Kritike
Nuk shkohet me b… në Europë
Partia Demokratike ka përfunduar diskutimin e brendshëm mbi draft-propozimet për çështjet politike të Reformës në Drejtësi. Grupi Parlamentar demokrat i kryesuar nga Lulzim Basha ka diskutuar mbi arkitekturën mbi të cilën duhet ndërtuar Reforma në Drejtësi.
Ndërkohë që në diskutimet e tyre, dy nga deputetët e PD-së, Genc Ruli dhe Arben Imami, kanë qenë kategorikë sa u takon ndryshimeve të tjera të Kushtetutës.
Genc Ruli është shprehur kategorik ndaj ndryshimeve kushtetuese që lidhen me orientimin seksual.
Sipas Rulit, këto janë çështje që kërkojnë një diskutim më të gjerë në shoqëri dhe që nuk lidhen me Reformën në Drejtësi, raporton Panorama.
“Pjesa më e rëndësishme për të cilën do të doja të flisja është ajo e ndryshimeve që kërkohen të bëhen në Kushtetutë mbi orientimin seksual.
Ne jemi parti konservatore dhe nuk mund të votojmë ndryshime kushtetuese që shkojnë në një tjetër linjë.
Që në fillim e kam ditur që me b….dhe me zor do të futemi në Europë, por jo të futemi se do shesim b…..
Unë po e them hapur se ndahem nga partia ime, nëse partia ime vendos të votoje këtë ndryshim kushtetues. Pra vota ime do të jetë kundër”– ka thënë Ruli.
Për këtë çështje Ruli ka deklaruar se edhe nëse PD do të dakordësojë mbi këto ndryshime, vota e tij do të jetë kundër.
Qëndrim të ashpër ish-ministri i Energjetikës ka mbajtur edhe në lidhje me procesin e vetingut.
Ruli kërkon që të mos jenë vetëm ndërkombëtarët ata të cilët do të kalojnë në filtër të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, por të vlerësohen edhe ekspertët vendës.
Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe ishministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Sipas Imamit, ligjvënësit nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e tyre duke ndryshuar preambulën e Kushtetutës, ndërsa thekson se për çështjet delikate si ajo e ndryshimeve për orientimet seksuale mund të kalojnë përmes referendumit.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu