Mix
Të rinj dhe mbipeshë? Më vonë pasoja edhe në zemër!
Sa më gjatë të rinjtë kanë një peshë jo normale ose mbipeshë, aq më e madhe është mundësia e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës në moshën e mesme, raporton një studim i ri.
Zbulimet tregojnë se parandalimi ose edhe vonimi i shfaqjes së obezitetit mund të ndihmojë në reduktimin e sëmundjeve të zemrës në vitet e mëvonshme.
Sëmundja e zemrës është shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën, dhe obeziteti rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës. Studimet e kaluara kanë lidhur edhe indeksin e masës trupore (BMI) – raportin e peshës ndaj lartësisë dhe periferisë së belit ndaj rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Megjithatë, pak studime kanë parë nëse kohëzgjatja e mbipeshës së një personi ndikon edhe në sëmundjen e zemrës.
Për të mësuar më shumë, një ekip i udhëhequr nga Dr. Jared Reis ka studiuar më shumë se 3,200 të rinj, të moshës 18 deri në 30 vjeç, të cilët nuk ishin mbipeshë në fillim të studimit.
Subjektet u ndoqën gjatë një periudhe 25-vjeçare për të parë nëse do të shëndosheshin dhe kur, gjithashtu u studiua edhe për sa kohë ishin mbipeshë.
Skanimet e zemrës kërkonin depozitat e kalciumit në arteriet e tyre koronare, një shenjë paralajmëruese e hershme e sëmundjeve të zemrës. Këto kalcifikime mund të lindin shumë kohë përpara se të vërehen simptoma – një gjendje e quajtur sëmundje e heshtur e zemrës.
Rreth 40% e të rriturve u bënë mbipeshë gjatë studimit. Mbi 38% e atyre që ishin mbipeshë për më shumë se dy dekada zhvilluan kalcifikimin e arteries koronare.
Në të kundërt, vetëm rreth 25% e atyre që kurrë nuk u bënë obezë zhvilluan kalcifikim. Shkencëtarët llogarisin se çdo vit një i ri i rritur që është mbipeshë ngre rrezikun e atij personi për të zhvilluar sëmundje të heshtur të zemrës nga 2-4%.
Njerëzit në SHBA janë duke u bërë mbipeshë që në moshat e reja, dhe më shumë se një e treta e të rriturve janë të obezë.
“Mendoj se zbulimet tona me të vërtetë sugjerojnë se nëse nuk e matim kohëzgjatjen e mbipeshës, përveç BMI dhe perimetrit të belit, ne mund të nënvlerësojmë rreziqet shëndetësore të obezitetit“, thotë Reis.