Kryesore
Të varfër, por hallet globale janë më të rëndësishme
“Shqipëria është një vend dëshpërimisht i varfër”.
Kështu shprehet kryeministri britanik, David Cameron, teksa flet për Shqipërinë.
Por edhe pse të varfër, nuk do të thotë se nuk kemi mbi shpinë ‘halle globale’.
Kështu, njësoj si disa prej vendeve më të zhvilluara në planet, Shqipëria ka ndezur këto ditë debatin nëse duhet të lejohen martesat mes homoseksualëve.
Që të kuptohemi, nuk është një nismë që vjen nga brenda vendit, por me propozim nga lart.
Në kuadër të Reformës në Drejtësi, Shqipëria mund t’i hapë rrugë edhe martesave mes homoseksualëve, me një ndërhyrje në Kushtetutë.
Disa eksponentë të së djathtës janë investuar kundër këtij ndryshimi.
Një prej tyre është deputeti demokrat, Genc Ruli.
“Nuk besoj se i largohem shumë të vërtetës, por nga zyrtarë e diplomatë të huaj, ka një presion të vazhdueshëm për njohjen ligjore të martesave gej. Së pari, ndërhyrja në Kushtetutë po bëhet për t’i çelur rrugën një reforme jetike, asaj të sistemit të Drejtësisë, dhe jo për të liberalizuar më tej statusin ligjor të homoseksualëve, çka nuk ka po të njëjtën prioritet, sa edhe Reforma në Drejtësi,” tha Ruli për gazetën Panorama.
“Së dyti, komisioni i posaçëm i ekspertëve për Reformën në Drejtësi shkel rëndë mbi dinjitetin e shqiptarëve, kur, me një lloj hileje, fut këtë shtesë në Kushtetutë. Sot janë të pakta vendet europiane e perëndimore, që i njohin ligjërisht martesat gej”.
Por hallet globale të shqiptarëve nuk mbarojnë këtu.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se nga Tirana, Asambleja Parlamentare e NATO-s i ka dërguar një sinjal të fortë Rusisë.
“Asambleja Parlamentare e NATO-s u ka bërë thirrje anëtarëve të aleancës për të qëndruar ndaj këmbënguljes ushtarake të Reusisë dhe për të vendosur që të ndajnë më mirë barrën e mbrojtjes kolektive, gjatë samitit të korrikut. Kryetari i Asamblesë, kongresmeni amerikan, Michael R. Turner, tha të hënën se ‘agresivitetit i Rusisë vjen me një çmim’ dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
Rreth 250 parlamentare nga 28 vende anëtare të NATO-s dhe partneret e saj janë mbledhur në një sesion treditor në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, nën masa të rrepta sigurie,” raporton Associated Press./Mapo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu