Radar
Rama paralajmëron pezullim të fondit për ekselencën: Nuk financojmë ata që ikin për të mos u kthyer
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të ketë një ndryshim sa i përket fondit të alokuar nga qeveria shqiptare, për studentët ekselentë që studiojnë në universitetet e ndryshme të vendit.
Sipas Ramës, këta studentë pavarësisht se kanë një kontratë me shtetin shqiptar dhe marrin një shumë të caktuar monetare prej tij, vendosin të mos kthehen më në Shqipëri, por të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në vendet ku janë shkolluar.
Rama paralajmëroi pezullimin e këtij fondit dhe rishikimin për një fond të ri për të gjithë ata studentë që studiojnë në Shqipëri, me kushtin që të qëndrojnë të paktën për një periudhë të caktuar kohe në vend, më qëllim shlyerjen e detyrimit.
“Sot në një diskutim me ministren e Arsimit po përgatisim spostimin e një fondi të konsiderueshëm të ekselencës nga pagesat për ata që ikin jashtë e nuk kthehen më në Shqipëri pavarësisht kontratës me shtetin shqiptar, dhjetëra mijëra euro që paguhen për ta, tek burimet e brendshme. E po strukturojmë një politikë të re që do mbështesë këtu studentët me xixa dhe pedagogët e rinj për të gjithë ciklin, për studimet, për masterat, doktoraturat e kështu me radhë me kushtin që të qëndrojnë në Shqipëri të paktën një periudhë kohe e të kthejnë detyrimin. Të rinjtë që kanë marrë diploma në universitetet më të njohura të botës duhet të kenë turp për faktin që kanë marrë një angazhim në vendin e tyre kanë marrë para nga vendi i tyre e kanë marrë përsipër detyrimin të kthehen për një periudhë të caktuar e ta sjellin këtu një pjesë të asaj dije që kanë marrë në funksion të kësaj shoqërie e ndërkohë kjo nuk ka ndodhur. Atëherë ne nuk do vazhdojmë më të financojmë, ata që ikin, për të mos u kthyer pavarësisht se firmosin me shtetin shqiptar, por do ndryshojë kahjen e këtij fondi. Ne kemi pedagoge shume te mire, por ngaqë janë bërë të gjithë si këmbët e dhisë, s’merr vesh i pari të dytët edhe mbi këta njerëz që janë kaq të çmuar për vendin bie një hije dyshimi dhe refuzimi për autoritetin e tyre”, deklaroi Rama.