Radar
Vizita e ambasadorëve në selinë e PD, Oerd Bylykbashi: U kërkua nga Basha. Kërkon legjitimitetin që s’e gjen tek anëtarësia
Gjashtë ambasadorët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe zhvilluan një takim me kryedemokratin Lulzim Basha, një ditë pasi ish kryeministri Sali Berisha pas afro katër muajsh u rikthye në selinë e PD bashkë me anëtarë të Komisionit të Rithemelimit që u ngrit në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi e shikon këtë vizitë si një përpjekje të Bashës për legjitimitet, që sipas tij nuk e gjen te vota e anëtarësisë demokrate.
Ai ftuar në A2 CNN, ai tha se takimi me ta është kërkuar nga Basha, i cili do ta shesë si mbështetje të ndërkombëtarëve.
“Është një takim që ka kërkuar Basha. Ambasadorët i janë përgjigjur. Basha kërkon ta shesë si mbështetje nga fuqitë e mëdha. Është i sëmurë i SHQUPI-t tashmë. Përpiqet të marrë legjitimitet jo nga vota, por nga diplomatë për të mbajtur karrigen e tij. Por ambasadorët e kanë të qartë situatën. Basha ka nevojë për legjitimitet se nuk po e gjen te vota dhe anëtarësia është situatë e vështirë për të. Përdor sloganë si anti-amerikanizimi, që nuk ngjitin, se po të ishte kështu nuk do shihnim atë që pamë në stadium me gati 10 mijë demokratë, erdhën dhe ndoqën një nga zhvillimet më pluraliste në Shqipëri. Basha do të mbajë me gajret radhët që po i pakësohen vazhdimisht atij”.
Sipas Bylykbashit faktori ndërkombëtar nuk ngatërrohet dhe nuk bëhet palë me procese të brendshme në parti.
“Me vizitë apo pa vizitë kortezie kurrë nuk ka shërbyer mbështetja ndërkombëtare për legjitimitet demokratik dhe vetë ndërkombëtarët nuk ngatërrohen apo të bëhen palë në procese të këtij lloji. Basha është pjesë e këtij debati të madh në PD. Do të ishte mirë që të ishte bërë pjesë e diskutimit në Kuvend. Faktori ndërkombëtar e konsideron çështje të brendshme që zgjidhet me demokracinë partiake që është vota e anëtarësisë dhe askush nuk do mbështeste individë që kanë synim të mbajnë në kontroll një parti me 10 mijë anëtarë”, tha deputeti.