Radar
Agron Shehaj publikon dokumentet: Klodian Zoto ‘shiti’ brenda ditës Inceneratorin e Tiranës, SPAK ta sekuestrojë
Deputeti i PD Agron Shehaj deklaron se krimi më i madh në aferën e inceneratorëve është ai i Tiranës.
Ndërsa publikon dokumentet zyrtare të kontratës dhe ekstraktit të regjistrit të pronarit përfitues, Shehaj shkruan në rrjetet sociale se Klodian Zoto mori kontratën në datën 31 gusht 2017 dhe po të njëjtën ditë e “shiti” sipas një vetëdeklarimi të paprovuar.
Ai bën thirrje që SPAK duhet ti shkojë kësaj çështje deri në fund dhe të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës.
“Krimi më i madh në aferën e inceneratorëve është ai i Tiranës. Klodian Zoto është fituesi dhe kontraktuesi i koncesionit të inceneratorit të Tiranës me një vlerë prej rreth 430 milionë euro. Zoto mori kontratën në datën 31 gusht 2017 dhe po të njejtën ditë e “shiti” sipas një vetëdeklarimi të paprovuar.
Kjo do të thotë se të tre inceneratorët janë një aferë korruptive me të njëjtët autorë. Në Elbasan, Fier dhe Tiranë është Qeveria Rama që pranoi propozimin, është i njëjti ministër që firmos, Lefter Koka, dhe është po i njëjti përfitues, Klodian Zoto.
SPAK ka provuar korrupsionin në inceneratorin e Elbasanit. Ka identifikuar edhe kompanitë fiktive, të cilat janë përdorur për dhënien e ryshfetit. Të njëjtat kompani që kanë marrë pagesat e ryshfeteve në Elbasan, rezultojnë se kanë marrë pagesa edhe nga inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës.
Është absurde që qytetarët shqiptarë të vazhdojnë të paguajnë milionë euro çdo muaj për Klodian Zoton, edhe pse ky është në kërkim për korrupsion.
Është e qartë se janë të njëjtët njerëz në të tre aferat. Por Tirana, që pjesa më e madhe e aferës së incenetorëve, nuk preket.
Vonesa e SPAK për të vepruar mbi inceneratorin e Tiranës është e pajustifikueshme. SPAK duhet ti shkojë kësaj çështje deri në fund, të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës dhe të ndalë vjedhjet”, shkruan Shehaj.