës për zhvillimin e lidershipit, Careerstone Group.
“Kandidatët mendojnë se nëse flasin për një kohë të gjatë, intervistuesi do të mendojë se kandidati po i përgjigjet pyetjes. Mos e bëni këtë,” – tha ajo. “E folura pa kuptim tregon që nuk keni aftësi të mira komunikimi. Duket sikur ju thjesht po përpiqeni të më shpërqendroni mua me fjalë, sepse nuk e dini se për çfarë po flisni.”
Lawrese Brown, themeluesja e C-Track Training, një kompani edukimi, theksoi se jo të gjitha pyetjet e intervistës janë të formuluara qartë dhe ju jepni një imazh më të mirë nëse kërkoni sqarime kur keni nevojë. Gjithashtu, kjo është në favorin tuaj, sepse fitoni më shumë kohë për të menduar përgjigjen.
Nëse ndiheni se po bëheni nervoz, tha Space, ju gjithashtu mund të përdorni humorin në avantazhin tuaj dhe të pranoni se keni nevojë që ta jepni përgjigjen edhe një herë nga e para.
Përtej kualifikimeve bazë, kompanitë e dinë që kandidati nuk mund të ketë përgjigjen për çdo pyetje, kështu që nuk do të kishte ndonjë problem që të pranoni se nuk keni ndonjë aftësi të caktuar ose nuk jeni përballur ndonjëherë me atë problem specifik, tha Tejal Wagadia, një rekrutuese për një kompani të madhe në fushën e teknologjisë.
“Ekziston ky perceptimi i çuditshëm që të gjitha kompanitë kërkojnë kandidatin që i plotëson të gjitha kualifikimet,” tha ajo.
Por, nuk duhet të thoni thjesht “nuk e di” kur jeni në vështirësi. Ju duhet të tregoni se jeni të gatshëm për ta mësuar këtë aftësi të re. Nëse thoni diçka si, “Unë nuk e di këtë, por jam i gatshëm ta mësoj.”, kjo tregon gatishmërinë tuaj për të mësuar gjëra të reja, tha Wagadia.
Çështja më e rëndësishme është që të vërtetoni se jeni kandidati më i mirë për këtë punë dhe të lidhni përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën me atë që kërkon puna.
“Asnjëherë mos thuaj: ‘Unë nuk e kam këtë eksperiencë’ dhe ta lini me kaq,” tha Ashley Watkins, një rekrutuese me përvojë. “Ju duhet të mbroni veten tuaj dhe të krijoni lidhjen midis gjërave që keni bërë dhe mënyrës se si integrohen ato me rolin e ri. Jini të sinqertë dhe mos gënjeni duke thënë se keni ekzaktësisht eksperiencën që kërkohet.”
Mos harroni se edhe intervistuesit janë në siklet.
Dhe mos harroni: Ju po intervistoni një kompani, po aq sa po ju interviston edhe kompania ju. Mënyra se si ata përgjigjen kur ju e pranoni se keni nevojë për ndihmë ose sqarime për një pyetje, mund të tregojë shumë për vlerat e kompanisë.
“Nëse një menaxher apo një kompani nuk pranon vulnerabilitetin tuaj, kjo është një gjë e mirë,” tha Wagadia. “Kështu ju e kuptoni se kjo nuk është një kompani për të cilën do të donit të punonit, sepse kush kërkon punonjës që janë 100 për qind të përsosur?!” / Huffington Post-Përktheu Monitor