Lidhu me ne

Temporal

Pse duhet miratuar “Reforma” që nuk do sjellë Drejtësi

Fatos Lubonja

FATOS LUBONJA

Përpara zgjedhjeve të vitit 2013 kam shprehur mendimin se është më mirë të fitojë Edi Rama sesa të qëndrojë Sali Berisha ende në pushtet. Argumenti nuk mbështetej, siç më kanë akuzuar mjaft PD-istë, në idenë se Edi Ramën e konsideroja e keqja më e vogël, pasi ka kohë që jam shprehur kundër teorisë së të keqes më të vogël, që bëhet më e madhja kur vjen në pushtet.



Argumenti ka qenë i thjeshtë fare: nëse do të fitonte përsëri Sali Berisha, do të rrinim edhe katër vjet duke pritur Edi Ramën me shokë, si shpresë për shpëtim, ndërkohë që, duke fituar Rama, do të kursenim katër vjet ndërgjegjësim për atë se shqiptarët duhet të lëvizin për të krijuar diçka të re, kundër sistemit oligarkik, klientelist dhe të korruptuar që kanë ndërtuar partitë e vjetra me në krye Ramën, Berishën, Metën me shokë.

Tani po bëj edhe një herë Kasandrën dhe po them se edhe reforma në drejtësi duhet miratuar, sa më parë, për të njëjtën arsye. Pra, jo se ka shpresë se pas asaj reforme ne do të kemi më shumë drejtësi, apo se do të shpëtojmë nga skota e hajdutëve, mashtruesve dhe arrogantëve që kanë ndërtuar republikën e të padrejtëve të Shqipërisë.

Jo, thjesht për të fituar kohë. Reforma në drejtësi, pra, duhet aprovuar sa më parë, në mënyrë që, me padrejtësitë edhe më të mëdha që do të sjellë, të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi më shpejt se nuk mund të kërkosh drejtësi nga kjo skotë që pushtetin e ka ngritur pikërisht mbi themelet e padrejtësisë.

Problemi është se kundër këtij ndërgjegjësimi punojnë përditë detashmentet e partive, gazetarët në shërbim të tyre, simpatizantë miopë, duke kërkuar të na mbushin mendjen se të tyret e duan reformën në drejtësi kështu apo ashtu, por janë të tjerët që nuk e duan kështu apo ashtu. Këta, ca me vetëdije dhe ca pa vetëdije, synojnë të na bindin që shpresën tonë për shpëtim, domethënë, edhe për drejtësi apo shtet të së drejtës, ta mbajmë brenda qerthullit të këtyre partive.

Në fakt, po t’u ndjekësh retorikën, do të vësh re se ajo që duan apo nuk duan nuk është drejtësia, por togfjalëshi “reforma në drejtësi”, të cilin e kanë mistifikuar aq sa po na e shesin si baras me drejtësinë apo shtetin e së drejtës, domethënë, baras me shpëtimin tonë. E ndërkohë, shqiptarët, të ngërthyer në këtë debat shterp, humbasim kohë me shpresa të rreme.

Më e keqja është se, për këtë debat shterp, bjerrakohës, po punojnë përditë edhe të huajt që i kemi aq qejf, ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE, për shembull. Edhe këta i dëgjojmë të flasin përditë për reformën në drejtësi, thua se kanë gjetur fillin e Arianës që do të na nxjerrë nga labirinti.

Por ajo që bën përshtypje është se si e shkëpusin atë nga i gjithë konteksti shqiptar; se si, për shembull, nuk i dëgjojmë të flasin për drejtësinë apo padrejtësinë duke iu referuar skandaleve të përditshme të qeveritarëve tanë.

A i keni parë të thonë një fjalë për padrejtësinë e madhe (në fakt krimin) që shtetarët tanë më të lartë kanë bërë duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës e vrasësit duke i futur deri në Parlament? Unë jo. A i keni parë të thonë një fjalë se si policia përdoret për të rrahur protestuesit edhe pse këta janë në rregull me ligjin, kurse pushtetarët janë kundra ligjit? Unë jo.

A i keni parë të thonë një fjalë se si në Shqipëri Ministria e Brendshme sjell aparate përgjimi duke i kaluar ato pa doganë dhe pa marrë lejen e Prokurorisë? Unë jo. I dëgjojmë të flasin vetëm për gjyqtarë të korruptuar dhe për ndoca kriminelë ordinerë, por jo për bashkëpunëtorët e tyre në pushtet (të djeshëm dhe të sotëm).

Aq sa s’merret vesh nëse nuk e kuptojnë apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë se në fakt po punojnë për t’i varur mëlçitë e drejtësisë pushtetit të më të fortëve në qafë. Megjithatë, unë mendoj se reforma duhet të ndodhë. Duhet t’i shohim mëlçitë tona në qafa pushtetarësh arrogantë dhe brutalë, edhe më të çapëluara se ç’i kemi parë deri më sot, që të mësojmë të mos ua varim ato ujqve në qafë.

Dikush e quan këtë një rrezik të madh që duhet evituar. Unë dita-ditës bindem se e meritojmë një mësim të tillë. Vetëm nga ky mësim ndoshta mund të lindë vetëdija për rëndësinë që ka të kemi një drejtësi të pavarur nga pushtete të tjera, qofshin këto kombëtare apo ndërkombëtare.

Vetëm pas këtij mësimi, ndoshta, do të lindë ndërgjegjësimi ndër shqiptarët se drejtësia nuk është diçka që falet në një ditë të bukur nga gangsterët, të shtrënguar nga miqtë e tyre të huaj, por, ashtu sikurse liria, diçka që fitohet ose humbet përditë në luftë me ta.

Dhe vetëm pas kësaj vetëdijeje ka shpresa se do të dalë më në fund një klasë drejtuese e vendit që do ta ndërtojë autoritetin nëpërmjet bërjes drejt e me ndershmëri të shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet imponimit të tij me dhunë, hile e padrejtësi apo nëpërmjet shërbimeve e mashtrimeve ndaj të huajve – siç ka ndodhur e po ndodh deri më sot në shtetin tonë./Panorama

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Çfarë nuk duhet të bëni kurrë me stomakun bosh

Nisja e ditës shëndetshëm sigurisht nis nga stomaku në mëngjes. Mënyra e të ushqyerit dhe kujdesi që duhet të tregojmë...

Mix1 ditë më herët

Diabeti – Zgjidhja gjendet tek ushqimi

Kur bëhet fjalë për diabetin, zgjedhjet tona ushqimore janë shumë të rëndësishme. Pavarësisht se disa ushqime janë më të mira...

Mix1 ditë më herët

Si të forconi kockat natyralisht – Zgjidhjet që ju duhen

Kockat e forta janë kryesore për shëndet të mirë dhe rezistencë të trupit. Gjithësesi për shumë njerëz mbeten një sheqetësim...

Mix2 ditë më herët

Historia e harruar e vrasjes së pabesë të Ismail Bej Vlorës

NGA EVARIST BEQIRI* NGA EVARIST BEQIRI* Këtë shkrim ia kam kushtuar një personazhi dhe një ngjarjeje shumë të rëndësishme kombëtare,...

Mix2 ditë më herët

E ve, me dy fëmijë, Bridget Jones rikthehet në shkurt dhe ky është traileri

Bridget Jones do të rikthehet si një vejushë me dy fëmijë të vegjël, që veç problemeve të saj, do t`i...

Mix2 ditë më herët

Eksperimenti i pazakontë, milingonat mposhtin grupin e njerëzve në lëvizjen e objektit përmes labirintit (Video)

Një ekip që studion sjelljen në grup të milingonave ka zbuluar se në rrethanat e duhura, milingonat mund t’i tejkalojnë...

Temporal2 ditë më herët

Shqipëria e viteve (1924 – 1928)/ PAMJET e shkrepura nga fotografi gjerman gjatë udhëtimit të tij në trojet shqiptare

Shkruar nga Albana Cenaj – Liberale.al Nga Albana Cenaj Ah, çfarë nostalgjie e mrekullueshme! Shqipëria e dikurshme e viteve (1924...

Mix2 ditë më herët

Pse u largua realisht, Justin Trudeau?

“Ky vend meriton kandidatë të vërtetë për zgjedhjet e ardhshme dhe unë e kam kuptuar se nuk mund të jem...

Radar2 ditë më herët

Noka nxjerr dokumentet: Kompania e Agron Shehajt ka ndërtuar vilën e Ajola Xoxës në Petrelë

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka akuzon deputetin Agron Shehaj se përmes kompanisë së tij ka ndërtuar vilën e...

Kioske2 ditë më herët

Të gjithë kundër Elon Musk

Europa është ngritur kundër Elon Musk, miliarderi më i pasur në botë dhe drejtuesi i platformës sociale X (ish-Twitter), i...

Facebook