Radar
Ish-ministri i Drejtësisë apel Xhaçkës: Shpalle “non grata” Yuri Kimin për minim të demokracisë në Shqipëri
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i kërkon ministres së Jashtme Olta Xhaçka të shpallë “non grata” ambasadoren amerikane në vendin tonë Yuri Kim.
Kërkesa vjen pas deklaratës së Kim për kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit.
Në një postim në Twitter, Kim shkroi: Pyetje për kandidatët: Nëse sponsorizuesi kryesor i juaj është dikush i shpallur “non grata” për korrupsion domethënës, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do të jenë pronarët juaj nëse fitoni dhe çfarë detyrimi do të keni kundrejt tyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?
Për Manjanin, kjo është ndërhyrje në fushatë elektorale dhe minim të demokracisë në vend.
“Si shtetas i këtij shteti, i kërkoj Ministres së Jashtme të vendit tim, ta shpallë non grata zonjën në fjalë për ndërhyrje në një fushatë elektorale dhe për minim të demokracisë në vend”, shkruan Manjani në një postim në FB.
Sipas tij, veprimtaria e publike e ambasadores është në mbështetje të hapur të vendimeve korruptive të qeverisë dhe opozitës së korruptuar.
“Ndërkohë, Ata kandidatë që pyet zonja, i ka zgjedhë direkt anëtarësia dhe asnjë non gratë! Asnjë kushtetutë e vendeve të NATOS nuk lejon e as pranon ambasadorë të tillë! Në Amerikë zonja do ishte arrestuar, po t’ja bënte ndonjë kandidati këtë twitter”, përfundon Manjani.