Kryesore
Çështja “Noka-UDB” dhe “suspekti” i një ish-presidenti
Dje paradite ka folur për çështjen “Flamur Noka – UDB” edhe ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, aktualisht kryetar i Frymës së Re Demokratike, një parti që siç njoftohet ka zhvilluar sot punimet e Asamblesë Kombëtare. Tha Topi: “Mbi bazën e disa të dhënave që s’janë të miat por janë të ekspozuara, ish Ministri i Brendshëm ka një suspekt të fortë që duhet t’i sqarojë, për lidhjet me Shërbimin Sekret Jugosllav. Me shërbimin informativ serb. I takon atij t’i sqarojë. Dhe po i kthehem një pyetje që e kam bërë në momentin kur isha president. Ka qenë një qëndrim konstant nga ana ime për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Pse ndryshoi drafti i vitit 2006? Ai draft kishte dy autorë, personin tim dhe zotin Majko. Dhe në vitin 2008-ë, erdhi në një formë tjetër. Dhe pyetja ka qenë e drejtpërdrejtë për ish-kryeministrin, pse brenda draftit ligjor, zotëri, nuk e fut kategorinë e bashkëpunëtorëve të agjenturave të huaja? Përgjigjen s’e mora asnjëherë. E di ai”, u shpreh Topi, i cili u bë ministër në vitin 1996, thjesht dhe vetëm për vullnetin e Sali Berishës.
Zoti Topi ka qenë president dhe në këtë detyrë ai përgjigjej për sigurinë kombëtare dhe ka patur privilegjin e informacionit të klasifikuar. Një nga detyrat e Presidentit është edhe pranimi i letrave kredenciale nga ambasadorë të vendeve të tjera. Për këtë ka një procedurë ligjore konkrete, ndërkohë që Presidentit i njihet kjo e drejtë me Kushtetutë. “Presidenti…pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në nenin 92, pika 2 të Kushtetutës sonë.
Procedurialisht këtë e rregullon ligji nr. 9095, dt.2 korrik 2003, “Ceremoniali Zyrtar i Republikës së Shqipërisë”. Në Kapitullin II, pika 1.1 dhe pika 1.2 thuhet: “Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe praktikat ndërkombëtare, Ambasadorët e huaj akreditohen tek Kryetari i Shtetit si përfaqësues të Kreut të Shtetit të tyre. Akreditimi i Ambasadorëve si proces kalon në disa shkallë gjatë të cilave kërkohet plotësimi i formaliteteve të paracaktuara. Procedura fillon me marrjen e kërkesës, në formën e një note diplomatike për agrement, e cila i dërgohet Protokollit të Shtetit nga ambasada e vendit kërkues në Shqipëri, që vjen nëpërmjet njoftimit të përfaqësisë diplomatike shqiptare në atë vend, ose nga një vend i tretë. Pas kësaj, përgatitet nga Protokolli i Shtetit një informacion vlerësues, i cili së bashku me CV-në përkatëse i dorëzohet Presidentit të Republikës”(http://documents.tips/documents/ceremoniali-zyrtar-rsh.html).
Pra është Presidenti që vendos në në instancë të fundit nëse do të vijohet apo jo me akreditimin e një ambasadori të huaj në Shqipëri. Në informacionin vlerësues përfshihen të dhëna për aktivitetin e kandidatit që është propozuar, qëndrime të tij publike si dhe vlerësime të klasifikuara për qasjen ndaj vendit apo çështje të ngjashme.
Nisur nga të gjitha këto na lind e drejta të pyesim – në dritën e rrjedhimeve të kuadrit rregullues ligjor të mësipërm – a ka patur ndonjë rast kur institucione të ndryshme në Shqipëri kanë vlerësuar me “jo” ndonjë kandidat për ambasador nga ndonjë vend i huaj? Dhe nëse po si është vepruar gjatë presidencës Topi? Siç mund të merret me mend nuk e kemi fjalë për Suspekte, por për të dhëna nga institucionet shtetërore.
Një sqarim mbi zbatimin e këtyre rregullave do na jepte një tablo më të qartë sesi sillen drejtuesit për kësi çështjesh, meqenëse aktualisht po diskutohet për një deputet kur institucionet e kohës kanë dhënë përgjigje. Kjo do të vlente si pyetje edhe për ish-presidentët e tjerë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu