Lidhu me ne

Temporal

Të humbësh tre fëmijë në internim

“Nëna takohet me nëndrejtorin e kampit, që quhej Syrja. I drejtohet me fjalët:-Zotni, më ka vdekur djali!-Mirë e ka bërë-i përgjigjet ai.” Historia plotë e familjes së Ramazan Habilit që humbi tre fëmijë dhe dy nipër në internim, ndërsa Ramazani dhe një djalë tjetër i tij, Hamidi, u vranë në mal

Studiuesi Kastriot Dervishi postoi para disa ditësh në faqen e tij në FB, foton e një gruaje në mes të dy fëmijëve të saj, që i mbante prej duarsh. Në postimin “Të humbësh tre fëmijët në internim”, përshkruhet sesi zonjës Vathe Habili, bashkëshortes së Ramë Habilit, gruaja në qendër të fotos, i vdiqën tre fëmijë në Berat dhe Tepelenë ku e internuan familjen e tyre, pasi Ramazani, ishte arratisur në mal bashkë me nacionalistë të tjerë antikomunistë.

Nuk duhen shumë fjalë, as nuk dalin shumë, për të përshkruar përmasat e kësaj tragjedie, por kujto.al kërkoi të mësonte më shumë detaje, nisur nga komenti i Peter Saraçit, që shkruante se ai e njihte historinë e Vathe Habilit dhe familjes së saj. Peter Saraçi është djali i Fatbardha Saraçi Mulletit, një nga autoret më të rëndësishme të librave që dëshmojnë vuajtjet e viktimave të diktaturës dhe historia e familjes Habili është pjesë e librit të parë të saj, “Dhimbje”, botim i ISKK.

Kjo histori rrëfehet nga Asije Habili, vajza e Ramë dhe Vathe Habilit, në pak radhë të thukëta me atë ndjenjën që i jep titullin tërë këtij botimi dhe prej saj, mëson se ajo tragjedia rrëqethëse për të cilën flet në postimin e tij Kastriot Dervishi, ka qenë edhe më e rëndë për këtë familje.

Asija tregon në librin e Fatbardha Saraçi Mulletit, sesi i ati, bir i një familjeje të pasur dhe të njohur kavajase, kishte marrë pjesë në mbrojtjen kundër pushtuesve në vitin 1939 dhe më pas ishte bashkuar me nacionalistët dhe që nga viti 1944 konsiderohej armik nga komunistët, për këtë arsye ishte arratisur në mal, bashkë me një nga djemtë e tij, Hamidin dhe nacionalistë të tjerë. Për shtatë vjet me radhë, Ramën nuk e kapën dot dhe në vitin 1951, ai ndërroi jetë, me shumë mundësi i helmuar. Edhe djali i tij, Hamidi, u vra në mal. Por ndërkohë, që Rama po kthehej në një legjendë të gjallë që nuk e zinte plumbi, regjimi komunist goditi familjen e tij të pambrojtur.

U internuan të gjithë: bashkëshortja Vathe dhe fëmijët, AsijaXhevatiQefserejaMukadesi dhe Nexhmija; njerka e Ramës, Pashja; motra, Laja me djalin e saj Osmanin; nusja e një prej djemve, Hamidit, që ishte në mal, Nafija, e cila ishte shtatzënë si dhe vëllai i Ramës, Dalipi.

“Na internuan në Berat në lagjen “Mangalem”, më vonë në Kalanë e Beratit. Na çonin në Kuçovë të punonim në bujqësi, pa kurrfarë pagese, pra punë të detyruar. Këtu na mbajtën katër vjet. Këtu na vdiqën Nexhmija, motra e vogël trevjeçare dhe Fatmira gjashtë muajshe (vajza e djalit të Ramës, Hamidit, e cila lindi në internim, pasi e ëma, Nafija ishte shtatzënë kur i internuan)…Këtu sëmuret edhe Mukadesi, enjtet në trup, me sa mbaj mend kishte problem me veshkat…asnjë mjekim nuk iu dha, nuk e shtruan në spital…Ndërkohë na transferojnë në kampin e Tepelenës”, tregon Asija.

U vendosën në Turan, ku vuajtjet ishin të paimagjinushme.

“Na lanë tetë ditë pa bukë. Ndërkohë, drurët e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet që filluam t’i ziejmë sa për të shuar urinë. Në këto kushte Desi-motra ime tetëvjeçare, vdiq nga uria. E varrosëm Design e vogël në shpatin e Kodrës në Turan. E futën direkt në tokë, pa arkivol apo dërrasë varri, që mund të mbronin kufomën. E mbuluan me gurë.”

Kastriot Dervishi, sipas të cilit, vajza e vogël u nda nga jeta më 3 qershor 1949, shkruan se “nga të dhënat paraprake, rezulton se Mukadesi është fëmija i parë i vdekur në Kampin e Tepelenës së bashku me një foshnje tjetër disamuajshme me emrin Fijar nga Thethi i Shkodrës”.

Pas një viti, nga Turani, ku rrinin përtokë, i zhvendosën në kampin e Tepelenës të përbërë nga kazermat ushtarake që kishin lënë pas italianët. Ushqeheshin me racion nga një kazan i përftuar nga pjesa e poshtme e një fuçie të prerë në mes, ku në pesëdhjetë litra ujë zienin 3-4 kg makarona, nga të cilat zor se binte ndonjë në racion, ose presh të palarë me rrënjë e gjethe të kalbura. Puna e detyrueshme vazhdonte. Zbrisnin drutë të lidhura në shpinë me litar, si kafshë barre, nga mali i Bënçës në kamp ose në rrugën automobilistike. Nuk kishte asnjë tolerancë nëse sëmureshin ose plagoseshin në punë. Asija tregon sesi një herë, kur kishte dëmtuar këmbën aq sa mezi ecte, përgatiti një barrë më të lehtë drush, por kur e pikasi polici, i bërtiti, ia rrasi barrën me këmbë dhe i ngarkoi sipër barrën e një gruaje tjetër duke e detyruar të zbriste dyfish e ngarkuar.

“Në këtë kamp, ishte muaji gusht, një vit pas vdekjes së Desit, Xhevatin e zuri dizenteria, u sëmur të premten, pas tetë ditësh dha shpirt. Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç…

Nëna takohet me nëndrejtorin e kampit, që quhej Syrja. I drejtohet me fjalët:

-Zotni, më ka vdekur djali!

-Mirë e ka bërë-i përgjigjet ai.

-Mirë thua ti, por unë kam hall ta varros, e s’kam qefin,-i thotë nëna e shkretë…

-Ka sa të duash fier, gurë, dhe!-ia ktheu zyrtari me emrin Syrja.

Na ndihmuan të rregullojmë një arkivol. Një grup pleqsh e morën dhe e varrosën te këmbët e urës së Tepelenës, rreth 400 m nga kampi.”

Ishin mbushur 5 vite në internim. Vathe Habili kishte humbur tre fëmijë, Nexhmijen 3 vjeç në Berat dhe Mukadesin e Xhevatin, fëmijët që mban për dore në foto, tetë dhe trembëdhjetëvjeç në Tepelenë. Torturat shpirtërore dhe fizike për familjen do të vazhdojnë.

Asija tregon se një vëlla tjetër i saj, Ragipi, duke qenë i ri dhe i fuqishëm për punë, ishte internuar në Vlorë ku punonte me bashkëvuajtës të tjerë në punë më të rënda, ndërsa xhaxhai Dalipi nga përndjekja, dhuna, dhembjet shpirtërore, humbi kthjelltësinë mendore dhe shpesh e gjeje të mbledhur kruspull, të pagjumë, me sy të skuqur, duke u dridhur dhe duke thënë: “Po vijnë të na marrin e të na pushkatojnë”.

Në atë gjendje e morën nga Tepelena dhe e çuan në Porto-Palermo, bashkë me të motrën Lajen, ku ajo humbi të birin Osmanin. Ishte fëmija i pestë i asaj familjeje të internuar në vitin 1945, që dha shpirt në internim. I liruan në vitin 1951. Atëherë kur Ramën e helmuan dhe të birin Hamidin ia vranë në mal.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Temporal2 ditë më herët

“Pse u ndërtuan 230 mijë bunkerë në Shqipëri” – Flet ish-koloneli: Mbrojtja e Shqipërisë ishte unike në botë

Koloneli Foto Duro i cili ka shërbyer për rreth 35 vjet në Forcat e Armatosura Shqiptare, i ftuar në emisionin...

Radar2 ditë më herët

Treshja e frikshme! Gazetari tregon vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri

Julian Sinanaj Sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, tre janë vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri. Ai tha se Enver...

Mix2 ditë më herët

A ju ndihmon tërshëra të humbni peshë?

A ju ndihmon tërshëra të humbni peshë? Drithëra jashtëzakonisht të gjithanshme, të përshtatshme për çdo kohë të ditës. Në mëngjes,...

Radar2 ditë më herët

Pse Ilir Meta nuk pranon ta takojë në burg Monika Kryemadhin?

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në një intervistë me shkrim nga burgu 313, për emisionin “Now” në...

Kryesore2 ditë më herët

Ose Sy i keq, ose Dikush sjell ters përherë

Marrëveshja me Shqipërinë shndërrohet ne katastrofë politike për Melonin. Kështu shkruan gazeta “The Guardian” që cilëson se marrëveshja e imigrantëve bie në...

Mix3 ditë më herët

Ekspozita e Huntington, paralajmërimet e ndryshimit të klimës në pikturat e shekullit të 19-të

Një ekspozitë e re në Bibliotekën Huntington, Muzeun e Artit dhe Kopshtin Botanik, afër Los Anxhelosit, titulluar “Storm Cloud: Picturing...

Mix3 ditë më herët

Pedro Pascal prezanton ‘Gladiator 2’ bashkë me motrën e tij trans

Lux zgjodhi një fustan të zi me një bisht të gjatë dhe një prerje shumë të guximshme anash. Pedro dhe...

Mix3 ditë më herët

Çfarë do ndryshojë me ardhjen e Trusk (Trump + Musk)

Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne...

Mix3 ditë më herët

Arra apo bajame, cilat janë më të mira për shëndetin?

Kur bëhet fjalë për frutat e thata, arrat dhe bajamet janë ndër varietetet më të vlerësuara, si në kuzhinë ashtu...

Mix3 ditë më herët

Cili është ndryshimi midis Miss Universe dhe Miss World?

Një nga konkurset më të rëndësishme të bukurisë në botë do të zhvillohet këtë fundjavë. Kjo është Miss Universe. Konkursi,...

Facebook