Radar
Raporti: Ratzinger i “mbylli sytë” para abuzimeve të priftërinjve në Mynih
Një raport i ri nxjerr në pah heshtjen e Papa Benediktit XVI në lidhje me abuzimin seksual të fëmijëve gjatë kohës kur ishte kryepeshkop i dioqezës së Mynihut dhe Freisingut. Sipas raportit, kryepeshkopi i Mynihut nga viti 1977 deri në 1982, që atëherë njihej me emrin Joseph Ratzinger, ishte në dijeni të faktit se disa priftërinj abuzonin me fëmijët dhe pavarësisht kësaj, abuzuesit mbetën në role aktive nën mbikëqyrjen e tij në kishat e Gjermanisë jugore.
“Në gjithsej katër raste, arritëm në përfundimin se kryepeshkopi i atëhershëm, Kardinali Ratzinger, mund të akuzohet se ka drejtuar keq”, citohet nga DW Martin Pusch, një nga autorët e raportit.
Kryepeshkopi aktual i Mynihut, kardinali Reinhard Marks, i cili e porositi raportin, e akuzon paraardhësin për neglizhencë të qëllimshme. Hetimi u krye nga një studio e jashtme ligjore. Në funksion të këtij hetimi, edhe vetë Benedikti u dha hetuesve dëshmi me shkrim. Të paktën 235 abuzues të dyshuar u zbuluan në Kryedioqezën e Mynihut, sipas raportit, i cili mblodhi të dhëna për abuzimin seksual dhe trajtimin e ankesave në periudhën nga viti 1945 deri në vitin 2019. Studimi zbuloi një minimum prej 497 viktimash. Një raport i ngjashëm i publikuar vitin e kaluar në Francë zbuloi më shumë se 200 000 raste të abuzimit seksual nga klerikët në Kishën Katolike.