Lidhu me ne

Kioske

Kush ishte më i keq?

indir (1)

Timothy Snyder/The New York Review of Books

Kur kujtomë çlirimin e Aushvicit nga Ushtria e Kuqe (27 janar 1945), mund të bëjmë pyetjen: kush ishte më i keq, Hitleri apo Stalini?
Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, amerikanëve u mësohej t’i shikonin të dyja, Gjermaninë naziste dhe Bashkimin Sovjetik, si të këqijat më të mëdha. Hitleri ishte më i keq, sepse regjimi i tij prodhoi tmerrin e pashoq të Holokaustit, përpjekja për të zhdukur një popull të tërë për shkaqe raciste. Megjithatë, Stalini ishte gjithashtu më i keq, sepse regjimi i tij vrau shumë më shumë – dhjetëra miliona, ishte pretendimi – në Gulag. Për dekada, edhe sot madje, ky besim për dallimin mes dy regjimeve – cilësia përballë sasisë – ka përcaktuar rregullat bazë për politikën e përkujtimit. Edhe historianët e Holokaustit përgjithësisht e marrin si të mirëqenë që Stalini vrau më shumë njerëz se Hitleri, duke e vendosur veten nën presion të theksojnë karakterin e veçantë të Holokasutit, sepse kjo është ajo çfarë e bëri regjimin nazist më të keq se stalinizmin.

Diskutimi i shifrave mund të mpijë ndjeshmërinë tonë për karakterin personal të tmerrshëm të çdo vrasjeje dhe tragjedinë e pandryshueshme të secilës vdekje. Siç e di gjithkush që ka humbur një person të dashur, dallimi mes zeros dhe njëshit është i pafundëm. Megjithëse e kemi më të vështirë të rrokim këtë, e njëjta gjë është e vërtetë për dallimin mes, le të themi, 780,862 dhe 780,863 – që rastis të jetë vlerësimi më i mirë për numrin e njerëzve të vrarë në Treblinka. Shifrat e mëdha kanë rëndësi sepse janë akumulim i numrave të vegjël: që do të thotë, jetë individuale të çmuara. Sot, rreth dy dekada hapjeje të arkivave të Europës Lindore, dhe falë punës së studiuesve gjermanë, rusë, izraelitë dhe të tjerë, ne mund të zgjidhim çështjen e numrave. Numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë nga gjermanët – rreth 11 milionë – është pak a shumë shifra që mendonim. Megjithatë, numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë nga sovjetikët është goxha më i vogël nga sa besonim. E dimë që gjermanët vranë më shumë njerëz se sovjetikët. Pasi e thamë këtë, çështja e cilësisë është më e ndërlikuar sesa kemi menduar. Vrasjet masive në Bashkimin sovjetik herë-herë bëheshin për motive, veçanërisht ato për arsye kombësie dhe etnie, shumë të afërta me ato të nazistëve.

Mësohet se, me përjashtim të viteve të luftës, një shumicë e madhe e njerëzve që hynë në Gulag dolën andej gjallë. Duke gjykuar nga dokumentet sovjetike që kemi tani, numri i njerëzve që vdiqën në Gulag në periudhën 1933-1945, kur ishin në pushtet Stalini dhe Hitleri, ishte rreth një milionë, ndoshta pak më shumë. Terrori i Madhe dhe aksione të tjera ekzekutimi nuk vranë më shumë se një milionë njerëz, ndoshta pak më pak. Katastrofa njerëzore më e madhe e stalinizmit ishte uria e periudhës 1930-33, kur vdiqën nga uria më shumë se pesë milionë njerëz.
Prej atyre që vdiqën nga uria, rreth 3.3 milionë banorë të Ukrainës Sovjetike që vdiqën më 1932 dhe 1933 ishin viktima të një politike vrasëse të qëllimshme lidhur me kombësinë. Në fillim të 1930-ës, Stalini e kishte bërë publik synimin për “likuidimin” e fshatarëve të pasur (kulakëve) si klasë që shteti të kontrollonte bujqësinë dhe të përdorte pasurinë e fshatit për ndërtimin e industrisë. Dhjetëra mijëra njerëz u vranë nga policia shtetërore sovjetike dhe qindra mijëra u dëbuan.

Ata që mbetën humbën tokën dhe ata që mbetën vuajtën shpesh nga uria sepse shteti u merrte ushqimet për eksport. Viktimat e para të urisë ishin nomadët e Kazakistanit sovjetik, ku vdiqën rreth 1.3 milion njerëz. Uria u përhap në Rusinë Sovjetike dhe arriti kulmin në Ukrainën Sovjetike. Stalini rekuizoi grurin në Ukrainën Sovjetike duke e ditur se një politikë e tillë do të vriste miliona. Duke fajësuar ukrainasit për dështimin e politikës së tij, ai urdhëroi një sërë masash – si mbyllja e kufijve të asaj republike sovjetike – e cila garantoi vdekjet masive.

Më 1937, pasi vizioni i tij për modernizim u zbeh, Stalini urdhëroi Terrorin e Madh. Për shkak se tani kemi urdhrat e vrasjeve dhe kuotat e vdekjeve, të pa depërtueshme gjatë kohës që ekzistonte Bashkimi Sovjetik, ne e dimë që ky numër nuk ishte në miliona. Ne dimë gjithashtu se, si në fillimi të viteve 1930, viktimat kryesore ishin fshatarët, shumica e tyre të mbijetuar nga uria dhe kampet e përqendrimit. Autoritetet më të larta sovjetike urdhëruan ekzekutimin e 386,798 në “Operacionin kundër kulakëve” të periudhës 1937-38. “Armiq” të tjerë kryesorë gjatë këtyre viteve ishin njerëz që u përkisnin minoriteteve kombëtare, të cilët mund të identifikoheshin me shtete kufitare me Bashkimin Sovjetik: 247,157 qytetarë sovjetikë u vranë nga NKVD (KGB më vonë) aksione etnike ekzekutimi.

Në aksionin më të madh të kësaj natyre, “Operacioni polak” që nisi në gusht 1937, u akuzuan për spiunazh dhe u vranë 111,091 njerëz. Në tërësi, gjatë Terrorit të Madh u vranë 682,691 njerëz, shifër së cilës mund t’i shtohen dhe disa qindra mijëra qytetarë sovjetikë të ekzekutuar në aksione më të vogla. Shifra e përgjithshme e civilëve të vrarë qëllimisht nga Stalini, rreth gjashtë milionë, është, sigurisht, tmerrësisht e lartë. Por shumë më e ulët se njëzet milionë a më shumë që vlerësoheshin se ishin para se të hapeshin arkivat sovjetike. Në të njëjtën kohë, ne shikojmë që motivet e këtyre aksioneve vrasëse ishin shumë më shpesh kombëtare, ose etnike, sesa kishim menduar. Vërtetë ishte Stalini, jo Hitleri, ai që nisi fushatat vrasëse etnike në Europën mes luftërave.

Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, regjimi i Stalinit ishte me distancë të madhe më vrasësi prej të dyve. Gjermania naziste nisi të vriste në shkallën e sovjetikëve vetëm pas Paktit Molotov-Ribbentrop në verën e 1939-ës dhe pushtimit të përbashkët gjermano-sovjetik të Polonisë në shtator. Rreth 200,000 civilë polakë u vranë në periudhën 1939-41, secili regjim përgjegjës për rreth gjysmën e këtyre vdekjeve. Kjo shifër përfshin rreth 50,000 qytetarë polakë të vrarë nga policia sekrete gjermane dhe ushtarët në vjeshtën e 1939-ës, 21,892 qytetarë polakë të vrarë nga NKVD sovjetike në masakrën e Katinit në verën 1940-ës, dhe 9,817 qytetarë polakë të vrarë në qershor 1941 në një operacion të shpejtë të NKVD pasi Hitleri tradhtoi Stalinin dhe Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik. Duke shfrytëzuar luftën si murojë dhe pushtimin e Polonisë, regjimi nazist vrau gjithashtu personat me të meta mendore ose fizike në programin e “eutanazisë” në shkallë të gjerë, që llogaritet të ketë shkaktuar 200,000 vdekje. Ishte ky aksion që solli përdorimin e mbytjen me monoksid karboni si teknikë vrasjeje.

Përtej shifrës së të vrarëve mbetet çështja e synimit. Shumica e vrasjeve sovjetike u kryen në kohë paqeje, dhe ishin të lidhura pak a shumë me një vizion ideologjik për modernizmin. Gjermania mban përgjegjësinë kryesore për luftën, dhe vrau civilë thuajse ekskluzivisht në lidhje me praktikumin e imperializmit racist. Gjermania pushtoi Bashkimin Sovjetik me plane kolonizimi të përpunuara. Tridhjetë milionë qytetarë sovjetikë do të vdisnin nga uria, dhjetëra milionë do të vriteshin, skllavëroheshin, ose asimiloheshin. Plane të tilla, megjithëse të papërmbushura, ofroi arsyen e pushtimit më të përgjakshëm në historinë e botës. Gjermanët i vendosën robërit sovjetikë të luftës në kampe urie, ku 2.6 milionë u zhdukën nga uria dhe një gjysmë milionë (jo proporcionalisht çifutë) u ekzekutuan. Një milionë qytetarë sovjetikë vdiqën nga uria gjatë rrethimit të Leningradit. Në “reprezalje” kundër veprimeve partizane, gjermanët vranë rreth 700,000 civilë në ekzekutime masive groteske, shumica e tyre bjellorusë dhe polakë. Nga fundi i luftës sovjetikët vranë vetë dhjetëra mijëra njerëz gjatë “reprezaljeve” të tyre, sidomos në shtetet baltike, Bjellorusi, dhe Ukrainë. Rreth 363,000 ushtarë gjermanë vdiqën si robër në duart e sovjetikëve.

Hitleri erdhi në pushtet me synimin e eliminimit të çifutëve nga Europa; lufta në lindje tregoi se kjo mund të bëhej me vrasje masive. Pak javë pas sulmit të Gjermanisë (dhe aleatëve të saj finlandezë, rumunë, hungarezë, italianë dhe të tjerë) ndaj Bashkimit Sovjetik, gjermanët, me ndihmë nga vendasit, zhduknin komunitete çifute të tëra. Deri në dhjetor 1941, kur duket që Hitleri ka komunikuar dëshirën e tij që të vriteshin të gjithë çifutët, ndoshta një milionë kishin vdekur tashmë në Bashkimin Sovjetik të pushtuar. Shumica ishin vrarë me armë, por mijëra ishin asfiksuar me gaz. Prej 1942, monoksidi i karbonit përdorej në fabrikat e vdekjes në Chełmno, Bełżec, Sobibór, dhe Treblinka për të vrarë çifutët polakë dhe ca evropianë. Ndërsa Holokausti u përhap në pjesën tjetër të Europës së pushtuar, të tjerë çifutë u mbytën me gaz cianidi në Auschwitz-Birkenau.

Në tërësi, gjermanët, me shumë ndihmë nga vendasit, vranë qëllimisht rreth 5.4 milionë çifutë, rreth 2.6 milionë me ekzekutim dhe 2.8 milionë me gaz (rreth 1 milionë në Auschwitz, 780,863 në Treblinka, 434,508 në Bełzec, rreth 180,000 në Sobibór, 150,000 në Chełmno, 59,000 në Majdanek, dhe shumicën e pjesës tjetër në furgonë me gaz në Serbi dhe Bashkimin Sovjetik të pushtuar). Disa qindra mijëra çifutë vdiqën gjatë dëbimit për në geto ose nga uria dhe sëmundjet në geto. Rreth 300 000 çifutë u vranë nga aleatja e Gjermanisë, Rumania. Shumica e viktimave të holokaustit kishin qenë qytetarë polakë ose sovjetikë para lufte (3.2 milionë dhe 1 milionë respektivisht). Gjermanët vranë gjithashtu dhe më shumë se njëqind mijë romë.

Në total, gjermanët vranë qëllimisht rreth 11 milionë njerëz jo ushtarakë, një shifër që rritet në 12 milionë nëse përfshihen vdekjet nga dëbimet, uria, dhe dënimet në kampet e përqendrimit. Për sovjetikë gjatë periudhës së Stalinit, shifrat analoge janë afërsisht gjashtë milionë dhe nëntë milionë. Këto shifra sigurisht që mund të rishikohen, por gjasat janë të pakta që do të ndryshojnë në mënyrë aq radikale sa ndryshuan me hapjen e arkivave të Europës Lindore më 1990. Për shkak se gjermanët vranë kryesisht në toka që më vonë mbetën pas Perdes së Hekurt, hyrja në arkivat e Europës Lindore ka qenë për njohjen e Gjermanisë naziste po aq e rëndësishme sa kërkimet për vetë Bashkimin Sovjetik. (Regjimi nazist vrau rreth 165 ]mijë çifutë gjermanë.)
Përveç pamundësisë për të parë arkivat, pse ishin pohimet e mëparshme kaq të gabuara? Një shpjegim është lufta e ftohtë. Aleancat tona evropiane të luftës dhe pasluftës kërkonin një masë morale të caktuar dhe fleksibilitet historik. Më 1939, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë ushtarakë. Në fund të 1941-it, pasi gjermanët sulmuan Bashkimin Sovjetik dhe Japonia SHBA, Moska e shkëmbeu Berlinin për Uashingtonin. Më 1949, aleancat ndërruan sërish, SHBA dhe Republika Federale e Gjermanisë së bashku në Nato, përballë kishin Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e saj evropianolindorë, përfshi të voglën Republikë Demokratike Gjermane. Gjatë luftës së ftohë, herë-herë ishte e vështirë për amerikanët të shikonin qartë karakteristikat e këqija të nazistëve dhe sovjetikëve. Hitleri kishte kryer Holokasutin, por tani gjermanët ishin aleatët tanë. Edhe Stalini kishte vrarë miliona njerëz: por disa nga episodet më të këqija, të ndoshura para lufte, ishin kaluar në heshtje nga propaganda amerikane gjatë luftës, kur ishim në të njëjtën anë.
Ne krijuam aleancën me Stalinin pikërisht në fund të viteve më vrasëse të stalinizmit, dhe pastaj bëmë aleancë me shtetin e gjermanëve perëndimorë pak vjet pas Holokaustit. Ndoshta nuk ishte e habitshme që në mjedisin intelektual u shfaqën pozicione kompromisi të caktuara në lidhje me krimet e Hitlerit dhe Stalinit – që të dy, për pasojë, ishin më të këqijtë – dhe u bë dije konvencionale.

Një kuptim i ri i shifrave, sigurisht, është vetëm një pjesë e çdo krahasimi të mundshëm, dhe në vetvete lindin pyetje të reja për sasinë dhe cilësinë. Si të numërohen vrasjet e Luftës së Dytë Botërore në Europë, që s’janë marrë parasysh këtu? Ajo ishte një luftë që Hitleri e donte, e kështu përgjegjësia më e madhe bie mbi gjermanët; por ajo nisi me një aleancë gjermano-sovjetike dhe me një bashkëpunim për pushtimin e Polonisë më 1939. Diku afër shifrave të Stalinit e kanë vendin dhe tridhjetë milionë a më shumë kinezët e vdekur nga uria gjatë Hopit të Madh Përpara, kur Mao ndoqi modelin stalinist të kolektivizimit. Cilësia e veçantë e racizmit gjerman nuk prishet nga vëzhgimet historike që motivet e Stalinit herë-herë ishin kobëtare ose etnike. Thjesht gropa e së keqes thellohet.

Afërsia themelore e të dy regjimeve, në pikëpamjen time, nuk është ideologjike, por gjeografike. Duke pasur parasysh që nazistët dhe stalinistët ishin të prirë të vrisnin në të njëjtin vend, në terrenin mes Berlinit dhe Moskës, dhe duke pasur parasysh që ata ishin, në kohë të ndryshme, rivalë, aleatë, dhe armiq, ne duhet ta shikojmë seriozisht mundësinë që një pjesë e vdekjeve dhe shkatërrimit të bërë në këtë terren ishte përgjegjësi e përbashkët e tyre. Çfarë mund të themi për faktin, për shembull, që teritoret që vuajtën më shumë gjatë luftës ishin ata që u pushtuan jo një herë apo dy herë, por tre herë: nga sovjetikët më 1949, nga gjermanët më 1941, nga sovjetikët sërish më 1944.

Holokausti nisi kur gjermanët provokuan masakra në qershor dhe korrik 1941, në të cilat u vranë 24 000 çifutë, në territore në Poloni të aneksuara nga sovjetikët në më pak se dy vjet më parë. Nazistët e kishin planifikuar eliminimin e çifutëve, por vrasjet e mëhershme të bëra nga NKVD sigurisht që e bënë më të lehtë për jo çifutët lokalë të justifikonin pjesëmarrjen e tyre në fushata të tilla. Siç kam shkruar në librin Bloodlands, ku diskutohen masakrat kryesore të nazistëve dhe sovjetikëve, ne shikojmë, edhe gjatë luftës gjeromano-sojetike, kaq shumë episode bashkëfajësie në të cilat njëra palë vrau më shumë sepse u provokua ose, në një farë mënyre, u ndihmua nga tjetra. Gjermanët kapën aq shumë robër lufte sovjetikë, pjesërisht ngaqë Stalini i urdhëroi gjeneralët e tij të mos tërhiqeshin. Gjermanët vranë aq shumë civilë pjesërisht sepse partizanët sovjetikë provokonin qëllimisht me anë të reprezaljeve. Gjermanët vranë më shumë se njëqind mijë civilë në Vrashavë më 1944, pasi sovjetikët u kërkuan civilëve të ngriheshin dhe pastaj nuk i ndihmuan. Në Gulagun e Stalinit vdiqën 516,543 në periudhën 1941-41, të dënuar nga sovjetikët me punë, por mbetën pa ushqim nga pushtimi gjerman?
A ishin këta njerëz viktima të Stalinit apo Hitlerit? Apo të dyve?/Postbllok

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Anita Haradinaj nuk mban dot lotët: Kam kaluar 3 aborte të vështira!

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, Anita ishte e ftuar në podcastin e Orinda Hutës “Mam”, ku beri disa rrefime te patreguara...

Mix2 ditë më herët

Nudo dhe seksi, Belen Rodriguez publikon FOTOT HOT në vaskë

Belen Rodriguez ka publikuar foto nudo në vaskën e shtëpisë së saj të re. Bukuroshja argjentinase shfaqet provokuese dhe e...

Mix2 ditë më herët

Sa para do të përfitojë Donald Trump nga mandati i tij i dytë?

Shkruar nga Jill Filipovic Trump kaloi 1 nga çdo 3 ditë të 3 viteve të tij të para në detyrë...

Radar3 ditë më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix3 ditë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore3 ditë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix3 ditë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport3 ditë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix4 ditë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix4 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Facebook