Radar
Berisha kërkon mbështetje nga shqiptarët e diasporës: Orët për demokracinë në Shqipëri janë kritike
Ish-lideri Sali Berisha zhvilloi një takim me demokratët e Shkodrës, nga ku i ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ai ka kërkuar mbështetjen e shqiptarëve të diasporës, duke iu kërkuar të bëhen promotor të rivendosjes së pluralizimit në Shqipëri.
Berisha ka ritheksuar se do të vazhdojë me takimet me demokratët dhe qytetarët në të gjithë vendit. Më herët ai ka bërë me dije se aksionin politik do ta zhvillojë përmes dy llojeve të takimeve, me bazën e PD dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
“Sot këtu në Shkodër ne nisëm takimet me qytetarët shqiptarë. Ne do t’i zhvillojmë këto takime në të katër anët e Shqipërisë. Ne do të ndezim në zemrën e shqiptarëve dritën e lirisë. Ne do bëjmë çdo përpjekje që pasioni ynë të jetë liria dhe vetëm liria. Unë e di vuajtjet tuaja të përditshme, se çfarë malli keni për fëmijët e larguar, ndaj është detyra jonë të ngrihemi për ti rikthyer shpresën vendit tonë.
Shqipëria është tokë e zotit, rroftë Shqipëria! Nga Shkodra i drejtoj një thirrje shqiptarëve në diasporë: Orët për demokracinë në Shqipëri janë kritike, ndaj sot më shumë se kurrë duhet ndihma juaj, mbështetja juaj. Ju duhet të jeni promotor i rivendosjes së pluralizimit në Shqipëri. Çfarë është kjo betejë e jona? Është absolutisht për liri dhe vetëm për liri”, tha Berisha.