Radar
Doli në listën e pagave si këshilltare e Veliajt, ç’deklaronte Monika Lubonja pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit
Publikimi i databaz-it të të dhënave personale ka nxjerrë në pah pagat e mijëra qytetarëve, por edhe se sa paguhen dhe pozicionet e punës të emrave të njohur publik.
Aktorja Monika Lubonja është një emër që ka tërhequr vëmendjen së fundmi. Ajo është renditur si këshilltare e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me një pagë prej 114.000.00 lekë.
Pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, Lubonja iu bashkua PS. Ndërsa u prezantua në një takim që Kreu i Bashkisë Erion Veliaj zhvillonte me Asamblenë socialiste në Njësinë 2, në fjalën e saj aktorja Lubonja për të lavdëruar punët e bashkisë në kryeqytet zgjodhi të sillte para socialistëve të njësisë 2 fjalët e vajzës së saj.
Ajo tregonte se vajza e saj i kishte thënë se Tirana kishte ndryshuar shumë dhe fëmijët e qytetit ishin të lumtur.
“Vajza ime këtë vit më tha: Mami, sa shumë ka ndryshuar Tirana dhe sa të lumtur qenkan fëmijët. Këta fëmijë paskan parqe, sepse unë kur isha e vogël nuk pata park. Edhe kur dilja jashtë më merrte gjyshja dhe kthehesha direkt në shtëpi sepse nuk kishte stol ku të ulej. Ndërsa sot, unë shikoj këta gjyshër që, jo vetëm kënaqen me fëmijët në parqe e lulishte, por që edhe bëjnë muhabet me njëri-tjetrin. Kjo është merita juaj. I keni dhënë oksigjenin dhe ajrin fëmijëve”- u shpreh ajo.