Kryesore
De facto sot Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin e familjes.
Berisha: De Facto sot Lulzim Basha u bë ministri i Brendshëm i Ramës. Jemi të vendosur për çmontimin e narkoshtetit
Lideri historik i PD, Sali Berisha, në konferencën për shtyp pas tubimit te selia e PD, tha se protesta arriti t’i hapë dyert e blinduara të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës në selinë blu.
Berisha paralajmëroi vazhdimin e protestave, për të cilat do të shprehet Komisioni i Rithemelimit.
Ish-kryeministri tha se janë lënduar nga dhuna e njerëzve të Bashës dhe policia e Ramës 12 protestues, ndërsa rreth 40 të tjerë janë shoqëruar në komisariat.“Protesta e demokratëve ishte krejtësisht paqësore. Kjo protestë kishte detyrë të hapte dyert e blinduara të mbyllura nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha. Në fakt, protesta dyert i hapi. Nderim të madh të gjithë atyre protestuesve të cilët me guxim, vendosmëri dhe gjakftohtësi çanë blindat e Edi Ramës dhe peng Bashës pa gërvishtur qoftë edhe një person të vetëm. Por natyrisht sasitë e mëdha të gazit që u përdorën të cilat tejkalonin çdo lloj limiti ka patur ndër të tjerë kolegë tuaj, fotografë të shquar si Felix Bilani, nga toksiteti i gazit, pothuajse po humbisnin ndjenjat dhe më shumë. Banditët e Edi Ramës u panë duke qëlluar me të gjitha mjetet mbi demonstruesit. Janë të plagosur dhe kanë kaluar nëpër spitale 12 demonstrues. Janë të ndaluar pa asnjë motiv, të rinj të kapur në rrugë për fajin e vetëm se kanë marrë pjesë në protestë, rreth 40 protestues. Ajo çka më ka impresionuar më shumë është vendosmëria e protestuesve për të qëndruar të pamposhtur. Ata kanë sot vetëm një pyetje, kur do të kthehemi përsëri.
Unë i garantoj se komisioni i rithemelimit do t’u japë atyre përgjigjen në kohën më të shpejtë. Ne nuk jemi në betejë për një zyrë. Ne jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur të Edi Ramës për të asgjësuar pluralizimin politik në Shqipëri. Ne jemi në një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme, jetike, në mbrojtje të pluralizmit politik në Shqipëri. Sot, pas 9 vitesh shqiptarët panë se ka më në fund një opozitë të vërtetë të tyre. Një opozitë e cila është e gatshme të përballet dhemb për dhemb me regjimin më të keq që nga koha e Enver Hoxhës e deri sot. E sot ky regjim ka arritur deri në atë shkallë sa të emërojë edhe opozitën që do.
De facto sot Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin e familjes. U bë si të thuash ministri i Brendshëm i Edi Ramës, në qëndrimin ndaj demokratëve. Ne i qëndrojmë plotësisht dhe me vendosmëri karakterit paqësor të protestës sonë. Atyre që sot përdorën hunjtë kundër protestuesve paqësorë, narkobanditëve me uniformë që përdorën dhunën u them vetëm kaq, keni kryer një krim të shëmtuar sepse kjo opozitë nuk mund të mposhtet dhe nuk mposhtet. Është e vendosur pavarësisht nga mjetet që do të përdorni. Të përdorë të gjithë fuqinë e saj për çmontimin e narkoshtetit. Ju garantoj se Shqipëria e tërë me një program të caktuar do të jetë në protestë”, u shpreh Berisha.