Radar
Berisha: Kuvendi i Bashës u mbush me njerëz të Çilit, socialistë dhe delinkuentë
Lideri historik i demokratëve Sali Berisha u shpreh se Lulzim Basha në 18 Dhjetor mblodhi një antimiting.
Berisha u shpreh nga selia blu se Pallati i Kongreseve ka një kapacitet vetëm 1958 karrige duke rrëzuar pretendimin e PD-së zyrtare se aty ishin 5004 delegatë.
“Po krahasohen të pakrahasueshmet. Kuvendi i Lul Bravës u thirr nga një kryesi që është absolutisht e instaluar në dhunim flagrant të ligjit të partisë, që kërkon që anëtarët e kryesisë të zgjidhen me votë të fshehtë. Të Fshehtë nga Këshilli Kombëtar me dy kandidatura alternative.
Unë kam dëgjuar ndonjë prej tyre që të përdorë si argument që fajin e ka Saliu, një broçkull dhe faj se unë isha i pranishëm në mbledhje. Kjo është qesharake. Ata që kanë integritet qoftë si politikan qoftë si njerëz e që janë me ligjin, japin menjëherë dorëheqjen nga ajo kryesi.
Por tani kryesia është shkarkuar e tëra nga Kuvendi i 11 Dhjetorit. Se çfarë ishte anti Kuvendi i 18 Dhjetorit, ju duhet ta dini që më rikujtoi mjerisht një antimiting që më pati organizua Ramiz Alia në vendlindjen time në 10 janar të vitit 1991. Kishte lënë ca delinkuentë ca ekstremistë të majtë enveristë të thekur dhe mendoi se në këtë mënyrë do të mposhte PD-në.
Kush ishin? A i patë ju delegatët?! 5004 delegatë ishin një imagjinatë halucinative e sëmurë në një sallë ku një nga kolegët tuaj numëroi një për një për një karriget dhe ishin gjithsej 1958 karrige dhe hollet ku gjendeshin maksimumi 200 persona që nuk ishin”, tha Berisha.
Më pas, Berisha u shpreh se Pallati i Kongreseve në Kuvendin e thirrur nga Basha ishte i mbushur me universitetin e Henri Çilit, ish-kryetar bashkie socialistë me dy mandate dhe delinkuentë.
‘5004 delegatët ishin një imagjinatë haluçinante e sëmurë. Në një sallë ku njëri nga kolegët tuaj numëroi çdo karrige të saj dhe kishte 1958 karrige. Anti-Kuvendi nuk kishte kuorum, ishte i mbushur me familjarë, bota e krimit ishte e pranishme aty.
E njihni ju një farë Henri Çili, e keni harruar? Personazhi më i shpeshtë në media, gjersa u ndrydh në banesë pasi i ofroi njërit prej drejtuesve më kryesorë të drejtësisë 500 mijë për një favor në gjykatë dhe kjo çështje u mbyll. Ai nisi falangat nga ai universitet për turpin e tij, njerëz që nuk kanë qenë kurrë as në parti as delegatë për të plotësuar numrin 1958.
Për të thënë ish-kryetar bashkie socialistë edhe me dy mandate dhe disa delinkuentë të tjerë”, tha Berisha.