Radar
Nënë Liza tregon si ia prishën shtëpinë: Na tërhoqën zvarrë, nuk më lanë të marr as rrobat e vdekjes! Jetoj tek rrënojat
Liza Marku – Nënë Liza
Prishja e banesave në zonën e “5 Majit” në Tiranë ka nxjerrë prej ditësh qytetarët në protesta. Simboli i këtyre protestave është bërë edhe Liza Marku, e njohur nga të gjithë si “Nënë Liza”
E ftuar në emisionin “ Të Paekspozuarit” në MCN TV, ajo është shprehur se në shtëpinë që i shembën, banonte prej 20 vitesh. Nënë Liza dhe se jeton tek rrënojat e banesës.
“Jam 78 vjeçe, e lindur në Rrëshen dhe e martuar në një fshat të Rubikut. Erdhëm në Tiranë për jetë më të mirë për fëmijët. Menduam se kemi zënë vend, se jemi shqiptarë, por duket sikur kemi dalë ndryshe tani.
Kemi ardhur këtu prej mbi 20 vitesh. E blemë atë vend 16 milionë lekë. E gjetëm me ferra dhe kanalizime. Bëmë shtëpitë. Kur e blemë kemi marrë një letër, por si kushtuam rëndësi. Bëmë shtëpi me tre kate shtëpi, për të tre djemtë. Djali vogël ka shkuar që 15 vjeç në emigracion. Për zotin i del për borxh shtetit për ato që kemi. Jetuam mbi 20 vjet aty dhe asnjeri nuk na erdhi aty, vetëm pas këtij projekti. Para një viti nisi e gjitha. Kemi ditë që bëjmë protesta dhe asnjë i qeverisë nuk na ka ardhur. Ne kemi marrë vesh se aty do të bëhen kulla. Po vijnë alamet burrash për të ndërtuar aty. Burri më ka vdekur dhe shpëtoi se, të paktën s’e mori vesh se çdo të ndodhte dhe se do të prishej shtëpia.
Na lajmëruan pesë ditë para që do të prishej shtëpia. Në 19 janar erdhi turma e policisë sikur të kishim qenë në Afganistan. Djalin e madh e tërhoqën nga krahu, të voglin e futën në furgon. Iu thashë atyre, të marr ilaçet dhe të brendshmet e mia, të marr dhe rrobat e mia të vdekjes dhe nuk më lanë asgjë të merrja. Mbushën nja dy makina dhe ato nuk e di nga i çuan. Ky është shteti shqiptar se, po të ishte puna për luftë i merr djemtë e mi dhe i çon në Afganistan. Nuk më lanë të merrja asgjë vetëm rrobat e veshura. Nga ajo ditë kam jetuar te një dhomë e rrënuar pa drita dhe ujë. Kërkojnë të dhurojmë shtëpinë. Sa na kanë shembur shtëpitë na kanë çregjistruar nga gjendja civile emrat”, tha nënë Liza.