Mix
Omicron VS Delta
Burimi Lexo19
“Tani është koha të kuptojmë më shumë që të frikësohemi më pak.”
Cit.: Marie Curie
Evidencat shtohen gjithnjë e më shumë mbi riskun më të ulët spitalor të variantit Omicron në krahasim me variantin Delta. Universiteti Case Western Reserve (SHBA) prepublikoi më 2 Janar 2022 të dhënat zyrtare të databazës kombëtare multicentrike të SHBA-së, ku janë të përfshirë:
- 14.054 persona të infektuar në periudhën e predominuar nga Omicron (15-24 dhjetor 2021), dhe
- 577.938 persona të infektuar në periudhën e predominuar nga Delta (01 shtator – 15 dhjetor 2021).
Në studim janë marrë ecuritë e pacientëve për sa i përket:
- vizitën në repartin e urgjencës,
- shtrimin në spital,
- shtrimin në terapi intensive, dhe
- ventilimin mekanik.
Rezultatet
Rezultatet kryesore janë në linjë me evidencat që vinë nga çdo shtet tjetër: Omicron është më pak riskues se sa Delta.
Vizitat në repartin e urgjencës:
- 4.55% e pacientëve në periudhën Omicron
- 15.22% e pacientëve në periudhën Delta
- 70% më i ulët risku për nevojë vizite në repartin e urgjencës.
Shtrimi në spital:
- 1.75% e pacientëve në periudhën Omicron
- 3.95% e pacientëve në periudhën Delta
- 56% më i ulët risku për shtrim në spital.
Shtrimi në terapi intensive:
- 0.26% e pacientëve në periudhën Omicron
- 0.78% e pacientëve në periudhën Delta
- 67% më i ulët risku për shtrim në terapi intensive.
Ventilimi mekanik:
- 0.07% e pacientëve në periudhën Omicron
- 0.43% e pacientëve në periudhën Delta
- 84% më i ulët risku për ventilim mekanik.
Omicron te fëmijët
Një tjetër mit që duhet hedhur poshtë është që “fëmijët e vuajnë më keq omikronin”.
Risku për vizitë në repartin e urgjencës për moshat 0-5 vjeç:
- 3.89% e pacientëve në periudhën Omicron
- 21.01% e pacientëve në periudhën Delta
- 81% më i ulët risku për nevojë vizite në repartin e urgjencës.
Risku për shtrim në spital për moshat 0-5 vjeç:
- 0.96% e pacientëve në periudhën Omicron
- 2.65% e pacientëve në periudhën Delta
- 64% më i ulët risku për shtrim në spital.
Të njëjtat trende u vunë re në të gjitha grupmoshat 5-11, 12-17, 18-64 dhe >65 vjeç.
Kujdes: Janë të gjitha infeksionet për herë të parë, kështu që nuk është vlerësuar edhe mbrojtja plus që kanë pacientët që e kanë kaluar sëmundjen më parë. Edhe në periudhën e mbizotërimit të Omicron ka pasur një përqindje të rëndësishme infektimesh me Delta, që mund të sjellin një nënvlerësim të efektit pozitiv të variantit Omikronit mbi rezultatet spitalore.
Autorët dalin në përfundimet:
- Infektimet për herë të parë me SARS-CoV-2 në periudhën kur mbizotëron varianti Omicron shoqërohen me ecuri më të lehtë (statistikisht sinjifikante) në krahasim me infektimet për herë të parë në periudhën e mbizotërimit të variantit Delta.
- Rezultatet janë në linjë me rezultatet e publikuara nga Afrika e Jugut, Skocia dhe Anglia.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT