Kryesore
Budallallëku i një “debati” gazetaresk: Sali apo Salih? Më mirë të besojmë PPSh-në
Sali Berisha ka ndryshuar emrin. Edhe ditën e lindjes madje. E ka patur Salih dhe e ka bërë Sali. E ka patur 1 korrik e ka bërë 15 tetor. Ky është informacion ekskluziv i faqes “skandal.al” që po promovohet nga Brenda Parlamentit.
Sipas kësaj faqeje, lajmi i së cilës është marrë edhe nga media të tjera, Salih-u, apo Saliu, e ka bërë ndryshimin material në Gjendjen Civile në vitin 2009, kur ishte 65 vjeç. Madje ndryshime na paska patur edhe emri atësisë etj.. Thotë “skandal.al” për këtë “skandal”: “Te dy emrat jane aty ne regjister, here si Salih dhe, heren tjeter si Sali, por pa mundur te kuptosh se perse ndodh kjo. E njejta histori eshte edhe me atesine, emrin e babait pra. Edhe ai here shfaqet si Rame dhe heren tjeter si Ram. Nderkohe eshte po i njejti, Rame Berisha. Po e njejta histori eshte edhe me gruan. Edhe ajo here eshte Lirija e heren tjeter eshte Liri. Rregjistrat e deshmojne edhe kete. E vetmja e dhene personale qe figuron ne regjister e pandryshuar eshte ditelindja. Ne cdo flete, sa here qe shfaqet ajo eshte shume e qarte: 1 Korrik 1944. Atehere, perse Sali Berisha vendosi te ndryshoje diten e lindjes kur mbushi 65 vjec? Skandal.al insistoi shume per tu njohur me veprimet ligjore, standarde, ne nje rast te tille. Ka ndodhur qe ne 28 tetor 2009, nje prej oficereve te grupit te sigurise se ish kryeministrit, te mberrije ne zyren e gjendjes dhe te kerkoje ndryshimin e dites se lindjes ne rregjister e me pas edhe ne dokumentin e leshuar me kete ditelindje te re”.
Të na lejohet të ngremë ndonjë hipotezë: kjo duket si dorë, d.mth logjikë e Taulant Ballës. I cili dikur nga foltorja e Parlamentit tundi me të madhe, njëherë foton e Salih/Sali apo të tjerë, me Sokol Hoxhën dhe njëherë tjetër, teserën e Partisë së Punës së Shqipërisë, ku ishte anëtar Salih/Sali Berisha qëkurse Bashkimi Sovjetik pushtoi Çekosllovakinë.
Në këtë teser, të lëshuar në vitin 1989, duken qartë: dita e lindjes, emri, atësia. Që janë 15 tetor, atësia Ram, pra pa “ë” dhe emri Sali.
Kë të besojmë, “skandal.al” që paska insistuar kaq shumë, apo teserën e Partisë së Punës? Mendja na thotë Partinë, e cila nuk gabonte kaq kollaj.
Sa për ndryshimet materiale që vihen re në Gjendjen Civile të Saliut, apo Salihut, shumëkush e di, se e ka hequr në kurriz, pakujdesinë e punonjësve të Gjendjes Civile. Dhe për këtë krahasoni dëftesat me çertifikatat. Njësoj për ditëlindjet, kur 5 bëhet 15 e mandej detyrohesh të kërkosh unifikim dokumentacioni.
Këto, jo se Saliu ka nevojë të mbrohet nga Salihu, as t’i fshihet vapës së korrikut e të shkojë në tetor, se mori ça deshi nga ky vend, por të paktën një minimum serioziteti kërkohet për t’ia nxjerrë të “fshehtat” si duhet. Meqë qenka insistuar kaq shumë dhe janë vjedhur dy fletë në Gjendjen Civile./Respublica
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu