Gatime
Si bëhet zënia e kosit / Si Të Mpiksni Kosin e Shtëpisë Në Disa Mënyra Praktike
nga AgroWeb
Zakonisht qumështi i deles prodhon një kos më kremoz, duke qenë se ka dhe nivelin më të lartë të yndyrës. Foto: Flickr
Një nga pyetjet më të shpeshta që amvisat bëjnë kur përgatisin kosin në shtëpi, është përse ka dalë shumë i ujshëm.
Ka qenë temperatura e qumështit apo fara e kosit? Por ajo që është më e rëndësishmja a mund ta ndreqim këtë gabim?
AgroWeb.org ju tregon disa mënyra të lehta të cilat do të rregullojnë këtë problem duke ju siguruar një kos kremoz dhe të plotë.
Një nga shkaktarët kryesor të mos mpiksjes së kosit është temperature e ambientit.
Gjatë verës temperaturat rriten dhe qumështi kërkon më pak kohë për t’u fermentuar.
Dhe nëse ju e lini të mbuluar më gjatë kosi do të të dalë i ujshëm.
Një tjetër faktor që ndikon tek përgatitja e kosit është dhe llojin i qumështit.
Zakonisht qumështi i deles prodhon një kos më kremoz, duke qenë se ka dhe nivelin më të lartë të yndyrës.
Si dhe, fara e kosit ka po aq ndikim tek përgatitja e këtij ushqimi probiotik. Nëse fara nuk është ruajtur në mënyrën e duhur dhe është thartuar atëherë edhe kosi nuk do të dalë i mirë.
Metodat Praktike Për të Mpiksur Kosin e Shtëpisë
Ngrohni pak më shumë qumështin
Nëse ju e ngrohni pak më gjatë qumështin, proteinat që gjenden tek ky produkt do të arrijnë të mpiksen më shpejtë.
Ngroheni qumështin në temperaturën 71-82 gradë dhe ziejeni lehtë për 20-30 minuta.
Kullojeni Kosin
Nëse kosi ju ka dalë me shumë ujë, mjafton që të largoni me lugë ujin e tepërt ose dhe ta kulloni atë.
Dhe madje nëse mendoni se kosi ka dalë shumë i ujshëm sa nuk shpëtohet, kullojeni plotësisht dhe formoni salcën e kosit.
Shtoni Ajkë Qumështi
Ndonjëherë qumështi ka shumë ajkë, dhe amvisat e përdorin edhe në byreqe për t’i bërë më të shijshme ato.
Por ajka mund të përdoret edhe kur ju doni një kos të trashë dhe të plotë.
Mjafton që të shtoni ajkën në qumështin që do përgatisni kosin dhe të vazhdoni hapat që ndiqni gjithmonë./AgroWeb.org