Radar
Çeshtja “Toyota Yaris”/ Berisha paralajmëron: Do e merrni vesh shumë shpejt, Basha do të jetë në pozita të tjera
Ish-lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim me fermerët e zonës Ana e Malit në Shkodër, i shoqëruar nga kryebashkiakja Voltana Ademi dhe kandidati për kryetar, Bardh Spahia.
Përveç qeverisë, Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, të cilin e konsideroi jo lider.
“PD këto 8 vite ka pasur në krye një burrë të dobët në të gjitha aspektet. Ai nuk u bë lider ndonjëherë. Ai nuk fiton pasi nuk di si udhëhiqet. Të gjithë shqiptarët po t’i pyesësh çfarë është, është lider i dobët. Plus standardin e ulët që ka treguar në këto muaj si politikan”, tha Berisha.
Ky i fundit solli në vëmendje përfshirjen e Bashës në çështjen “Toyota Yaris”. Ai paralajmëroi zhvillime lidhur me këtë çështje, ndërsa u shpreh se kryeministri Edi Rama tentoi t’ia mbylltë Bashës këtë çështje.
“Ky është i vetmi politikan me dy hetime ndërkombëtare. Nëse ti, zyrtar, ngrihesh dhe dekonspiron një operacion të policisë belge, gjermane, italiane e shqiptare, ligjet e të gjitha këtyre vendeve të kapin, për bashkëpunëtor.
Edi Rama ja mbylli dosjen për dekonspirim, që i hapi prokuroria, por belgët nuk ja mbyllën. Belgët erdhën për së dyti, dhe e patë sa i thartur doli, e vërteta është se herën e tretë ai do jetë në pozita krejt tjera, siç do ta merrni vesh shumë shpejt”, deklaroi Berisha.