Ai flet lirshëm për çdo temë, por rrallë, shumë rrallë për jetën e tij private. Por ne vendosëm të zbulonim diçka më shumë me pyetjet specifikisht për të, apo ato që Marcel Proust i bëri të famshme për të gjithë. Dhe Çani na ka treguar diçka më shumë për familjen, fëmijët, bashkëshorten ose Pufin si ai e thërret dhe veten… Një bisedë për kohën dhe raportin me të, për dashurinë në çift dhe pasionet në jetë, për trupin dhe vrapin…atë të çdo dite dhe atë tjetrin që e çon larg çmendurisë së turmës.

Në çfarë gjendje mendore dhe shpirtërore jeni në këtë periudhë?

Super të mirë.

Kujtoni ndonjë kohë tjetër kur jeni ndier me të vërtetë mirë? Kur?

Nuk e di. Mendoj se nuk jemi asnjëherë të njëjtët. Për pasojë, s’di të them më mirë apo më keq… Herakliti i madh thoshte “nuk lahemi asnjëherë në të njëjtin lumë, sepse uji rrjedh”.

Me punën, ju ka ardhur diçka në majë të hundës? Apo nga jeta në Tiranë?

Në majë të hundës mua??? Asgjë fare… Gjithçka është Ok… Unë bëj pjesë te ata humanë që e bëjnë jetën, jo te ata që i bën jeta…. Hahahaha….

Foto: Orsola Mema Class Photography

Nuk ndieni të nevojshme të ndryshoni asgjë në jetën tuaj?

Asgjë.

Ca kohë më parë, megjithatë, duhet të keni dashur të ndryshoni trupin…Si ndiheni me peshën e re? Si arritët të humbnit kaq shumë kg?

Super në formë… Kam hequr 30 kile për 1 vit fiks… Ha vetëm sushi çdo ditë te Yamato dhe vrapoj çdo mëngjes 120 minuta… Putain… Orgazëm tjetër e paparë… Hahaha…

Përveç feeling-ut tuaj me teatrin që e shprehni vazhdimisht, ndonjë pasion tjetër, një art që ju apasionon së fundmi, apo prej kohësh?

Po, është e vërtetë që kam një lidhje të fortë me skenën si spektator, ndonëse, po të kisha mundësi, do ngjitesha vetë herë pas here.

Muzika që dëgjoni?

Muzika që dëgjoj shpesh këto kohë është në fakt një rikthim në adoleshencën time, ndonëse nuk kam qenë asnjëherë rroker. Dëgjoj Iron Maiden… Hahahaha… Fear of the dark, Afraid to shoot Strangers… Hahahahaha…. Kot për qejf…

Vendi ku tërhiqeni e gjeni qetësi…

S’kam një vend fiks…

Ju del koha të lexoni gjatë javës? Çfarë ju pëlqen të lexoni?

Lexoj vetëm libra të mençur që janë shumë të rallë në fakt… Shumica janë ‘diarre’

Ngjarja, personi, shkrimi, filmi a shfaqja që ju ka ndikuar apo emocionuar më shumë së fundmi?

Ngarja? S’ka ndodhur akoma. Personi? Askush. Film? ‘Loin de la foule dechainée’. Shfaqja? ‘Toc toc’ ose ‘Te gjithe me huqe’ e Gëzim Kames në Teatrin Kame në Ibë çdo fundjavë, me një tekst brilant dhe inteligjent nga Laurent Baffie.

Çfarë raporti keni me komentet negative për emisionin “Zonë e lirë” apo ndaj jush vetë? Keni një formulë që asgjëson efektin e tyre?

Sa më shumë më shajnë, aq më shumë më duan… Kjo është formula magjike në këtë zanat…Nuk ndodh kështu me zanate të tjera…

Arsyeja që nuk jeni në rrjetet sociale, është pak edhe mbrojtje nga ky lloj vreri?

Nuk jam prej kohësh në rrjetet sociale sepse atje është gjithë dynjaja ngaqë janë të bindur se është trend… Në fakt për mua, rrjetet sociale janë një diarre e tipit D, një neveri e paparë dhe e padëgjuar… Larg, sa më larg… Loin de la foule déchainée… Loin….

Çfarë lloji babai jeni ju?

Baba i përgjegjshëm shumë…

Enon e keni përmendur më parë në emision, po vajza, si quhet? Kush ia ka vendosur emrin?

Vajza quhet Joana. Emrin ia kam vendosur unë, por në bashkëpunim me Pufin…

David Beckham, pas lindjes së të bijës ka deklaruar që nuk do të pozonte më për markat e të brendshmeve, sepse nuk donte të kishte më foto të vetes gjysmë i zhveshur kur vajza të rritej…Ju e keni menduar ndonjëherë që, pas ca vitesh, nuk mund të jeni i njëjti në ekran, të puthni të ftuarat, apo të diskutoni tema që pak kolegë ose askush nuk i prek në TV?

Në fakt nuk ka asnjë lidhje midis një futbollisti dhe një gazetari si puna ime… Vajza ime nuk mund të rritet në inkubator… Bisedat që unë bëj në studio, janë biseda që humanët i bëjnë rëndom në jetën e tyre… Kështu që s’ka asgjë të pazakontë… Sa për puthjet, mendoj se s’janë më tabu, kur ato janë thjesht artistike dhe brenda një konteksti profesional…

Sa kohë në javë kaloni me femijët dhe familjen tuaj? Për çfarë jeni heroi i tyre, për çfarë mezi ju presin fëmijët?

Kaloj shumë kohë në fundjavë, pasi gjatë javës, ata janë në shkollë dhe kanë detyrat e tyre siç unë jam në punë dhe kam punët e mia…

Çfarë pasionesh të njëjta me tuajat, ka djali, meqë është më i rritur tani? Shkoni bashkë në ndonjë aktivitet, futboll, kinema…?

S’kemi shumë pasione të njëjta sepse është brez komplet tjetër. Të njëjtë kemi biçikletën…Për momentin…

Çfarë mendoni për çiftet që plaken bashkë? Cili është, sipas jush, sekreti i një martese të suksesshme?  Çfarë është në fakt, një martesë e suksesshme?

Nuk e kam idenë pasi mendoj se s’ka receta për këto gjëra… Janë shumë personale këto histori… Çdokush që tenton t’i japë një përgjigje këtyre pyetjeve, mendoj se ia fut kot…

Dini gjë pse burrat  nuk ndahen nga bashkëshortet e tyre edhe kur marrëdhënia mes tyre ka mbaruar?

S’e kam idenë. Kush mendon se e ka përgjigjen, të ma thotë… Hahaha… Putain!!!

Çfarë e bën marrëdhënien tuaj me partneren, mamanë e fëmijëve, të vazhdojë?

Dashnia…Hahahaha…Putain!

A do na e tregoni si jeni njohur ju të dy?

Jooo… Kushton shumë ky rrëfim… Hahahaha … Putain….!

Nëse do ktheheshit pas në kohë çfarë nuk do bënit më?

Do bëja gjithçka që kam bërë. Nuk jam bërë pishman për asgjë…

Cili është pengu më i madh?

S’kam asnjë peng.

Ju trembin vitet që ikin?

Fare… Vitet ikin, por unë kthehem gjithnjë…

Cilat janë këshillat që do i jepni vajzës kur të rritet dhe pak?

Asnjë këshillë. Nuk ka gjë më idiote se kur të tjerët të japin këshilla… 0 këshilla… 0.