Radar
Bujar Nishani: Basha sillet si manekin i regjimit, i fundosi demokratët në 12 vite opozitë
Për ish-presidentin Bujar Nishani, kreu i opozitës Lulzim Basha, është një manekin të regjimit i cili ka për qëllim të mbajë Partinë Demokratike si një instrument fals.
Në një postim në Facebook, Nishani shkruan se Basha i fundosi demokratët në 12 vite opozitë dhe keqtrajtim prej regjimit të Edi Ramës.
Sipas tij, ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha solli një frymë që nuk mund të ndalet me sforcim dhe as me forcë.
Postimi i plotë:
Nëse Lulzim Basha do të kishte parësore interesin e Partisë Demokratike, ai do të kishte luftuar “me mish e me shpirt” që ta sillte atë në pushtet.
Pasi nuk e solli dot, duke dështuar jo 1 herë, as 2 e 3, por plot 4 herë rrjesht në garat elektorale të njëpasnjëshme, për ti bërë asaj partie, të paktën shërbimin e fundit, duhet të kishte dhënë dorëheqjen duke i hapur rrugë një modeli tjetër të lidershipit, një projekti tjetër politik, një alternative tjetër për besimin e shumicës së votuesve shqiptarë.
Lulzim Basha jo vetëm nuk e bëri këtë, por pasi i fundosi demokratët në 12 vite opozitë dhe keqtrajtim prej rregjimit të Edi Ramës, doli hapur në qëllimin e tij për ta mbajtur Partinë Demokratike një instrument fals të pluralizmit dhe sjelljen e tij si një manekin i rregjimit.
Lulzim Basha dhe rregjimi që e menaxhon kishin gabuar rëndë në kalkulimet politike.
Demokratët shqiptarë, të vlerësojnë, të duan, të mbështesin, por shpirtin dhe interesat e tyre nuk i shesin, as për karrigen e L. Bashës, as për karrigen e kërkujt e aq më pak kur interesat e tyre tradhëtohen e shiten tek rregjimi i Edi Ramës.
Ata të cilët bërtasin ekraneve se L. Basha është votuar veç para pak muajsh e nuk mund të gjykohet dot nga vota e demokratëve, janë ose ca të paditur ose kanë probleme të rënda me dinjitetin.
Ju kujtojë të gjithë avoketërve të rregjimit të rikthehen pak e të mësojnë mbi parimin “recall election” !
Eshtë një nga parimet më fondamentale të Demokracisë dhe një nga mjetet më efikase të pjesmarrjes në demokracinë e drejtpërdrejtë.
Kushdo mendon se do ti asgjesojë parimet dhe mekanizmat demokratike për shqiptarët, jo vetëm gabon por “i hap probleme” të rënda vetes.
Rasti i Lulzim Bashës, kur opozita zyrtare kthehet në fasadë të një rregjimi korruptiv dhe një subjekt përdorimi nga pushteti, është jo vetëm rasti i parë në historinë e pluralizmit shqiptar, por do të jetë një objekt studimi i thellë.
Kontrasti me këtë nonsens politik, historik e shoqëror, për fat të mirë, feksi prej reagimit qytetar.
Përmes foltores dhe lëvizjes së saj, sot demokratët kanë arritur të krijojnë pikërisht atë për të cilën ankoheshim mes vetes se na mungonte për 8 vitet e shkuara. FRYMA !
Pikërisht sot është krijuar më në fund FRYMA, e cila as krijojet dot me sforcim e as ndalohet dot me forcë.
Kjo frymë veç do të vijojë të përhapet me shpejtësi deri në rrëzimin e rregjimit.